A kemi një problem nacionalist?

21/01/2012

Patriotë sot nuk janë ata që valëvisin flamurin, por minatorët e Bulqizës, të cilët ngujohen me muaj për të ruajtur nga të paktat pasuri kombëtare që na kanë mbetur në vend. Apo naftëtarët e Vlorës të cilët me thonj po mundohen të mbrojnë industrinë akoma fitimprurëse të naftës.

Leart Kola

Ka një revansh të madh në mediat shqiptare këto ditë kundër Fatos Lubonjës, për deklaratat e bëra në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Njeriu që u dënua nga brezi i kaluar 17 vjet meqë vendosi të mbronte idete e veta, po akuzohet nga brezat e sotëm prapë si tradhtar. Këta të rinjtë dhe pse demokratë, do kishin dashur ta plasnin disa vjet në burg, po jo pse nuk e do flamurin apo himnin, (të gjithë ne “bëjmë” sikur i duam me një dozë cinizmi dhe hipokrizie), po sepse e thotë.

Ne jemi mësuar që të flasim ndryshe nga ç’ndiejmë, të ruajmë gjithmonë disa standarde medemek nacionaliste, por ky brez që sot po na nxin faqet e gazetave dhe skuqet si spec nëpër televizione për deklaratat e Lubonjës, është i njëjti, që me të ditur nja dy fjalë të ndonjë gjuhe, e bën të duket Shën Pjetrin diletant, nga sasia dhe cilësia e mohimit të kombit. Për të mos folur pastaj për sikletin sistematik të gjyshërve në shqiptimin e emrave të nipërve e mbesave si psh Francesco, Nicole, Chris. Hapini kur të keni kohë regjistrat e emrave të fëmijëve të këtij kombi “nacionalist”, e do shihni se si ulëret kozmopolitizmi. E nëse përtoni t’u futeni arkivave, shihni Këshillin e Ministrave se është më kollaj. Merrni ministrinë e Ekonomisë, fjala bie, ku zv.ministri i ka vënë emrin vetes Enno Bozdo?! Apo drejtori i METE Tommy Kola?! Nuk di si ja bën populli t’u drejtojë kërkesa. Nuk duhet harruar në këtë listë dhe rekordi ndërkombëtar në ndërrimin e emrave të emigrantëve në Greqi e Itali. Presioni politik, do thotë dikush. Ndoshta, por ama të njëjtin presion e kanë pasur dhe shumë kombe të tjera të cilat nuk janë dorëzuar me kaq lezet sa kemi bërë ne.

Nëse e shohim situatën me gjakftohtësi, na del që nuk kemi një problem nacionalist në Shqipëri, përkundrazi,shqiptarët janë kozmopolitë deri në alivanosje, megjithatë kemi që ç’ke me të një problem me sharlatanizmin nacionalist. Fatos Lubonja sulmohet sot nga këta sharlatanë, jo sepse është kozmopolit, por sepse është përfaqësuesi më i kulluar i asaj që shqiptarët janë, por nuk duan ta pranojnë. Në konsensusin e pështirë politikisht korrekt shqiptar, të tjera gjëra thuhen e të tjera gjëra mendohen, ndërkohë Lubonja thotë atë që mendon, e kjo e irriton këtë pjesë të shqiptarëve se pikërisht kjo ua nxjerr zbuluar atë që ata duan ta fshehin.

Personalisht mendoj që pikërisht negocimi, tallja e përçudnimi i etapave tona historike, na ka bërë të mos respektojmë as njëri-tjetrin, të mos kemi as standarde demokracie e as vlera të përbashkëta shoqërore. Me të njëjtin intensitet u bënë skrap dhe partizanët që ishin heronj të komunistëve dhe studentët që ishin heronj të demokratëve, po aq në thasë kargoje u katandisën dhe shtetformuesit shqiptarë. E mbi hirin e tyre, sharlatanët e sotëm do na organizojnë “party” për 100 vjetorin e pavarësisë.

Lubonja ka të drejtë kur deklarativisht thotë që nacionalizmi është problem, por nuk ka të drejtë kur mendon se ky problem na përket neve. Ne kemi një problem të thellë me sharlatanët që kërkojnë pushtet në kurriz të atdhedashurisë jo duke e ndërtuar atë, por duke krijuar një fasadë simpatike që do u garantojë rrugën për në parlament. Kreshnik Spahiu, është sot nënkryetar i KLD-së, e nëse do donte të bënte një akt të rëndësishëm për popullin e tij, do mjaftonte që të reformonte e përmirësonte performancën e institucionit të drejtësisë. Eshtë pikërisht ky institucion që me vendimet e shtrembra që jep, e ka kthyer vëllain kundër vëllait e shqiptarin kundër shqiptarit. Ky do ishte një alamet akti patriotik, që do përmirësonte praktikisht marrëdhëniet e shqiptarit me vetveten.

Patriotë sot nuk janë ata që valëvisin flamurin, por minatorët e Bulqizës, të cilët ngujohen me muaj për të ruajtur nga të paktat pasuri kombëtare që na kanë mbetur në vend. Apo naftëtarët e Vlorës të cilët me thonj po mundohen të mbrojnë industrinë akoma fitimprurëse të naftës. Këta janë ata që po ruajnë legjitimitetin e Ismail Qemalit, partizanëve e dëshmorëve të demokracisë. Flamuri është dhe duhet të mbetet simboli i atyre që dhanë jetën, që ky vend të kishte shkolla, spitale dhe mirëqenie. E jo të ishte kartvizita për karrierë të shpejtë politike, apo shitje platformash dixhitale.

E megjithatë Fatos Lubonja ka të drejtë. Nacionalizmi është problem, sepse kudo ku ka patur nacionalizëm, ka patur një klasë politike të korruptuar, por kjo kurrsesi nuk duhet ngatërruar me patriotizmin, me dashurinë për vendlindjen, me nostalgjinë siç do e quante Rimbaud.

Pikërisht ky atdhetarizëm, është ajo që e shtyn një kozmopolit të kulluar të marrë pjesë në mbrojtjen e vendit të tij kundra importit të plehrave, e është pikërisht ky kozmopolitizëm i maskuar me një nacionalizëm sharlatanësh që i bën ata që u nxituan ta quajnë Lubonjën tradhtar, të mos shohin asnjëherë pak më larg se barku i tyre. Nuk ka atdhetarizëm më të mirë se të luftosh për idetë e tua e për të drejtën, edhe sot dhe atëherë, dhe me këtë punë grekët nuk kanë lidhje fare.

Botuar në revistën Klan

8 lexues e pelqejne kete shkrim.

4 Responses to A kemi një problem nacionalist?

  1. barobama on 21/01/2012 at 23:58

    Apo ç’ja ke futur me top fare, i bere kozmopolitet atdhetare, atdhetaret sharlatane. Kozmopolit do te thote antiatdhetar, nuk ka lindur sot fjala, po ne Greqine e lashte.
    Jepi, jepi nxirr xhevahire te tjere, si keto.

    Ne Shqiperi ka nje problem, ai eshte kozmopolitizmi, ketu fillon e mbaron gjithe identifikimi i problematikes.

  2. Rita Strakosha on 27/01/2012 at 17:41

    Europa ka nisur rrugen drejt varferise ekstreme, kjo per shkak te konsumit te shumices se burimeve natyrore (nafte, burime minerale, toke bujqesore, pyje etj.) dhe ndryshimeve klimatike.

    Ne nje habitat me mundesi gjithmone e me te kufizuara jetese, njerezit, si cdo qenie e gjalle, do te egersohen dhe agresivitetin do e drejtojne kunder njeri-tjetrit. Kjo do te sjelle rigjallerimin e nacionalizmit ekstrem.

    Nese kesaj katastrofe te zgjatur natyrore i shtojme dhe lufterat (sic u pelqen nacionalisteve ekstreme) te gjithe do te humbasim. Me e mira eshte qe ne vend te nacionalizmit te drejtuar kunder grekeve, serbeve, maqedonasve te zhvillojme nacionalizmin e shpetimit te shqiptareve nga kriza (pa demtuar fqinjet).

    Nese ngjallin oreksin per lufte te fqinjeve duke mbeshtetur nacionalizmin ekstrem, shqiptaret jane te paret qe do te humbasin shume, sepse nuk kane as arsenalin e armeve, as shteteformimin e fqinjeve te tyre.

  3. edrus on 05/02/2012 at 07:23

    Çfarë idesh të veta mbrojti Lubonja që u dënua nga sistemi komunist?
    Di ndonjë gjë më shumë se ne të tjerët autori, apo e ka futur atë frazë vetëm për të shtuar efektin, në mbrojtje të këtij kozmopoliti të shquar shqiptar?

    Nëse është e vërtetë që flamuri dhe hymni i tij, janë institucione shtetërore të sanksionuara në kushtetutë, ASKUSH, përtej bindjeve të tij të respektueshme në rrethin e tij familiar, nuk mund të bëjë deklarime publike ndaj këtyre institucioneve.
    Mund të të mos pëlqejë teksti apo muzika, por JO të flasësh qesim ndaj institucioneve.
    Do të mjaftonte vetëm kaq për të tredguar se sa i cekët u tregua Lubonja (dhe ata që e mbrojnë) dhe sidomos, se sa i pafytyrë është Shteti që nuk ngrihet të mbrojë dhe institucionet e veta.
    P.s: Nëse Shteti shqiptar do të ishte nacionalist, siç thotë autori, ashtu siç vrau vetëm se u futën dy hapa brënda kryeministrisë, ashtu duhet të kishte vrarë edhe ata që thonë “dy llafe” ndaj institucionit të Hymnit të Flamurit… ose të paktën, ta fuste dhe nja 17 vjet të tjera brënda.

  4. Dora on 11/02/2012 at 05:42

    Shqiptaret ne pergjithesi nuk jane patriote sepse patriotizmi kerkon thellim dhe shoqeria thellesisht materialiste shqiptare lundron ne ujera siperfaqesore dhe deshton te imagjinoi uren lidhese, korelacionin, midis komuniteteve te shendosha, mireqenies individuale dhe dashurise per vendin. Patriotizmi jone kolektiv eshte komercial, ne video dhe kenge, i pavlere, i keqartikuluar ne politika publike, i shperdoruar nga elita, i keqkuptuar dhe romantizuar nga masat. Patriotizmi duhet pare jo si nacionalizem, as si romanticizem por si nje simbioze qytetar-shoqeri. Sa me shume ben i pari per te dyten aq me teper e shperblen e dyta dhe kshu lind historia e dashurise qe ne thelb permban kontraten sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031