Një universitet në shërbim të shërbyesve

06/06/2011

Një  universitet në shërbim të shërbyesve

Boiken Abazi

Me pak rrëmujë të gjithë zënë vendet e tyre në sallë dhe qëndrojnë të ulur. Në çast heshtin kur në hyrje shfaqen katër flamuj mbi kokat e katër djemve të veshur në uniformë ushtarake, studentë ushtarakë të një vendi pa ushtri. Me kokën lart, me sy të ngulitur përpara në zbrazëti, pa lëvizur asnjë muskul të fytyrës, ata i mbajnë flamujt mbi shtizat e mbështetura në supe. Të katër ecin me marsh ushtarak mes një publiku gjysëm të mahnitur. Në sallë dëgjohen vetëm përplasje të koordinuara çizmesh ushtari dhe thirrje të forta urdhërash: “n’djatht”, “marsh”, “ndal!” … Katër studentët ushtarakë të vendit pa ushtri marshojnë mespërmes sallës me një disiplinë të përsosur drejt podiumit, ku vendosin dhe katër flamujt. Siç u takon ushtarëve, pa menduar, ata ndjekin me rigorozitet skenarin që dikush tjetër u kishte caktuar. Largohen nga salla me po të njëjtën disiplinë, për t’ia lenë vendin hapjes së ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK). Podiumi i ceremonisë mban tashmë të ngritur lart flamurin e “Republikës” së Kosovës, e AUK-ut, e Institutit Roçester të Teknologjisë dhe e SHBA-ve.

Para studentëve të sapodiplomuar e merr fjalën Kryeministri i “Republikës” së Kosovës Hashim Thaçi, duke paraqitur në mënyrë të pavetëdijshme lakuriqësinë e shtetit pa pushtet. Me mburrje Thaçi flet për tri shtyllat që kanë vendosur hegjemoninë e huaj brenda këtij “shteti”. Së pari, Thaçi mburret për bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, ku qendrojnë forcat e armatosura që nuk komandohen prej qeverisë që ai drejton – Kosovës nuk i lejohet të ketë forcat e saj të armatosura – si për të na kujtuar që dominimi përmes forcave të armatosura ndërton shtyllën e parë mbështetëse për vendosjen e dominimit hegjemonik politik. Caktimi i Presidentit të Kosovës, Ahtifete Jahjaga, nga Ambasadori Dell tregon thjesht simptomat e këtij dominimi. Së dyti, Thaçi lëvdon “Bechtel – ENKA”, të njëjtën kompani amerikane që edhe në Republikën e Shqipërisë ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e rrugës së kombit. Të dyja këto kontrata përbëjnë investimin financiar publik më të madh të ndërmarrë ndonjëherë nga qeveritë e dy shteteve të të njëjtit komb. Të dyja këto kontrata janë lidhur pa tender të hapur, pa projekt të mirëfilltë, duke shkelur të gjitha procedurat, dhe duke e zhytur kombin shqiptar në një borxh që do t’i duhen breza për ta shlyer. E thënë shkurt, kjo kontratë ka ngritur mbi themele tepër të forta një tjetër shtyllë mbështetëse të hegjemonisë: dominimin ekonomik dhe moral. Me vetëkënaqësi, Thaçi jep lajmin se këtij universiteti privat do t’i falen këtë vit edhe prona publike nga shteti i Kosovës për të ndërtuar ambiente të reja, duke e zhveshur edhe me tej popullin nga ato pak prona të përbashkëta që i kanë mbetur. Në fund, ai përgëzon AUK-un si universitetin me standardet më të larta akademike të vendit, për ta mbështetur hegjemoninë përmes shtyllës jo më pak të nevojshme: dominimin intelektual.

Ky dominim intelektual duhet analizuar nga brenda. Degët e studimit në AUK janë: statistikë dhe ekonomi, menaxhim, politikat publike, media dhe komunikimi grafik dhe informatika. Të gjitha këto degë e marrin si të mirëqenë rendin socio-politik tashmë të vendosur përmes hegjemonisë. Në AUK nuk ka asnjë degë që zhvillon mendimin kritik përmes analizës shumëdimensionale mbi shoqërinë, siç mund të jetë filozofia, sociologjia, historia, etj. Tek e fundit, kjo mungesë është ideale, pasi tregut nuk i nevojitet mendimi kritik por thjesht ekspertët që zbatojnë mendimin ekonomiko-politik që hegjemonia e ka pjekur diku gjetkë por që tashmë është përbrendësuar edhe këtu nga elitat e shoqërisë së shtetit pa pushtet. Këtij rendi hegjemonik nuk i nevojiten mendimtarë por ushtarë (ekspertë), gati mercenarë, që u shërbejnë thjesht atyre që ofrojnë pagën më të lartë.

Studentët e AUK-ut që  mbajtën fjalime duket se janë formësuar brenda dominimit intelektual hegjemonik për të qenë shumë larg asaj rinie që lufton për ndryshimin e shoqërisë. Studenti më i dalluar mbajti një fjalim të gjatë për rëndësinë e miqësive të formuara gjatë orëve të kaluara në ambientet e universitetit, si dhe në udhëtimet dhe eskursionet me studentët e tjerë. Sakaq, studenti foli për përvojën akademike kalimthi duke iu referuar vetëm një debati për çështje globale që kishte ndodhur pas kursit të makro-ekonomisë, pa shpjeguar asgjë më tej. Ky lloj debati do duhej të ishtë përditshmëria e debatit akademik të një studenti që mëson mbi këto çështje dhe që debaton me pasion me shokë e shoqe për të mbrojtur pikëpamjet e veta, dhe jo evenimenti i rrallë që ndodh një herë në katër vjet dhe kujtohet me ngazëllim në ceremoninë e diplomimit. Ndërkohë, një tjetër studenti iu njoh kontributi si “Lider i Komunitetit”. Studenti “Lider” kishte grumbulluar dhe shitur rroba të vjetra për t’ia dhënë “të varfërve”, kishte organizuar vizita në jetimore, në azile pleqsh, dhe kishte organizuar plot minifushata të ndryshme bamirësie. Ky student ngjante më shumë me një Nënë Terezë të ardhshme sesa me një aktor të transformimit të realitetit që e rrethon. Me gjithë mirëkuptimin emocional për këto aktivitete vullnetare bamirësie, dukej sikur studenti i kishte dhënë vetes si detyrë mbushjen e të çarave të errëta që krijon hegjemonia, pa kuptuar se këto nuk janë të çara që mund të mbushen por humnera të vërteta që vazhdojnë e zgjerohen duke ndarë klasat dhe kategoritë shoqërore nga njëra-tjetra. Një gjë eshtë e sigurt, përveç formimit të miqësive të reja, studentët kishin mësuar tashmë të flisnin shumë mirë anglisht, por për këtë të fundit mund të kishin shpenzuar shumë më pak para. Pjesa më ironike për gjithë ato familje të shtresës së mesme që kanë marrë borxh për t’i arsimuar fëmijët e tyre nëpërmjet arsimit privat në AUK, është fakti që me nivelin stratosferik të papunësisë në Kosovë, dhe me krizën mbarëbotërore ekonomike, studentë të tillë mund të përfundojnë jo vetëm pa mendim kritik socio-politik por edhe të papunë.

Ngrihet pyetja se kush e drejton AUK-un dhe pse USAID dhe Ambasada e ShBA-ve në Kosovë shfaqen si partnerët kryesorë të këtij institucioni në faqen zyrtare të tij. Qeveria amerikane harxhon para të taksapaguesve amerikanë për të ndihmuar një institucion privat të një vendi tjetër? Dhe këtu le të mos ngatërrohemi, nuk janë të vetmit, sepse dy vjet pas themelimit të këtij universiteti njerëz si Behgjet Pacolli, presidenti multimilioner i kompanisë MABETEX, figuron gjithashtu si një prej financuesve kryesorë të AUK-ut. Një president kompanie që për disa ditë figuroi edhe si Presidenti i shtetit pa pushtet. Një nga ata që bëjnë pjesë në “elitën” shoqërore vendore të cilët hegjemoninë jo vetëm që e kanë brendësuar por edhe vazhdojnë të kontribuojnë në zgjerimin e saj. Po t’i kthehemi drejtimit të AUK-ut, si ka ndodhur që katër prej anëtarëve të sotëm të Bordit Ekzekutiv të këtij institucioni janë ish-funksionar të Departamentit të Shtetit Amerikan? Mbase lidhja logjike midis gjithë këtyre aktorëve mund të krijohet përmes një historiku të shkurtër të Institutit Roçester të Teknologjisë (RIT) në Nju Jork, institut ky që certifikon diplomat e degëve të AUK-ut – një zgjatim i RIT në Kosovë.

Sipas vetë historikut të faqes zyrtare të RIT, ky institucion ka nisur si një  shoqatë në fillim të shekullit të 19-të, e cila mori formën e një universiteti privat që lëshonte diploma të lidhura me fushat shkencore dhe teknologjike rreth 60 vjet më parë. Sot, RIT ofron rreth 200 programe të ndryshme studimore jo vetëm në ShBA por edhe në universitete të themeluar në Kroaci, Dubai, Republikën Domenikane, Turqi, etj. Gati të gjithë partnerët kryesorë jo-publik të këtij institucioni janë vetë aktorët e shtrirjes dhe zgjerimit të hegjemonisë në të gjithë globin. Partnerët e këtij “universiteti” janë kompani të përfshira në skandale korrupsioni qeveritar që nga Evropa deri në Azi si  “Lockheed Martin” dhe “United Technologies”. Për të mos folur për kompani si “Ernst & Young” që kanë kontribuar drejtpërsëdrejti në manipulimet financiare të bankave të investimit si “Lehmann Brothers”, e më pas edhe në krizën financiare që ndoqi falimentimin e këtyrë firmave. Po, RIT ka edhe partnerë më seriozë, por asnjë prej këtyre bashkëpunëtorëve të RIT nuk është aq i veçantë sa është Agjencia Qendrore Amerikane e Shërbimeve të Inteligjencës (CIA).

Në vitin 1991, RIT bëhet pjesë e një skandali që u mbulua gjerësisht nga mediat amerikane. Presidenti i universitetit, Z. Richard Rose, zbulohet të ketë punuar njëkohësisht në vitin 1991 edhe për programin e CIA-s për zhvillimin e strategjive arsimore për periudhën pas Luftës së Ftohtë. Më tej, mediat zbulojnë se bashkëpunimi midis CIA-s dhe këtij universiteti ishte formalizuar që në vitin 1985 nëpërmjet një memorandumi mirëkuptimi ku CIA do të financonte programe kërkimore brenda këtij universiteti duke bashkëfinancuar edhe rrogat për ata profesorë që përfshiheshin në studime me interes për CIA-n. Nëpërmjet këtij memorandumi punonjës të CIA-s fillojnë të ndjekin edhe kurse të veçanta kërkimore brenda RIT, si dhe ish-të punësuar në CIA emërohen si drejtues të disa prej programeve kërkimore të këtij universiteti. E gjithë kjo bëhet në fshehtësi si një marrëveshje midis disa prej drejtuesve më të lartë të universistetit dhe Evan Hineman, Zv. Drejtor i CIA-s për Shkencën dhe Teknologjinë. Marrëveshja garanton edhe investimin e mëtejshëm financiar të CIA-s për të dhënë fonde bazë për zhvillimin e programeve me interes, si dhe për të siguruar financim të mëtejshëm për këto programe studimore edhe nga kompani të mëdha që kanë një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë amerikane. Pasi plas skandali, Presidenti Rose detyrohet të jap dorëheqjen dhe shumë informacione fillojnë e bëhen për herë të parë publike nga gazetarë që e demaskojnë këtë bashkëpunim në gazeta si “Democrat & Chronicles”, “The New York Times”, “The Washington Post”, etj. Gazeta “Democrat & Chronicles” që e ka ndjekur këtë ngjarje në vazhdimësi, informon se ende sot vazhdojnë financimet e drejtpërdrejta të CIA – s në programet e RIT.

Fjalimet e tjera që u mbajtën në ceremoninë e diplomimit në AUK nga shërbyesit e Departamentit të Shtetit na treguan edhe një herë se si hegjemonia e shpërfill totalisht ekonominë dhe kulturat vendore. Duke perifrazuar, në këto fjalime, përfaqësues të RIT treguan përralla për mënyrën sesi AUK ka ofruar gjithnjë një nivel me standardet më të larta akademike duke bërë kujdes që kostot të jenë të “përballueshme” për “kombin e ri” të Kosovës. Çmimi 6,000 Euro për një vit akademik nuk është i përballueshëm as për shumë familje të shtresës së mesme në ShBA; ndërsa “kombi i ri” i Kosovës thjesht nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Kosova është një territor që banohet në shumicë dërmuese nga shqiptarët, një komb pjesëtarëve të së cilit i njihet edhe mesjeta edhe antikiteti. Në AUK, rreth 90% e studentëve i përkasin pikërisht këtij kombi. Më tej, fjalimet e shërbyesve e vunë theksin tek novacionet teknologjike si motorr i transformimit të shoqërisë, duke marrë si shembull përdorimin e teknologjisë së komunikimit gjatë protestave popullore në vendet Arabe. Kjo, duke harruar se revolucionet kanë ndodhur në Francë e në Amerikë edhe mbi 200 vjet më parë kur ende nuk ishte shpikur as telefoni. Për më shumë, në shpërfillje të plot ndaj kombit tonë, asnjë prej folësve nuk përmendi qoftë edhe një figurë të vetme shqiptare të mendimit dhe të shkencës, apo qoftë edhe të rezistencës së popullit tonë, në mungesë të të cilëve teknologjia nuk do të kishte asnjë mesazh për të përcjellur. Cilin mesazh do të kishte përcjell populli shqiptar nëpërmjet komunikimit teknologjik pa njerëz si Fan. S. Noli, Hasan Prishtina, Ali Kelmendi, Migjeni, Musine Kokalari, Qemal Stafa, Adem Jashari, Jashar Erebara, Ukshin Hoti, etj.

Cila është amerika për të  cilën flitet në AUK?

Ka një amerikë  të shërbimeve sekrete të inteligjencës, të hegjemonisë dhe skandaleve financiare, por ka dhe një amerikë që ka frymëzuar. Kjo është amerika e Martin Luther King Jr., Malcom X, William Edward Burghardt Du Bois, Jack London, Ernest Hemingway, Charles Wright Mills, Arthur Miller, Allen Ginsberg, William Seward Burroughs II, Bob Dylan, Emily Dickinson, T.S. Eliot, Edgar Allen Poe, e plot të tjerë. Studentja më e mire në AUK, në fakt citoi njërën prej këtyre figurave – Edgar Allen Poe – pa e ndjerë që vepra e tij nuk mund të qëndroje krah për krah me historikun e RIT, apo qoftë edhe me elozhin për “Bechtel-Enka”. Të veshur në unifrormë, duke ndjekur skenarin e menduar nga dikush tjetër, në fund studentët e AUK-ut tërhoqën atë ditë një nga një diplomat e shërbyesve të shërbyesve të asaj amerike me të cilën nuk krenohen as vetë universitetet amerikane.

20 lexues e pelqejne kete shkrim.

23 Responses to Një universitet në shërbim të shërbyesve

  1. Tonijon on 07/06/2011 at 02:32

    Shum i mir shkrimi. Qeveria Thaqi asht skandaloze.

  2. Alma on 07/06/2011 at 10:16

    Isha mjaft e impresionuar ne fillim, pasi qe 4 paragrafet e pare mjaft mire e pasqyrojne realitetin.
    Me pas, autori me duket se hyn ne varianta konspiracioniste, te cilet rrezikojne te tingellojne qesharake.
    Nuk po e lejoj pjesen tjeter te shkrimit te ndikoje gjykimin tim edhe per ato pjese me te cilat ishin afer me realitetin; as nuk do t’i mbaj inat autorit qe me dha “cognitive dissonance” per shkak se ndihem fajtore qe pajtohem me pjesen e pare, kur pjeses se dyte i mungojne vetem elementet “zioniste” dhe “masone”, per t’u kompletuar.
    Keshtu qe po fokusohem vetem ne fillim. Te lumte :)

  3. Adela on 07/06/2011 at 12:10

    Autori i ketij shkrimi e kritikon aq shum sistemin e shkollimit amerikan dhe perdor satire per te tallur sistemin qe universiteti amerikan e perdor. E per ju qe nuk e dini autori vete eshte i shkolluar ne Eastern Michigan University. Ateher po i bie qe edhe ky eshte i mbushur me ato lloj konsipracione qe vete i permend ne shkrimin e tije, pra si thoni ju si eshte puna e ketij Boikenit, konsipracionist i konspiracioneve apo thjesht nje kokebosh qe nuk din se qka shkruan!!!?

  4. nora on 07/06/2011 at 12:13

    Shume artikull i qelluar. Te lumte!

  5. Era on 07/06/2011 at 12:43

    Komentet e mehershme ishin shume te qelluara, prandaj nuk komentova me heret, por tash kur i pash se ‘dikush’ i kishte fshire atehere u detyrova qe te komentoj edhe une.

    Kjo le te kuptoje se edhe vete ata te cilet e kane publikuar kete artikull e kane cenuar lirine e te shprehurit te mendimit.

    Per mendimin tim vete arikulli eshte nje futje se koti por prap se prap e respektoj sepse eshte liria e shprehjes se mendimit, por ne te njejten menyre duhet te veproni edhe me komentuesit e juaj, e pranoj se disa ishin te teperta dhe vulgare sepse fyenin te tjerat mirepo disa nga to ishin shum kriktikuese dhe mendoj qe fshirja e ketrye komenteve eshte bere ne menyre shum tendencioze.

    Fshine edhe komentin tim tani. Mirepo mos harroni se po e cenoni lirine e shprehjes se mendimit.

    • Admin on 07/06/2011 at 13:34

      Era, kritika ka disa standarde qe duhen permbushur. Sharjet dhe ofendimet i permbysin ato standarde.

      “Per mendimin tim vete arikulli eshte nje futje se koti… ” – kjo pershembull nuk i permbush standardet per t’u quajtur kritike.

      Cdo nderhyrje e nivelit te tille eshte e perbuzshme, pavaresisht se e kuptoj pasionin e studenteve per te mbrojtur “shkollen” e tyre.

      Liria e shprehjes ka limitet e veta.

  6. Klora on 07/06/2011 at 12:54

    Adela: Bie pak ne kontradite me veten dhe nuk e di nese eshte per aresye emocionale pas shkrimit apo si? Gjithsesi, mua nuk m’u duk sikur ai ne cfaredo momenti kritikoi ne ndonje menyre sistemin amerikan te shkollimit. E dyta, sic e the dhe vete ai s’ka se si t’a kritikoje pasi eshte vete nxenes i asaj shkolle. Dhe sic t’a thote ne fund Amerika eshte me shume se sa CIA dhe RIT. Shiko emrat e medhenj qe permend per te pare qe ai jo vetem qe nuk e kritikon por e adhuron lirine e fjales dhe mendimit qe te lejon jeta ne amerike. Nderkohe, persa i perket konspiracioneve, doja te dija nese ti ke prova qe hedhin poshte “konsipiracionin” e tij? Nese po, atehere fol me fakte. Nese jo, te pakten mos fyej! Mjafton vetem nje kerkim ne google e dashur Adele per te pare nese ky Boikeni ja fut kot apo plot: shiko kete faqe sa per te shuar kureshtjen: http://www.cia-on-campus.org/rit.edu/rit.html.
    Boiken, sikur ky artikull te pakten te ngacmonte kureshtjen dhe mendimin kritik te 1% te lexusve, mendoj se ti ja ke arritur qellimit. Uroj qe llogjiken dhe mendimin kritik keta nxenes te AUK-se, t’a kene mesuar sado pak, sic ke bere ti ne shkollen amerikane qe t’a ka “zbuluar” Adela… Gjithsesi, pergezime per shkrimin Boiken. Shqipetaret duhen te behen te pergjegjshem dhe te vendosin vete fatin e tyre ashtu si amerika etj si kjo!

  7. Genius on 07/06/2011 at 16:47

    Ato teoritë konsiprative psh, janë bumerang në këtë artikull. Nëse RIT është një universitet që tërheq vëmendjen e CIA-s, atëherë kjo tregon kualitet dhe është një arsye më shumë për të vijuar studimet atje.

    Kontributi i AUK në anën tjetër, nuk mund të gjykohet nga fjalimi i kryeministrit, as nga bordi drejtues, e sidomos jo të përlyhet iniciativa e një shpirti human si ajo e studentit “Lider” dhe të vendoset në faturën e gabuar.

    Kontributin e AUK duhet matur me studentët që punësohen gjatë studimeve dhe fillojnë ta kthejnë investimin prej 6000 eurosh në vit. AUK po nxjerr njerëz të aftë për punë – Punë të zakonshme të viteve 2000+

    Nuk kemi të drejtë të presim që AUK të nxjerr njerëz inteligjentë, reformistë, udhëheqës, patriotë… sepse këto janë atribute personale – atribute për të cilat nuk mban përgjegjësi klasa që të mëson si komunikohet në biznes, si të komunikohet me publikun, si të procesohen statistikat, si funksionon teknologjia sot…

    Ne shqiptarët jemi pikë e pesë të përçarë. Nëse tani fillojmë të diskreditohemi edhe në bazë të shkollimit që po marrim e të thirremi në teori konspirative, do të bënim shumë të lumtur armiqtë e vërtetë :)

    • Labi on 07/06/2011 at 17:30

      Te lumte genius, sidomos ate studentin per veprimtarite e tij/saj duhet ta vleresojme dhe ti nxisim edhe te tjeret, e jo te demotivojme te tjeret me keso shkrime koti.

  8. Labi on 07/06/2011 at 17:26

    Personalisht ja kisha ndalu autorit me jetu ne kete ‘shtet’ kur nuk po e njef si shtet. Se dyti po shihet se ka inate personale me studentet e atij universiteti amirikan, edhe krejt ne fund po i doket vetja shume i menqur, po per mendimin tim shum ma pak se ZERO koka. (Ju lutem mos i fshini komentet)

  9. hoxha on 07/06/2011 at 21:26

    pershendetje zoteri

    juve zoteri konkuruat per tu punesuar ne AUK e nuk i plotesuat kushtet sepse diplomen e juaj nuk ua pranuan edhe tani i kundervihesh
    zoteri keto gjenerata te AUKut jane e ardhemja e kosoves dhe krenohemi me ta

    provoje heren tjeter ndoshta ta bejne ndonje vend pune

    tung

    • Admin on 07/06/2011 at 22:31

      I ke te dhenat e gabuara.

      Autori (qe nuk jam une, sepse une jetoj e punoj ne Tirane), nuk ka konkuruar kurre te AUK.

      Nje “mbrojtje e tille”, si kjo qe po beni ju, e komentues me siper, nuk i ben nder as AUK, as personave te lidhur me AUK.

      Por, sic e thote artikulli, atje formohen skllever. E nga sklleverit, s’pritet diskutim me i mire.

    • hoxha on 08/06/2011 at 16:04

      Pershendetje edhe njeher

      Zoteri me falni une njihem me autorin andaj thashe se ka konkuruar por fatkeqsishte qe ai nuk i ploteson kushtet ska kurfar pergaditje qe ju pergjigjet kritereve te atij univerziteti

      me nderime nga hoxha

  10. studente on 08/06/2011 at 00:05

    Personalisht mendoj se AUK eshte njeri nder universitetet i cili eshte i vetmi ne vend qe eshte korrekt pasi qe Kosova njihet per “intervencat” e cfaredollojshme ne cdo institucion cofte publik apo privat. Per te pranuar ne AUK kriteret jane te pranueshme per nje vend si Kosova, gje qe e motivon rinine kosovare per tu angazhuar dhe me shume ne mesimin e gjuhes angleze, pasi qe dihet qe ne cdo vend te botes nese nuk ke njohuri te gjuhes angleze, ne nje menyre “humbesh.”

    Sa per cmimin e AUK, cdo cent i dhene ja vlen pasi qe AUK te jep njohurite per gjendjen aktuale ne Kosove dhe menyrat se si “ato” te trajtohen(varesisht prej deges se zgjedhur) qe cdo universitetit tjeter ne Kosove i mungon, dhe poashtu te jep shume mundesi punesimi pergjat viteve akademike kur nje student vijon AUK-un dhe poashtu edhe pas perfundimit te studimeve.

    Me vjen keq qe mendimi per “amerikanet” gjeneralizohet dhe “keqkuptohet” ne institucione te tilla, pasi qe AUK eshte i vetmi universitet amerikan ne Kosove pike se pari, dhe se dyti shumica mundoheni qe te hudhni poshte mundin e dikujt per te kontribuar ne avancimin e edukimit ne Kosove, per te sjellur mundesi te shumta dhe per te na hapur rruge te shumta me boten e jashtme, gje qe Kosoves i mungon cdo dite e me shume.

    Ju kisha lutur qe mendimet kritike te jene te tilla, e jo ti quash studentet e AUKut “skllever” pasi qe rinia eshte e ardhmja e Kosoves dhe ajo do ta coje Kosoven perpara. Nje gje duhet kuptuar se do te perparojme duke pranuar kritika dobiprurese e jo te marrin personalisht cdo aktivitet qe behet nga AMERIKANET apo cdo kush tjeter.

  11. Dora on 08/06/2011 at 01:32

    “Në AUK nuk ka asnjë degë që zhvillon mendimin kritik përmes analizës shumëdimensionale mbi shoqërinë, siç mund të jetë filozofia, sociologjia, historia, etj.”
    atehere nese universiteti eshte me profil teknik si po formon skllever dhe ku qendron hegjemonia?! Kjo e fundit nuk mund te leshohet si term pa shpjeguar. Hegjemonia sipas A. Gramshit eshte dominim politik, ekonomik dhe social, por eshte e paqarte se si nje universitet teknik mund te vendosi kete hegjemoni qe aludohet ne kete artikull. Edhe sikur universtiteti te kish baze shkencat sociale dhe humanities argumenti i hegjemonise le per te deshiruar.

  12. zana on 08/06/2011 at 09:34

    Sigurisht, qe 90% do ta perkrahnin shkrimin por nuk po e kutpj si te pakten nje student i AUK it nuk doli ta pranoje se kjo eshte krejt e vertete.
    LExova te gjitha komentet por nuk pashe asnje kunderaargument.
    Sigurisht duhet te jete e dhimbshme per dike qe i ka dhen te pakten 24 mije euro ta pranoje se ne fund ka dal nje i diplomuar qe s’di te mendoje me mendje te vet.
    As afer ntelektualit nuk mund te jete.
    personalisht, njoh te pakten 40 studente dhe te diplomuar nga AUK-i, besomeni as idene nuk e kane me realitetin ne Kosove. Ata ndjehen nje lloj amerikanesh te nje tipi qe as vete amerikanet nuk jane.
    Eshet me te ardhe keq qysh nje shkrim i tile behet kaq vone. Ka qene shume i nevojshem. Shpresoj shume se e kane lexu te gjithe studentet e AUK-it. Sidomos nese nuk kane diplomu hala

    • AUK student on 08/06/2011 at 17:00

      Nuk e di qka te ben te mendosh qe ni student i AUK-it qe hala nuk ka diplomu kish me ndrru mendim per universitetin ku studion. Duhesh me dit qe asnje student i AUK nuk pajtohet me kete artikull sepse te gjithe ata studenta qe tashme jane ne AUK jane me se te kenaqur me standardin dhe njohurite qe ju ipen ne AUK. Nuk e di se ca eshte problemi me ju qe po jeni kaq kunder AUK? A nuk keni pas mundsi me u regjistru ne mungese te dijes apo ndoshta edhe ne mungese te kushteve ekonomike? Sepse e di se po ti kishit keto te dyjat aty do ishit.

  13. Potemkin on 08/06/2011 at 11:46

    Po komentoj dhe un, megjithese nuk jam student i AUK bilè asqe e njihja ekzistencen e tij. Bazohem vetem ne ato qe kam pare e lexuar rreth shtetit te frikshem Amerikan. Komentet e mesiperme, ato qe shkruajne “shkrim koti” nuk pijne uje sepse nuk argumentojne ndo1gje. Une i besoj me shume teorive te ashtequajtura “konspirative” qe per mua jane njera ane. Tjetra eshte e kunderta e tyre (qe i rrezon atò). Duke pare e lexuar qe shume nga kreret e shtetit amerikan, presidentet psh, dalin nga shkolla te tipit “skulls & bones”, nje sekt shume mistik qe nxjerr “koka”, apo presidenti Obama qe e ka mbushur kabinetin me “Wall Street”-sa dhe ish “Wall Street”-sa dhe qe ne ate vend e ben “ligjin” Federal Bank! U permendem ne nje koment “ne si shqipetare jemi te percare”. Po kemi dhe anen tjt, ne rralle perpiqemi ti kritikojme ato qe na ofron (ose na i jep me pahir) perëndimi, i marrim gjithmone si te “mira”. Boikeni eshte perpjekur te shfaqe mendimin e tij kritik, nuk e di po un i besoj me shume shkrimit te tij sesa komenteve “kot na si koti”!

    • Elsa on 08/06/2011 at 13:06

      te lumt goja Potemkin, i the te gjitha qe i kisha per te thene

  14. AUK student on 08/06/2011 at 12:47

    Po me vjen shum keq qe njerezit kane krijuar kesi mendime per AUK. Shihet se shumica prej juve qe jeni pajtuar me shkrimin e Boikenit nuk keni pasur rastin te njihni ose te bisedoni shtruar per tema te ndryshme me student te AUK. Fakti qe studentja me e dalluar ka permendur vetem nje debat nuk do te thote qe debate te tjera nuk jane zhvilluar ne mes te studenteve. Gjithashtu shihet qe ka njerez qe kane probleme me pranimin e faktit qe AUK per momentin eshte universiteti me standardet me te larta ne Kosove nga ana e edukimit. Fakti qe ne klasa nuk ka me shume se 25 nxenes do te thote se nxenesit kane mundesin te marrin te gjitha njohurit e duhura per drejtimin qe kane zgjedhur ne kundershtim me UP ku ne nje amfiteater behen me shume se 100 nxenes dhe pikerisht aty nxenesit nuk e kane mundesine te zhvillojne mendimin kritik. Gjithashtu ne AUK te gjitha temat qe mesohen jane ne hap me kohen, tema qe pastaj diskutohen ne mes studentave dhe profesorave, perkunder UP-se ku nxenesat detyrohen te shtjellojne tema qe nuk kane te bejne me kohen kur po jetojme dhe asnjehere nuk kane mundesi te diskutojne me profesoret e tyre lidhur me keto tema. Tjetra eshte qe nuk e di si ka njerez qe mund te pajtohen me kete shkrim ku vete autori nuk e njeh Kosoven si shtet, nuk e di ca mund te pritet me shum prej tij.

  15. niki on 08/06/2011 at 14:56

    Edhe pse eshte mendimi personal i autorit, une serish do ta kisha ftuar autorin qe para se te publikoj gjera te tilla qe ne njefar menyre ofendon kontributin e shtetit amerikan ne Kosove dhe perpjekjet e tyre per te avansuar nivelin e edukimit ne Kosove, te vije dhe te shoh se si rrjedhin gjerat. materialet bashkekohre te ligjerimit, analizat, hulumtimet, profesoret, studentet dhe shume elemente te tjera qe e bejne ket universitet 100 nivele me te larte se te tjeret. Nese je student i dalluar mundesit jane te 100 qe te fitosh bursen, dhe punen dhe do ti fitosh jo 6000 euro, por edhe me shum. Po c’ndodh me Universitet tjera dhe me studentet e dalluar te tyre? Si pranohen studentet atje? Analizo edhe ket ane paksa, sepse analiza do te ishte me e spikatur nga te dy anet e kendveshtrimit tuatj, z.Abazi.

  16. AUK student2 on 08/06/2011 at 16:12

    Nje, te kishe kry shkollimin ne AUK, motiiiii ma mire kishe shkrujt.
    Dy, shume qarte po shihet qe ke dicka personale me stafin edhe studentat e AUK-ut.
    Tre, mendim kritik nuk munet me bo cdo student dhe ketu s’eshte faji i univeristetit.
    Kater, vetem pse disa student te AUK-ut paraqiten si snob ne kete shoqeri, nuk do te thot qe jane injorant dhe nuk i kane dy lidhje me kry.
    Pese, vet fakti qe studentit i lejohet me marr 2 drejtime dhe 1 nendrejtim tregon qe qellimi i ketij universiteti eshte t’i aftesoj studentat ne me teper se 1 sfere profesionale, qe ne nje te ardhme… ai/ajo student/e kur nderron vend pune te mos kete probleme adaptimi dhe gjindshmerie.
    Gjashte, AUK-u eshte universitet modern, me nje sistem cilesor edukimi i cili as nuk duhet te kontestohet, po i cili duhet mu marr shembull nga universitetet tjera.
    Shtate, sa i perket RIT-s dhe CIA-s…shume tragjikisht e ki pershkru bre vlla.
    Tete, nuk duheni mu ndi te kercenuar nga kualiteti i studenteve, fundi fundit ata jane student shqiptare te cilet perdorin njohurit e veta per t’i kontribuar ketij SHTETI.
    Nente, sa i perket cmimit, eshte pak shtrejt per standardin tone, po anen tjeter ja vlen, se secili student mundohet me mesu e me perparu qe mos mi shku huq 6000 euro.
    Dhjete, zakonisht studentat e AUK-ut kane perparsi punesimi. Po tash secili student nashta ska te njofshem edhe fat mu punesu, po kjo nuk do te thot qe ne te ardhmen nuk punesohet. Edhe fundi fundit…AUK-u nuk munet ketu juve me ju qel vende pune…Kosova me qeverine dhe bizneset e saj jane te obliguar me na ofru mundesi punsimi.

    • Student on 02/01/2012 at 18:34

      Paj, ti qenke ne AUK, e po shkruan shume keq. Krejt cka po lexoj ketu jane nji sere spekulimesh, fjali te ngjyrosuna me arrogance t’pacipt nga ti, me plot gabime gjuhesore. Ti po flet per klase shoqenore shoq, e jo shkolle e shkollim.

      P.S. Mesohu me shkruajt ne gjuhen ame, parasegjithash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

June 2011
M T W T F S S
« May   Jul »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930