Rileximi i Marksit dhe shtypi i ditës
Arbër Zaimi
Programi i botuar nga PS me propozimet e tij për taksim progresiv të të ardhurave e për TVSH të diferencuar mbi produktet bazike jetësore e ngjalli një farë debati e diskutimi, edhe pse gjërat u mjegulluan pak prej promovimeve të librave të kryetarit Rama apo mëtonjësit Blushi – promovime që e tërhoqën vëmendjen e burzhuazisë opinionbërëse që ka akses në media, më shumë se sa akti politik, pra programi. Propozimet e bëra në program dhe të diskutuara në forumet socialiste e nëpër media duken disi të ndrojtura (e si të mos jesh i ndrojtur në këtë periudhë kur thuajse krejt media, akademia, arti e inteligjenca elitare janë pushtuar prej ideologjisë pro-treg e pro-kapital?). E megjithatë programi e vendos PS-në në qendër të spektrit, si një parti tipike socialdemokrate europiane (e parakrizës).
Kritikat (në fakt sulmet) ndaj programit kanë ardhur kryesisht prej të djathtës – e këtu nuk nënkuptoj PD-në apo parti të djathta, nënkuptoj pozicionimin ideor të kritikave e të kritikëve, që në shumicën e tyre absolute e kanë vendosur veten djathtas propozimeve të këtij programi centrist – duke e akuzuar atë edhe si marksist, komunist etj. etiketa që përdoren kryesisht për demonizime në një shoqëri trushplarë si kjo e jona. Ende sot nuk e kam lexuar një kritikë ndaj programit të PS që të vijë nga një pozitë e majtë, apo që të synojë ta çojë PS-në drejt një reflektimi të domosdoshëm e të nevojshëm jo vetëm në Shqipëri, po në gjithë vendet e prekura tashmë prej depresionit ekonomik (që nuk është krizë, as recesion, por është depresion – siç lë të kuptohet edhe perspektiva gri që paraqiti Lagarde së fundmi).
Mirëpo jo vetëm që kritikat kanë qenë më djathtas se ç’duhet, po edhe mbrojtjet e programit kanë marrë si të mirëqenë një kontekst mendor djathtosh. Edhe vetë mbrojtësit duket se nuk e kanë vënë kurrë në diskutim padrejtësinë sociale që është krijuar në Shqipëri, pamundësinë e zhvillimit ekonomik në emër të rrjepjes e bastisjes, pamundësinë për zhvillimin e kapaciteteve fizike e shpirtërore të këtij populli sajë degjenerimit të arsimit, kulturës, shëndetësisë si edhe falë papunësisë e shtrenjtimit të strehimit – pra të gjitha këto nuk janë diskutuar nga një këndvështrim progresiv, por vetëm nga një këndvështrim konservator-reaksionar.
Konkretisht, ç’dua të them me këtë?
Po ngrihet një bindje absurde në opinion, sipas së ciles taksat progresive justifikohen prej faktit që të pasurit duhet të jenë më të kujdesshëm për të skamurit, duhet të jenë më të mëshirshëm ndaj tyre, më të dhimbsur… në mënyrë që të shmangin “pakënaqësitë” (apo që të provojnë se Marksi e kish gabim). Kjo bindje bazohet mbi parimin e zëvendësimit të drejtësisë me mëshirën. Shoqëri impotente që i lutet bastisësit t’i kthejë sadopak plaçkë viktimës së vet, se përndryshe ai do të trishtohet…
Janë bërë tashmë një duzinë opinionbërësish që shkruajnë në këtë linjë, e më së fundi më ra në sy një shkrim i Eduard Zaloshnjes, i botuar te ResPublica e më vonë te MAPO. Shkrimi titullohet “Berisha, Marksi dhe pasunarët shqiptarë”. Zaloshnja e nis shkrimin:
Në thelb të teorisë së revolucionit komunist të Marksit qëndronte parashikimi se kapitalistët, të udhëhequr nga dëshira për të maksimizuar fitimet e tyre, do ta varfëronin aq shumë proletariatin, saqë atij nuk do t’i mbetej alternativë tjetër veç shkatërrimit të sistemit kapitalist nëpërmjet revolucionit.
Pa hedhur pikë dyshimi mbi rigorozitetin e Zaloshnjes, them me përgjegjësi të plotë se Marksi nuk ka dhënë askund receta për revolucionin, siç e do bindja e përgjithshme. Marksi në veprat e tij të rëndësishme (ato të periudhës së pjekur të jetës së vet), sidomos tek Kapitali, Kontribute në Kritikën e Ekonomisë Politike dhe Teoritë e Mbivlerës, analizon ekonomikisht e sociologjikisht kapitalizmin, e në të njëjtën kohë shtron filozofikisht teorinë e vet, atë që më vonë u quajt dialektika materialiste. Qartazi ai e nënkupton se komunizmi nuk është shtet, as gjendje fikse, por një proces i zhvillimit përmes konfliktit të pandalshëm. Për të mos u zgjatur shumë, vepra ku Marksi ka folur pak më gjatë për revolucionin është Grundrisse (i papërkthyer në shqip), dhe aty vërtet që borgjezinë e shpall si mihëse të varrit të vet, por jo në sensin poetik që paraqet Zaloshnja. Përkundrazi, Marksi i referohet borgjezisë në një sens të logjikshëm, si një klasë që pasi merr në duar frerët e pushtetit, kërkon të mos i lëshojë më ato, e këtu lind konflikti. Sa për sqarim të publikut, bash në kapitullin e parë të Manifestit, Marksi lë të kuptohet se revolucioni (fitorja e klasës së shtypur ndaj shtypësve) nuk është e vetmja alternativë. Ai sheh si alternativë B rrënimin e të dyja klasave dhe shembjen superstrukturore, rënien në dekadencë, në momentin që të dyja lodhen prej shmangies së konfliktit vital. Alternativa B, e cila sot po duket kaq pranë, me sa duket nuk është marrë parasysh nga Zaloshnja (siç nuk është marrë parasysh edhe nga shumë studiues që Marksin e kanë lexuar prej burimeve të akademisë së luftës së ftohtë). Më pas Zaloshnja vazhdon:
Siç tregoi historia, ky parashikim i Marksit doli i gabuar. Kapitalistët, ku më shpejt e ku më vonë, e kuptuan se shfrytëzimi maksimal i punëtorëve, ndërkohë që ishte i frytshëm në afate të shkurtra, mund të kthehej në një mekanizëm vetëshkatërrues në afate të gjata.
Historia në fakt ka treguar se parashikimi i Marksit ka qenë i qëlluar. Shembja e atyre sistemeve ku pushteti ishte i koaguluar në fare pak duar byroistësh e aristokracie të kuqe ishte një provë e afërt historike që vërteton teorinë e konfliktit. Ato sisteme u rrëzuan për shkak të padrejtësive apo pabarazisë që prodhuan, u shembën pikërisht sepse pushteti kërkohej nga të papushtetshmit. Në një sens pervers, edhe pse rrëzimet e sistemeve totalitare u morën përsipër nga forca “të djathta”, ato u ngritën mbi supet e proletarëve. Më pas Zaloshnja nis një paraqitje historike të “ndërgjegjësimit” të kapitalistit, për të mbrojtur kështu tezën e vet në mbështetje të programit të PS”
Si rezultat i këtij ndërgjegjësimi, kapitalistët në vendet e industrializuara u bënë gjithnjë e më të përgjegjshëm për mirëqënien e punëtorëve, si dhe më mikpritës ndaj kërkesave të sindikatave dhe partive politike të afërta me to. Ky evolucion i mënyrës se si ata e trajtuan klasën puntore ka bërë që sot, një shekull e gjysëm pasi u propozua nga Marksi, revolucioni komunist të futet përfundimisht në qivurin e historisë në këto vende.
Por jo në vende të tjera. Në Amerikën Jugore dhe Azinë Juglindore ka grupe që teorinë marksiste të revolucionit, të modifikuar në shekullin e 20-të nga Lenini dhe Mao, ende e konsiderojnë si biblën e tyre. Dhe këto grupe kanë mbështetje jo të paktë nga shtresat e varfëra, të cilat vazhdojnë të varfërohen nga shfrytëzimi makut i shtresave të pasura.
Më gjerë në botë, rreziku i virusit komunist, sado i vogël sot për sot, mbetet gjithnjë ekzistent në ato vende ku shtresat e pasura nuk kanë nxënë nga eksperienca e vendeve të zhvilluara. Fatkeqsisht, në këtë grup vendesh, futet edhe Shqipëria.
Që në momentin që një teori filozofike, e ndërtuar mbi predikate logjike, paraqitet si virus – diçka nuk është në rregull. Së fundmi, ajo që paraqet Zaloshnja e bën të duket programin e PS si një makiazh për shtypjen, apo si përzierje e farmakut vdekjeprurës me pak limonatë, që të jetë më i ëmbël. Ai thotë se taksat progresive duhen pranuar prej kapitalistëve, se vetëm kështu ata i sigurojnë jetëgjatësi vetvetes dhe sistemit të tyre që u garanton favoret. Ai nuk shqetësohet t’i shpjegojë asgjë punëtorëve, të papunëve, studentëve, pleqve, të sëmurëve, të varfërve, të pastrehëve, nomadëve, të përjashtuarve etj. Jo se këta janë pak, në fakt këta janë shumë më shumë se ç’mund të jenë kapitalistët. Mirëpo Zaloshnja është i ndërgjegjshëm se për ta lexuar, e lexojnë më shumë prej këtyre të fundit.
Shkrime të tilla duket se më shumë i bëjnë reklamë një lloji të ri të kapitalistit, shembulli më përfaqësues i të cilëve është George Soros. Të gjithë e dinë aktivitetin publik të këtij filantropi që është bërë i pasur përmes spekullimeve financiare. Gjysmën e kohës së tij Soros e kalon dukë shkatërruar ekonomi të vendeve ku mundet të spekullojë, gjysmën tjetër, duke bërë bamirësi. Në periudhën e kafesë së dekafeinuar, të ëmbëlsirës “sugar-free” dhe të vajit “pa yndyrë”, ky lloj kapitalisti është një lloj “shfrytëzuesi human”. Mirëpo ky lloj i kapitalistit nuk është ndonjë fenomen “brand neë”. Në fakt, ky lloj i kapitalistit është një fenomen që tashmë i përket periudhës së parakrizës globale. E kësaj periudhe besoj se shumëkush është në gjendje që t’ia bëjë kritikën, në mënyrë që të nxirren mësime prej saj.
Programi i PS në radhë të parë duhet të justifikohet para masave, para grupeve që po vjelin veç vuajtje prej shoqërisë sonë. Nuk duhen bindur ata që sot jetojnë mirë, e që nesër gjithsesi do jetojnë mirë. Duhen bindur ata që stërmundohen për copën e bukës, e atyre nuk bën t’u flasim për lëmoshë. Programi i PS duhet të synojë drejtësinë sociale, a sëpaku uljen e pabarazisë. E kjo nënkupton që të jetë në favor të të diskriminuarve. T’u shpjegohet ky program të pasurve, a thua se po shqetësohemi shumë se mos mërziten, nënkupton një lloj sinqeriteti të pavlerësueshëm në këtë moment historik të zhvillimit social e ekonomik të vendit e popullit tonë.













Marksi eshte aktual gjithkah sot. Por, tragjedia qendron nga distancimi i tij. Shqiperia qendron pak me mire ne raport me te por tragjedia eshte ne Kosove ku emri i tij edhe ne raport historik permendet me gjysmegoje dhe vlere llogaritet mosnjohja e tij. Eshte tabu. Eshte si te thuash ‘djalli’ vete. Madje te thuash ‘kjo eshte pikepamje marksiste’ llogaritet argument i forte dhe debati nuk ka pse vazhdon. Eshte krejt jonormale, e papranueshme as e imagjinueshme te pranosh ‘po, po une jam marksiste’. Eshte etiketa me e keqe qe mund te te vene ‘lere se ka shkollen e marksit ai”Dmth, mire qe ne Tirane te pakten lakohet emri i tij ketu edhe perkrahesit e pakte te tij, nuk guxojne t’i permendin emrin por vetem te flasin me ideologjine e tij.
Te siguroj qe ne Tirane eshte me keq. Nga keto ane, antikomunizmi eshte ideologjia zyrtare e borgjezise sone gjysmake, e afte per te perdorur Marksin si “dordolec” per te sulmuar te gjithe kritiket e sistemit. Ketej do ishte e papranueshme qe nje intelektual neomarksist si Zizek te vinte e te mbante nje konference, dicka qe ne Prishtine eshte shume komune!
Jam i mendimit qe referimet ndaj nje vepre po aq kontradiktore sa gjeniale si “Grundrisse der Kritik der politischen Oekonomie (1857-1858)” te Marx-it duhen pare ne lidhje me “Das Kapital”. Duke qene se “Grundrisse” jane elaborati fillestar i analizave teorike qe gjenden tek vellimi i pare i “Das Kapital” (duke perfshire edhe pjese nga i dyti apo i treti, sidomos persa i perket reflektimeve rreth “ligjit se tendences ne renie te normes se fitimit”) qe Marx-i braktisi per “versionin definitiv” te vitit 1867. Nuk po them qe duhet te braktisim Grundrisse por thjesht qe duhet ta shohim ne lidhje me Das Kapital-in. Vete forma e ekspozimit (Darstellung) qe permbajne Grundrisse nuk e lejon te konsiderohet nje tekst i pavarur, edhe pse permban disa intuita teorike gjeniale si “Fragmenti mbi menyren e prodhimit para-kapitalist” apo i famshmi “Fragment mbi makinat” qe permban paradigmen e “Intelektit te pergjithshem” (General Intellect).
Oligarkët nuk kanë hall sot për sot mër jahu, por nji ditë do ti vijë laku në fyt se mjerimi dikur e çan gardhin ku e kanë futë!!!
Kurse idiotët si puna e Zaloshnjës që nuk shofin traun por shofin qimen na kan ndriçu deri ktu ku jemi…
E mër shoku, po nuk u kriju nji parti e majt vendin veç fashistat do ta marrin, me Sali e me Spahi e me Top e me Ramë që është dele, dele 2 metroshe po dele…