Analizë nga Bernard Harcourt ……..
Marrë nga The Guardian
Dëbimet policore me forcë të protestuesve “Zapto” (Occupy), nga sheshet e New York-ut, Chicagos, Oaklandit, Montrealit, Torontos, Berlinit dhe kudotjetër ngrenë pyetje kritike në adresë të ligjëratës aktuale politike - pyetje këto që nxjerrin në pah shumë prej shqetësimeve tona në lidhje me diskursin publik që ka shoqëruar këtë lëvizje qëndrese pa udhëheqës. Dëbimet me forcë ngrenë si fillim një shqetësim lidhur me fjalën e lirë: mohimi i të drejtës për të zaptuar hapësirat publike qëllimisht krijon një efekt frikësues në mënyrën e shprehjes publike të mosbindjes. Kjo është dyfish problematike kur hapësira publike në fjalë, siç është “Grant Park” në Chicago, përdoret për të tjera organizime politike si ai i mbajtjes së fjalimit elektoral i Presidentit Obama në vitin 2008
Është realisht cinike të mendosh që presidenti i zgjedhur mbante fjalimin e tij të fitores nën një tendë në “Grant Park”- vendin ku më pas, shefi i stafit të tij e më vonë kryebashkiaku i Chicagos, Rahm Emanuel, do të dërgonte departamentin e policisë së Chicagos për arrestimin e protestuesve të “Occupy” – prangosjen e 175 protestuesve nën akuza pothuaj kriminale, mbajtjen, arkivimin në qelitë e burgjeve dhe më pas ndjekjen agresive të rasteve në gjykatat penale.
Megjithatë, dëbimet dhe format e tyre ngrenë shqetësime të mëdha gjuhësore për sa i përket retorikës sonë mbi Lëvizjen “Zapto” – madje edhe në forumet e limituara “të fjalës së lirë”. Tek “New York Times” kam diskutuar idenë se një lëvizje qytetare zaptuese pa udhëheqës –ajo çka ne quajmë “mosbindje civile” – përfaqëson një paradigmë të re politike e cila sjell domosdoshmërinë e një fjalori të ri politik. E në fakt do të sugjeroja nevojën e një gramatike/gjuhësie krejtësisht të re.
Dukshëm sintaksa e përdorur deri tani prej kritikëve dhe ekspertëve nuk po funksionon. Qëndrime dhe fjalime të tilla si “Zaptimi i Wall Street-it” duhet të kenë një plan pune, ose siç u shpreh Gazeta “Wall Street” me përbuzje – mjaft u angazhuat “në ditët e zemërimit të kotë” – nuk kanë më asnjë kuptim. Qartazi këto formulime gjuhësore nuk tingëllojnë në një linjë logjike me paradigmën e një lëvizje të re qëndrese pa udhëheqës.
Kjo vlen edhe për mbështetës të vetë lëvizjes. Kështu p.sh., kur filozofi Peter Hallward shprehet tek “The Guardian” se: “Polemikat e sloganit të ri, <Jemi 99%-i>, ne duhet t’i kthejmë në pikëpamje komanduese politike”, duket sikur diçka nuk funksionon në sintaksën e tij: është e paqartë kush përkufizohet si “ne” apo kujt po i drejtohet Peter Hallward-i. “Ne” të mbledhurit jemi protestues në internet, lexues të “The Guardian”-it, udhëheqës të lëvizjes apo thjesht kritikë? Ndjesia ime është se kjo formë shprehjeje është e pakuptimtë e nuk përcjell asgjë.
Ky problem është së pari, hapësinor/territorial. Deklaratat normative apo pohimet mbi atë çka “Zapto Wall Street-in” duhet të bëjë nuk kanë funksion gramatikor dëgjimor normal, përveçse në rastin kur folësi është fizikisht duke zaptuar një hapësirë tashmë të zaptuar. Peter Hallward nuk mund t’i flasë kërkujt kur thotë se çfarë duhet të bëjë “Zaptimi i Wall Street” – asnjë grimcë më shumë se Gazeta “Wall Street”, përveçse kur Hallward-i “zapton” fizikisht një territor “të zaptuar”. Dhe s’mund kurrsesi të zaptosh diçka ndërkohë që punon me kompjuter apo publikon një shkrim. Nuk mund të zaptosh në distancë prej një faqeje virtuale tashmë të zënë.
Problemi, së dyti dhe në vazhdimësi, është rizomik. Meqenëse lëvizja është pa udhëheqës, atëherë askush s’mund të flasë për të me përjashtim të vetë protestuesve; ashtu sikurse nuk ka mënyrë tjetër për t’iu drejtuar protestuesve përveçse kur folësi vetidentifikohet si pjesëtar i qëndresës. Pra askush jashtë saj s’mund të flasë në emër të “Zapto Wall Street-in”. Si pasojë e kësaj paradigme të re politike, qëndresa qytetare merr zë vetëm prej territorit të zaptuar dhe vetëm atëherë merr kuptim diskursi i tyre i përbashkët dhe konsensusi i mundshëm.
Por përtej kësaj, deklaratat normative për “Zaptimin e Wall Street-it” mund të thuhen vetëm prej pjesëmarrësve fizikë të “zaptimit”. Dhe me këtë nuk kuptoj thjesht prezencën fizike të tyre, por zaptimin e hapësirës duke e imagjinuar veten si pjesë të rezistencës. Ajo çka duhet për “zaptim”, në kuptimin e parë të fjalës, nuk kërkon domosdmoshmërisht një tendë, një shtrojë gjumi apo qoftë edhe një poster (megjithëse kjo sigurisht që ndihmon), por kërkon perceptim pjesëmarrjeje në protestë. As prania fizike nuk mjafton. Gazetari, turisti i rastësishëm, polici patrullues në park apo edhe politikani i ndërgjegjshëm ndaj kërkesave të protestuesve nuk mund të jenë pjesë e “zaptimit”, deri atëherë kur të vetëperceptohen si pjesë e rezistencës.
Ka një dimension të tretë të problemit dhe ky është autorësia. Struktura konvencionale e fjalisë së tipit “Njerëzit duhet të bëjnë x apo y gjë” nuk përfaqëson asgjë. Kjo është si të thuash që format e dijes dhe të njohurisë të pranuara me kohën nuk janë të afta të prodhojnë nga ana gjuhësore pohime të sakta. Pretendimet e një ekonomisti, politikani, eksperti apo gazetari të cilët japin opinione mbi atë çka “Zaptimi i Wall Street-it” duhet të ndjekë për të pasur sukses, duket se s’kanë kuptim si fjali sepse autorët e vetë fjalive kanë dështuar në këto pohime.
Ky duket të jetë një mesazh thelbësor i lëvizjes Zapto; janë pikërisht ekspertët e supozuar ata që na sollën në këtë situatë që shumë njerëz e perceptojnë si të patolerueshme – një situatë ku rritet në mënyrë të vazhdueshme pabarazia, ku sot “400 amerikanët më të pasur kanë një pasuri neto më të madhe se 150 milionë amerikanët më të varfër”. Këtë, unë e quaj si shpirtin drejtues jakobin të kësaj forme politike mosbindjeje, por pa udhëheqjen jakobine. Dhe është pikërisht mungesa e udhëheqjes që nxjerr në pah sfidat e reja sintaksore: ata që po mundohen të “drejtojnë” Zapto Wall Street-in në “drejtimin e duhur” – me vullnet të mirë apo të keq, kanë dështuar krejtësisht dhe si pasojë në deklaratat e tyre nuk ka gramatikë autoriale.
Ky rregull i ri sintaksor – dhe aparatura shoqëruese e takimeve, mikrofonëve njerëzorë dhe sinjaleve me dore – ka implikime radikale. I pari është eliminimi i udhëheqjes karizmatike. Ky është produkt jo vetëm i mungesës së udhëheqjes, por edhe i “mikrofonit njerëzor” si një formë shprehjeje, komunikimi dhe apmplifikimi. “Mikrofoni njerëzor” e shkëput konceptin e karizmës. Është si përkthimi live: folësi mund të thotë 5 deri në 8 fjalë përpara se të pushojë, ndërkohë që masa përsërit. Efekti është të zbusë momentin oratorik. Gjithashtu, kjo i detyron masat e grumbulluara të thonë fjalë dhe argumente për të cilat mund të mos jenë dakord – çka sjell edhe efektin e duhur të neutralizimit të momentumit politik.
E dyta, struktura e re gramatikore e zgjeron hapësirën politike të zaptimit me zëra të shtuar, pikëpamje dhe opinione – me një shumëllojshmëri që lëvizja e quan “bindje politike”. Për shembull, dikush nga lëvizja mund të thotë që është pro-sindikalist, edhe pa qenë e gjithë lëvizja pro-sindikaliste. Të tjerë mund të kundërshtojnë dhe argumentojnë se sindikatat janë institucione hierarkike që riprodhojnë ose kristalizojnë forma të reja tiranie. Në këtë kuptim, dikush mund të imagjinojë të dëgjojë një grup protestuesish të “Zapto” që diskutojnë për fitimet e sindikatave në Wisconsin, por njëkohësisht nuk do të kishte kuptim për asnjë qëndrimi se “Zapto Wall Street-in” është pro-sindikaliste. Struktura gramatikore e kësaj fjalie nuk shkon.
Forma e re sintaksore jep mundësinë e shkrirjes së pikëpamjeve të shumta dhe përputhjen ndonjëherë të ideve të veçanta pa qenë nevoja për mekanizma përjashtues. Mund të qëndrojnë bashkë protestues pro-qeveritarë dhe anti-qeveritarë pa qenë nevoja arbitruese e vetë lëvizjes. Të gjitha këto pohime legjitimohen për aq kohë sa autorët e tyre janë fizikisht prezentë, zaptues, vetë-identifikues dhe të zëshëm nën termin “ne”.
Një lëvizje pa drejtues sigurisht që nuk imponon dot asnjë prej këtyre formacioneve të reja sintaksore, por ky nuk mbetet shqetësim. Gramatika funksionon nga ajo çka dëgjohet apo “bën kuptim” e më pak nga mjetet kontrolluese/imponuese (përjashtim bën logjika e gramatikës në shkollë) Struktura e gjuhës, më së shumti, vepron nëpërmjet skualifikimit dëgjimor dhe filtrimit.
Koncepti qendror i “Lëvizjes Zapto”, “paudhëheqësia” ose “mungesa e udhëheqjes” është natyrisht njëra prej aspekteve më të debatuara të saj dhe sigurisht burim kritikash edhe në mes miqsh dhe përkrahësish globalë të vetë lëvizjes. Kritika më e zakonshme lidhet me paralizimin e aksionit politik. Slavoj Žižek-u, duke folur rreth rezistencës greke, u shpreh në lidhje me këto kritika:
“Në Greqi, lëvizja protestuese, tregon kufijtë e vetë-organizmit: protestuesit vendosen brenda një hapësire të barabartë lirie pa nevojën e një autoriteti rregullues, pra brenda një hapësire publike ku të gjithë kanë të njëjtën kohë për të folur etj. Kur protestuesit filluan debatet mbi atë çka do ishte hapi i radhës, konsensusi i shumicës nuk ishte zgjedhja e një partie politike apo përpjekja e drejtpërdrejtë për marrjen e pushtetit, por ekzistenca e një lëvizje qëllimi i së cilës duhet të jetë ushtrimi presionit ndaj partive politike ekzistuese. Kjo sigurisht nuk është e mjaftueshme për të detyruar riorganizimin e jetës shoqërore. Për këtë qëllim duhet një trup i fortë dhe i aftë për të marrë vendime të shpejta e për t’i zbatuar ato me gjithë vrazhdësinë e nevojshme.”
Thirrja e Zizek-ut për një “trup të fortë” me gjithë “ashpërsinë e nevojshme” është pikërisht antiteza e një lëvizje rezistence pa udhëheqës – është më tepër formë pararojë e një partie leniniste. Por për ata që interesohen rreth këtij modeli është e vlefshme të theksohet se koncepti i “mungesës së udhëheqësit” mund të shpalosë realisht mundësi radikale. E në fakt e ka arritur. Shtetet e Bashkuara janë minimalisht duke u përfshirë në diskurse politike e debate të cilat vetëm tre muaj më parë ishin inekzistente.
Unë sugjerova më parë se kjo paradigmë “e mosbindjes civile” mund të përfaqësojë një formë të re rezistence ndaj mënyrës sonë të qeverisjes. Do shtoja gjithashtu se kjo formë e mosbindjes mund të hapë në të vërtetë mundësi të reja, duke shmangur format e vjetra partiake dhe debatet e shkuara ideologjike. Ajo mund të shërbejë për t’u bërë ballë formave të ngurta hierarkike apo dominimit, të cilat janë shpesh të ngulitura thellë në alternativat, zgjidhjet apo ideologjitë ekzistuese.
Në këtë kontekst, do të ishte me vlerë rikthimi i disa shkrimeve teorike që sollën ngritjen e studentëve në Maj të 1968-ës. David Showalter, një student i diplomuar, gjatë seminareve të mia më drejtoi tek një pasazh i një prej intervistave të Michel Foucault-së nga mesi i viteve ’70. I pyetur nëse ka një moment apo fazë ku ne mund të propozojmë, Foucault-ja përgjigjet:
“Nuk varet nga ne propozimi. Për aq kohë sa dikush ‘propozon’ – do të thotë që ai propozon një fjalor, ideologji, e cila mund të ketë vetëm efekt dominimi… Këto efekte dominimi do rikthehen me të njëjtat forma e ne do kemi ideologji të reja, por që funksionojnë në të njëjtën mënyrë. Vetëm brenda dhe nëpërmjet luftës prodhohen kushte të reja pozitive.”
Vetëm përmes kontestimit të hapur dhe përpjekjeve të vazhdueshme, mundet, sipas Foucault-së, të hapen mundësi të reja. Dukshëm këto mundësi kanë ardhur. Ky diskurs që po mbahet në Shtetet e Bashkuara është i padëgjuar më parë. Dhe, unë besoj se është pikërisht paradigma e kësaj lëvizje zaptuese pa udhëheqje. Ky është gjithashtu efekti i një strukture të re gjuhësore, e zhvilluar prej një grupi mahnitës e të mirarsimuar burrash e grash, shprehës të ideve të tyre brenda një ligjërate të re politike. Sigurisht, mbetet virtyt mbajtja e hapur e kontestimit.
Përktheu: Eniana Koçiaj













Shprese. Shprese per Shqiperine qe te degjohet nje kurs i ri te cilit askush nuk ia ka degjuar asnje tingull. Rezistence. Mosbindje.