Të arratisur për 25 mijë km
Grupi i studentëve shqiptarë që do të niseshin për udhëtimin rreth Europës për 30 ditë, karakterizohej në thelb nga mendimi se ky udhëtim nuk do të kryhej asnjëherë. Fytyrat më së shumti të stresuara para policit italian linin shijen e dyshimit se vizat nuk ishin në rregull.
Në fakt ne, nuk jemi në rregull nga trutë e kokës. Izolimi sa antik aq dhe i papërcaktueshëm në kohë sa historia e shqiptarit, na ka bërë të dyshojmë në çdo moment për çdo gjë që ka të bëjë me ne (sidomos kur jemi për rrugë). Izolimi i gjatë ka krijuar krijesa që lidhin solidaritet me persekutuesin e tyre, meqënëse përsekutuesi është i pari kompetent që na zë rrugen. Polici arrogant nuk vihet në dyshim, as për shaka. Në dyshim të dyfishtë jemi gjithmonë vetë.
30 ditët e udhëtimit rreth Europës filluan vetëm pas këmbënguljes heroike të një organizatë gjermane, që insistoi aq shumë, po aq shmë, sa me të njëjtin vullnet do të kish’ mundësuar vetë tërheqjen e trupave gjermane nga Iraku. “Ishte më e neguciueshme sesa vizat tuaja”- fjalë të thëna nga drejtoresha e programit në vitin e parë të vizitës në Berlin, këtu e katër vjet më parë. Sa mirë. Unë u ndjeva fajtor për lodhjen dhe i fajësueshëm për një krim që akoma s’po di ta përcaktoj. Ndoshta edhe kjo s’mjafton. Ndoshta del një polic dhe ta pret rrugën edhe kur ke vizë.
Po vërtetë, cila është arsyeja që një njeri me të gjitha kartat në rregull si unë të mos mund të niset sa herë të dojë drejt destinacionit që mendon njeriu si unë, i arsyeshëm dhe pa asnjë arsye të paramenduar? Cila në fakt do të ishte aryeja dhe nëse do të isha i dënuar më parë por do të kisha shlyer dënimin tim (se përndryshe do të isha akoma në një qeli tjetër) për aq kohë sa do të ma kish përcaktuar kodi i famshëm penal? A nuk është e drejta penale një formë për të më kthyer me të drejta të barabarta mes qytetarëve të barabartë para ligjit? Është një formë për të më rehabilituar kodi penal apo është thjesht një shfryrje sadike ndaj një personi që ka vepruar në kundërshtim me disa rregulla të para-akorduara? Në fakt pse e drejta ime për të lëvizur më dhunohet pa asnjë arsye konkrete? Ja e shoh veten si të dënuar dhe gjej arsye për t’u justifikuar. Pse liria e fjalës më mbrohet më shumë sesa liria për të lëvizur i lirë? Apo nuk e kam provuar asnjeherë të flas aq shumë sa të më vihet kufiri diku afër ndonjë aeroporti apo kufiri tjetër imagjinar.
Ndjeva simpati për një burrë që sapo kalova kufirin e policisë kufitare kërkoi të rrëmonte në plaçkat e mia të udhëtimit. Nga toni i zërit ai dinte se çfarë kërkonte. Dhe unë jam kurioz të di se ç’ka në xhepat tuaj zotëri – i thashë. Mundet që në emër të kësaj vetie njerëzore të shkëmbejmë veshjet dhe të kërkojmë me nge se mos gjejmë ndonjë gjë që do të na vlejë. Ky burrë u çudit dhe më pyeti se për ku isha nisur. Çudi se ish’ e njëjta pyetje që do të bëja dhe unë i thashë. Jemi të ndryshëm por na interesojnë njëlloj punët e të tjerëve. Zyrtari nuk dukej njeri me sens të fortë humori.
Përgjigju! – ma ktheu.
S’e di nëse ka ende gjë që ju europianët s’dini për ne – i thashë. Shteti im sapo ju përgjigj 2300 pyetjeve të para. Pastaj dhe 240 pyetjeve shtesë. Besoj se aty po flitej dhe për ngjyrën e ndërresave të mia.
Persekutuesi im ishte burrë me mend dhe me kohë të mjaftueshme në dispozicion. Unë isha i fundit i grupit. Ai pas meje kishte në radhë disa qytetarë danezë të cilët thjesht u salutuan me përzemërsi dhe kaluan duke parë nga mbathjet e mia të sapo blera tek tregu Çom. Vështirë të mos ketë patur pyetjen për tregun e famshëm Çom. Çomët blejnë diku markat fallco që më pas ti rishesin tek tregu i tyre çom pranë Postë Telegrafit (racizëm i pastër ky paragraf se në atë treg shesin tregtarë nga çdo krahinë e Shqipërisë).
Libri i fotokopjuar (në shkelje me të drejtën e autorit) mbi të drejtën zakonore franceze duket se më dha sharmin e intelektualit në sytë e gërmuesit të plaçkave ndaj dhe procesit të inspektimit i erdhi fundi. Unë mblodha rrobat dhe pa kujdes i futa në çantë. Pashë një çast nga grupi që po lutej me sy që ta mbyllja komedinë ku në fakt unë isha personazhi negativ, i gjendur aty me leje të përkohshme thjesht për t’u bërë qesharak me hutimin tim.
“Rrugë të mbarë o udhëtarë me leje më të shkurtra se sa ua donte dëshira juaj! O ju që po i shtrini këmbët jashtë jorganit”. Batutë idiote në kët’ natë verë plot vapë dhe natyrë që djersit ngado. Nuk ishte më vend, por sidoqoftë, çdo polic kufiri mund të na ndalte deri në Berlin. Më mirë t’i isha përgjigjur çdo pyetjeje, kështu do të dija se çfarë do më pyeste çdo autoritet rrugës. Se vështirësia e vërtetë nuk është që të kesh vizë; vështirësia është të bindësh veten se je në rregull.
Lager
Në lager më së shumti njerëzit futeshin për atë që ishin dhe jo për atë që bënin. Ishe çifut, futeshe në rrethimin nga ku dhe nuk dilje më me formën që ishe futur (gjithmonë nëse ishe çifut). Pa marrë parasysh këtë fazë të fundit të transformimit në sapun, proçesi dhe mënyra e të menduarit është njëlloj. Sigurisht më e sofistikuar. Po në disa raste e pakërcyeshme. Je shqiptar, nuk ke të drejtë të lëvizesh. Stad i pakapërcyeshëm me ndonjë mënyrë të sjelluri. Sanguinis causa, arsyeja që rrjedh nga origjina jote e afërme. Nga matrikulimi yt fillestar. Veprime që në asnjë formë nuk i ndërron dot me vullnet, i mirë apo i keq ky vullnet.
Grekët e lashtë i përcaktonin të huajt si barbarë. Të gjithë të huajt ishin barbarë sepse belbëzonin një gjuhë që nuk ishte greqishtja. Në rast se do të flisnin greqisht e kalonin stadin e tyre të belbëzuesit. Po në rast se je çifut s’mund të jesh kurrë një i krishterë i mirë. Me këtë shprehje rezulton racizmi në modelin e vet të parë. Një çifut mund të sillej si të donte por për jezuitin spanjoll ai ishte i parekuperueshëm.
Një shqiptar mund të dijë edhe greqishten e lashtë por për arsye që s’varen nga ai, do të rreshtohet në rradhë për vizë. Mund t’i refuzohet viza, liria për të udhëtuar dhe askush nga 300 milion europianët nuk do ti shpjegojë asgjë. Nuk ka keqardhje për keqtrajtimin. Por nga ana tjetër do të këtë simpati pa fund për persekutuesin. E kemi fajin vetë: e vonuam pyetësorin për BE-në. Partitë tona politike e kanë fajin.
…
Bindjen se isha në rregull me dokumentat unë personalisht s’e pata asnjëherë. Çdo herë që kalova pasaportën në duar policësh ndjeva frikë. Ashtu i trembur zbrita në Durrës. Ngadalësia e policit shqiptar më bëri të mendoja që diçka mungonte pashaportës time. Në djall, këtu mundem edhe ta korruptoj – thashë për t’i dhënë zemër vetes, duke kuptuar njëkohësisht se frika më kish’ bërë të aftë për të mos e merituar me vizën time. Absurde po ta mendosh hollë hollë.
P.s
Sa për sqarim polici qeshi.
Paske vetëm tre ditë vizë – më tha.
Edhe? – i thashë.
Asgjë – tha, – pse nuk e shfrytëzove deri në fund.
S’dija çfarë t’i thoja.
E mer ti, se është si ty ky – tha një polic tjetër. – Ky merr vizë sa herë t’i dojë qejfi se është gazetar.
Qesha dhe mendova që ishte shumë absurde po ta mendoje hollë hollë.
kananaj













Ando, e ke qare!!!
Me ka pelqyer shume ky shkrim. Para pak kohesh qe kam pasur nje eksperience te ngjashme.
Urime per shkrimin…
Ben njeriu i shkrete nje mal me letra gati per te kaluar nje jave ne Spanje.
Skenari.
1-Pergatit letrat.
2-le daten e intervistes ne ambasade(zakonisht ta lene pas nje muaji nga telefonata)
3-Gjate tere atij muaji mendon me vete te gjesh ndonej arsye qe mund te te refuzjone VIZEN, ate vize qe po e pret me padurim te shpetosh nga pislleku dhe te besh pushime si evropian.
4-Kur e merr vizen , gezon aq shume sa harron qe nuk eshte dhurate por ti ke paguar per gjithcka dhe fundja fundit nje vize eshte…
vazhdimin e keni tek shkrimi me siper…
“Ben njeriu i shkrete nje mal me letra gati per te kaluar nje jave ne Spanje”.
Spanje e zeza Spanje, e harrove Ymer Agen?
- C’ke ti Ymer agë ? – e pyet e bija e mbretit . Pse s’ha bukë e pse s’pi verë, pse si bie ciftelisë.
Ymer Aga pëshon e ia kthen:
- Nuk ha dot e nuk pi dot, moj bijë e mbretit, as ciftelisë nuk i bie dot. Kam parë një ëndërr të keqe.
- C’ëndër ke parë Ymer Agë?
- Kam parë shtëpinë të nxirë e të shembur, babanë të vdekur e të harruar, nënën gjallë por të verbuar. Edhe kam parë se vasha ime po martohet. Unë veç një natë kam ndenjur martuar me vashën time, të nesërmen më erdhi kartë të nisem për luftë. U nisa, luftova e rashë rob. Ne kemi bërë me besa besë që vasha të më presë nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë nëntë vjetët e nëntë ditët ajo të martohet e trashëgohet. Të nëntë vjetët shkuan, tani po shkojnë dhe të nëntë vitet. Të falem moj bijë e mbretit, a nuk i thua babait të më lëshojë për ca ditë, të shkoj në shtëpi sa të flas me vashën e pastaj të khehem prapë në burg.I them Ymer Agë por im atë, mbreti, kërkon nëntë qese aspra që të lëshojë.
- E ku ti gjej unë këto nëntë qese moj bijë e mbretit.
Unë kam nëntë vjet që jam rob i zënë …
- C’më lë ti peng mua o Ymer Agë që të të lë të shkosh ?
- Të le besën time o bijë e mbretit .
E bija e mbretit e di se Ymer Aga është shqiptar dhe se shqiptari vdes dhe nuk e shkel besën. i Thotë:
- Ngrihu Ymer Agë, shalo kalë dorinë e për tri ditë arri në Ulqin.
Shokët e
Po ç’na ndodh andej, në atë të zëzë Spanjë? Mbreti se dëgjon e se sheh Ymer Agën. Pyet e i thonë se Ymer Agën e ka lëshuar e bija që të kthehet në vendin e vet. Ai thërret sakaq të bijën e i shfyen:
- ç’u bë Ymer Aga robi ?
- E lëshova unë o im atë, që të takohet me vashën e tij se do t’ia merrte dikush tjetër. Më dha besën: për tri ditë vjen prapë. Sot mbarojnë të tri ditët e do të kthehet. mbreti zemërohet.
- Jo të gënjeu nuk do të kthehet!
Jep urdhër t’i presin kokën së bijës në krye të shkallëve.
Prit o im atë, gjersa të ngryset, se Ymer Aga do të kthehet medeomos. Ai se shkel besën
- Jo, kush shkon nuk vjen prapë. Është si zogu i kuvlisë: posa ia hape, iku…
Do të kthehet se me ka dhënë besën.
- Besa është një fjalë, dhe fjalën e merr era. Atë e shkelin dhe mretërit.
- Mbretërit e shkelin, Ymer Agë shqiptari nuk e shkel, o im atë… Në atë çast dukej tej një kalorës që vjen vrapë, duke lënë mbrapa një fashë pluhuri. Sa të mbyllesh e të hapësh sytë, kalorësi hyn në portë të kështjellës. I zbret kalit të shkumëzuar dhe i falet së bijës së mbretit:
- Rrofsh e qofsh, moj bij’ e mbretit! e mbajta besën. Unë vajta e u ktheva. Rob isha, rob jam prapë.
Mbreti e shikon i çuditur nga kryet e shkallëve e thotë
- Ymer Ago shqiptar , ti paske qënë me të vertetë burrë i besës! Të lumtë!
pastaj kthehet e u jep urdhër rojeve:
Ymer Agën ta lironi të shkojë ku të dojë. Burrë qënka e burrë qoftë! Lëshoni dhe të nëntë shokët që ka. .
Po ku eshte ky mbreti i sotem i Spanjes?
I çmendurii lagjes time ka bere be se nuk do ta kaloje kurre kufirin pa pasur nje pasaporte qe vetem tregohet dhe nuk vuloset. Thashe i çmendur dhe jo budalla. Me mire do te ishte kur nuk do te kete fare nevoje te tregohet as pasaporta i thashe. Qeshi me te madhe dhe me tha : mos je budalla, po ka vetem nje vend ku shqiptaret nuk do te kene nevoje te tregojne pasaporten e te levizin te lire nga t’ju doje qejfi. Ky shkrim kete me kujtoi, persekutimin e shqiptareve ne Evrope si te ishin çifutet e motit. Habia e vetme eshte se ky lloj persekutimi eshte i vonshem dhe nuk ekzistonte ne kohen e Zogut. Po si ka mundesi qe Evropen nuk e zbuti as origjina shqiptare e Nene Terezes?