Ë

20/01/2012

Ë

Zgjim Hyseni

Ë – ja nuk më pëlqen në asnjë fjalë të veçantë të gjuhës shqipe. Ose, së paku, gjersa po e shkruaj këtë tekst, nuk po mund ta mendoj një fjalë të tillë ku prania e shkronjës “ë” do të më magjepste. E, megjithatë, seç ka njëfarë hiri e nuri kjo shkronjë.

 

E keni parë si edhe gazeta ZËRI, shkronjën Ë, në titull e ka aso që shkruhet me dorë. Përderisa shkronjat tjera janë industriale, kjo shkronjë është zejtare. Ajo është e tepërt dhe mungon shpesh. Ë – ja nuk bëhet rehat. Ëëëë, është shprehje e mungesës së fjalës në ligjëratën gojore, por njëkohësisht tepria e shumësit në të shkruar. Ëëëë, po thuhet kur mendohet, por edhe kur flitet pa thënë, në fakt thjesht po lëshon zë. A guxojmë të themi se ë – ja është fjala shkronjë e imagjinatës. Më parë se e imagjinatës është e (para)mendimit (lexo: – para si ekzistencë e mungesës), ndryshe nga imagjinata që përmban edhe dimensionin transcendental.

 

A është “ë” – ja problem i gjuhës apo problemi ynë? Mund të jetë problem i gjuhës duke qenë gjuha problemi ynë. Gjuha shqipe me prodhimet e saj sidoqofshin ato, është rezultat i përvojës së qenies shqiptare të vetëmjaftueshme, të zhytur në përditshmëri, pa aventurë, duke mos i lënë asaj rrugë tjetër veç ta fliste banalitetin tonë. Po e ndryshuam perspektivën, mund të themi se ashtu siç gjuha prodhohet nga përvojat dhe realiteti, ajo poashtu prodhon realitet e mënyrë sjelljeje të individëve. Gjuha e pushtetit që na vjen nga instrumentet zyrtare të dijes prodhon shtrëngesa që shpesh ne as nuk i shquajmë si të jashtme prej nesh, përbrendësim i dhunës, gjendje e terrorizmit, siç e quante Lefevbre.

 

Nëse në shumicën e vendeve pushteti ushtrohet në mënyrë të sofistikuar nga aparati ideologjik, përmes fjalorit dhe gjuhës neutrale të administrimit, drejt rrugës që të gjithë e dimë e që nuk kontestohet prej askujt, kjo nuk vlen edhe për Kosovën. Këtu pushteti nuk funksionon përmes totalizimit të interesit partikular, për ta paraqitur pastaj këtë të fundit si universal. Shprehjet eksplicite, linçimi e sharjet e deri tek dhuna policore janë mënyra e pushtetit të Hashim Thaçit kur merret me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Kjo ndodh jo për faktin se Hashim Thaçi është i pakulturuar e i pagdhendur, por sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka çarë paradigmën hegjemonike të rrugës së dhënë e të pakontestueshme. Ne nuk e kritikojmë Hashim Thaçin sepse nuk po punon mjaftueshëm, por sepse po punon mbrapsht. Ndërkaq, edhe kritikën nuk e bëjmë sa për ta bëre. Kritika shkon deri në fund, ajo përcillet me aksion, tubime e protesta.

 

Ligjerimi i Hashim Thaçit kur merret me Lëvizjen VETËVENDOSJE! është tipik për dualizmin orientalist. I kemi shprehjet cliche  si: “vlerat perëndimore”, “integrimet euroatlantike”, “vlerat demokratike” të kundërpozicionuara me shprehjet: “mentalitet i së kaluares”, ”vandalizëm”, “të pa edukatë” e plot të tjera si këto. Pra, i kemi të qytetëruarit,  perëndimorët, demokratët, të kulturuarit, të përndriturit në njërën anë, dhe ata që kanë mbetur tek e kaluara që është lindore pra: tiranike, e dhunshme, perverse në anën tjetër.

Me plot shprehje të tilla është deklarata për shtyp e Qeverisë së Kosovës e lëshuar më 3 shtator 2011, ditën e aksionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Aeroportin e Prishtinës kundër kryesueses së delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri. Pa i llogaritur këtu pasaktësitë logjike që ka deklarata si “dialogu i barabartë me Serbinë”, ndërkohë që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, kësaj radhe dua të vë theksin tek gabimet gjuhësore. 10 gabime gjuhësore në më pak se gjysmë faqe tekst. Kjo është Qeveria e Kosovës që flet për vlerat e i thotë të tjerëve të paedukatë. Ironia e arrin kulmin kur e njohim intelektin dhe kulturën e kulturuesit perëndimor. E kemi një margaritar që i përket pikërisht atij, kryeministrit tonë, pararojë e vlerave perendimore. Duke e mbushur formularin e deklarimit të pasurisë, Hashim Thaçi, dora vet, tek po e shkruante se është kryetar i PDK – së, fjalën “kryetar” e kishte shkruar me “ë” në fund, “kryetarë”! Sërish “ë” – ja e shkretë. A e ka shkruar Hashim Thaçi fjalën në shumës sepse është i çmendur pas kryetarllëkut dhe dëshiron të jetë pafundësisht shumë kryetar, apo, thjesht, sepse është injorant? Pra, a vuan nga një multiplikim i brendshëm i vetvetes apo padituria e tij prodhon absurditete të paparashikueshme? Të dyjat: është i çmendur pas kryetarllëkut sepse është injorant, është injorant sepse është i çmendur pas kryetarllëkut.

 

E megjithatë, nëse duhet do të më duhej të jepja ndonjë asociim të kësaj shkronje që nga gjeneratat e kaluara quhej “e pa zë”, e tillë është mënyra si po ndërtohet Kosova, pa zërin e artikuluar të qytetarëve të saj. Pa fjalën e tyre. Jemi të pavarur jo sepse Kosova është vend i këtij populli, por sepse kështu rastisi të jetë konfiguracioni i fuqive të mëdha. Sui generis, rast i veçantë, vetëm ne, që të mos bëhet e madhe, që të mbetet pa zë, se kërkojnë edhe të tjerët pavarësi pastaj. Pavarësi pa zë, me një kryeministër të zëshëmë (sic).

 

 

 

 

 

 

 

 

12 lexues e pelqejne kete shkrim.

One Response to Ë

  1. Ëëëë on 25/01/2012 at 18:29

    o Zgjim a e din qysh bohet Ë-ja ne lap top o vlla ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031