Postmodernja, ose logjika e politikës në Kosovë

26/08/2010

Postmodernja, ose logjika e politikës në Kosovë

Agon Hamza

Njëri ndër dëmet më të mëdha që i është bërë mendimit dhe dijes në përgjithësi, është etablimi i profesionit të analistit. Në funkionin e tij shoqëror, analisti është negacioni i mendimit, i dijes, i intelektualit. Niveli i debatit është duke kaluar në fazën më dekadente të tij. Institucionet që shkak të ekzistencës e kanë dijen, si Akademia e Shkencave e Arteve, Institutet e shumta, Universiteti, etj janë bërë sinonim i dekadencës, vyshkjes dhe degjenerimit intelektual. Përveç riprodhimit ideologjik të miteve, konstruktimit të tjerave, stimulimit të impotencës intelektuale, depolitizimit të vazhdueshëm në emër të politikës e patriotizmit, Institucionet e Dijes e kanë shkatërruar secilën praktikë shkencore, duke e zëvendësuar atë me mistifikim ideologjik të të gjitha praktikave të Dijes. Si zëvendësim, kemi inagurimin e pozicionit të analistit (ose ekspertit), me të cilin lehtësisht identifikohen edhe profesorët universitar e studiuesit/hulumtuesit “shkencorë” të instituteve. Në instancë të fundit (hiq interpelimin publik që ju bëhet në nivel të thirrjeve “akademike”/profesionale), ata përfaqësojnë të njejtin funksion publik.

Çka do të thotë kjo? Secili studim serioz për raportet politike, ekonomike e ideologjike përbrenda një shoqërie të caktuar, theksin kryesor e vendosë jo vetëm në marrëdhëniet e prodhimit, por në riprodhimin e vet këtyre marrëdhënieve. Kjo do të thotë që në secilin formacion shoqëror, kushti i domosdoshëm për mirëmbajtjen e vetvetes, nuk është vetëm prodhimi (material), por riprodhimi i vet marrëdhënieve të prodhimit. Althusser shkruan se formacioni shoqëror ekzistues, duhet të riprodhojë kushtet e prodhimit, gjatë kohës sa prodhon, me qëllim që prodhimi të vazhdojë. Rrjedhimit, ai duhet të riprodhojë: a) forcat prodhuese, dhe b) marrëdhëniet ekzistuese të prodhimit. Kjo do të thotë që për të mirëmbajtur vetveten si formacion shoqëror, ai duhet të riprodhojë mjetet e prodhimit dhe riprodhimin e fuqisë punëtore.

Nëse këtij elaborimi i hiqet veloja e abstraksionit (siç na thonë arrogantët e faqeve të verdha, të ashtuquajturit analistë/ekspertë, për secilin interpretim ose praktikë teorike), mund të thuhet se për unifikimin e marrëdhënieve të prodhimit në hapësirën shoqërore të organizuar politikisht, riprodhimi i tyre ka funksionin e ideologjisë zyrtare. Ideologjia zyrtare ka funksionin e okupimit të hapësirës shoqërore nëpërmjet instalimit të predikateve të veta si vlera shoqërore. Predikatet ideologjike të cilat paraqiten si vlera shoqërore synojnë përvetësimin e hapësirës shoqërore, nëpërmjet krijimit të universalitetit fals nëpërmjet predikateve si, liria, barazia, etj. Riprodhimi i kushteve të prodhimit nuk nënkupton riprodhimin e mjeteve që i riprodhojnë mallërat, vlerën, punën, etj. Përkundrazi, riprodhimi i kushteve të prodhimit ka të bëjë pikërisht me riprodhimin e atyre rrethanave, të cilat e mirëmbajnë spektrin socio-ideologjik të prodhimit material. Me fjalë të tjera, thënë në mënyrë të tej-thjeshtëzuar, riprodhimi i kushteve të prodhimit është riprodhim i ideologjisë sunduese/hegjemone. Por, cili është raporti i analistit me ekspertin, në fushën e riprodhimit të ideologjisë?

Në fillim të shkrimit, analistin dhe ekspertin i vendosa në të njejtën linjë ideologjike. Në fakt, për hir të korrektësisë, me lejoni të them se ndërmjet analistit dhe ekspertit ekziston i ashtuquajturi “narcisizmi i dallimeve të vogla”: përderisa analisti medial është komplet i zhveshur nga dija (madje edhe nga ajo teknike), ai mbetet prodhim publicitar/medial, eksperti është subjekt i prodhimit universitar, dija e të cilit është ideologjike: ekspertët sot janë ekspertë të ekonomisë, decentralizimit, integrimeve europiane, etj (paçka që problemet më të mëdha shoqërore janë pikërisht nga fushat në të cilat ka ekspertë më shumë). Këtu raporti është suplementar: eksperti i plotëson substancialisht predikatet ideologjike të prezentuara nga analistët. Megjithë thjeshtësinë mekanike të këtij argumenti, në instancë të fundit, analistët mediatikë dhe ekspertët universitar janë dy anët e së njejtës medalje.

Debati akademik në Kosovë nuk ekziston. Mungesa e debatit akademik e intelektual është pasojë direkte e mungesës së akademisë. Dhe këtu ka një histori. Kjo është historia e dekadencës intelektuale përgjatë viteve të 90’ta. Një mik i imi e dha verdiktin për vitet e 90′ta: ato ishin “vite të errëta/Mesjetë”. Apartheidi politik i ushtruar ndaj nesh përgjatë viteve të 90′ta, padyshim se hapi edhe shumë vraga intelektuale e kulturore. Por, në kohën e represionit politik, të pamundësisë së plotë, lëvizjet intelektuale, intelektualët në përgjithësi, e përjetojnë rilindjen e tyre. Rilindja është dalje nga kushtet e opresionit. Rilindja intelektuale është e kushtëzuar nga rrethanat politike. Nëse kjo formulohet ndryshe, atëherë mund të thuhet se lëvizjet emancipuese (intelektuale e politike) dalin vetëm nga kushtet e represionit politik e ekonomik. Gjatë viteve të 90′ta, intelektualët dështuan tërësisht në artikulimin intelektual e teorik të projektit politik. Althusser thoshte se disfatat politike nuk janë rezultat i raportit të forcave, por ato janë rezultat direkt i dobësisë së teorisë sonë. Në vitet e 90′ta kur apartheidi politik ishte në kulmin e tij, skena intelektuale e Kosovës u dëshmua tërësisht impotente: projekti politik i Rilindjes, që nënkupton një projekt politik e kulturor emancipues, nuk u artikulua. Formula maoiste “braktisi iluzionet, bëhu gati për betejë”, u zëvendësua me “kapu tek iluzionet, bëhu gati të dorëzohesh”. Në këtë kontekst, dorëzimi nënkuptonte kapjen në postmodernën, si përgjigje për problemet politike e kulturore të viteve të 90ta. Pas Majit ‘68 të Parisit, në Francë lindën një grup i filozofëve, të cilët nga filozofët e Parisit me përbuzje u quajtën “filozofët e rinjë”. Ata i braktisën problemet e Majit të 68të, dhe e filozofinë e nënshtruan ndaj obskurantizmit ditor medial e politik. “Filozofët e rinj” janë negacion i mendimit; ata personifikojnë përmbysjen e tezës së Maos, kur vendosën të kapen për iluzione. Postmoderna  në Kosovë kishte këtë funksion shoqëror: “braktise emancipimin/rilindjen, përqafoje reaksionin”. Postmodernja është emri tjetër për dorëzim. Në fakt, ajo edhe është zgjidhja më e lehta teorike, intelektuale e politike. Postmodernja është sofizmi i sotëm, siç thotë Badiou: sofistët janë ata për të cilët dallimi ndërmjet të mirës dhe së keqës nuk përbën çështje. Postmodernja është simptomë e dëshpërimit romantik, që funksionon sikurse ai këngëtari punk, si anti-konformist që është, i dëshpruar nga konsumerizmi dhe në kërkim të individualizmit, pas koncertit të radhës, shpall se asgjë nuk ka kuptim, se e ardhmja nuk do të jetë më e ndryshme se e tashmja, dhe i dëshpëruar, ai ngushëllohet nga konsumi i dozës së rregullt të nihilizmit.

Si shpjegohet raporti i politikës me varfërinë intelektuale? Shembulli par excellence është kryeministri Hashim Thaçi. Nuk është vetëm varfëria e skenës politike (në dy dimenzionet e saj: varfërinë e saj strukturore dhe varfërinë e alternativës politike) ajo që e mundëson një njeri si Thaçi të bëhet kryeministër. Dekadenca intelektuale, mosekzistenca e intelektualizmit si aktivitet shoqëror (e jo elitist), e teorisë si praktikë e intervenimit teorik në fushën e politikës, është ajo që e hap hapësirën për politikanët si Thaçi. Menjëherë pas përfundimit të luftës, një intelektual thoshte se Hashim Thaçi është ndër ata njerëz që fjalinë të cilën e fillon me ‘ju’, e përfundon me ‘ti’. Kjo nuk duhet të lexohet në kuadër të shovinizmit elitist (ose mikro-borgjez) ndaj një njeriu nga prejardhja më e ulët klasore: sepse Thaçi si kryeministër nuk përfaqëson (sado problematik që është koncepti i përfaqësimit) as kategoritë shoqërore nga klasa që ai dikur i takonte (fshatarësinë, punëtorët, kategoritë e dala nga lufta, etj). Ai i përfaqëson spekulantët financiarë, spekulantët e faqeve të verdha – me një fjalë, spekulantët e të gjitha llojeve që ekzistojnë në Kosovë. Dhe padyshim që gjendja e përgjithshme është jashtëzakonisht e mjerueshme, pa rrugëdalje politike përbrenda koordinatave të së mundshmes. Në këtë kontekst, ne duhet rimenduar politikën. Sepse, në instancë të fundit, politika (emancipuese) është në nivel të mendimit, në nivel të Ideve, që dmth se politika ekziston në nivelin e mendimit të Ideve emancipuese, kundër dhe jashtë hapësirës së shtetit.

Varfëria e skenës politike është pothuajse e determinuar nga varfëria e skenës intelektuale. Asnjë alternativë ndaj regjimit aktual politik e shoqëror nuk mund të konstruktohet vetëm në kritikën e qeverisë, ose në ofrimin e alternativave politike. Në këtë kontekst, paqja që ekziston në Kosovë është paqe e përkohshme, kryekëput si rezultat i mungesës së Ideve, e mungesës së politikës. Për të rimenduar politikën, nuk duhen ekspertët me dije teknokratike, as analistët e qeverisë, e as intelektualët ‘tradicional’. Ideja e Maos se së pari duhet të mësojmë nga masat, e pastaj t’i mësojmë ato, është e pavlefshme. Në instancë të fundit, nëse kjo nuk nënkupton esencializimin e masave (fshatarësisë, popullit, klasës punëtore), atëherë kjo premisë e nënkupton patronizmin e masave. Intelektuali organik është pjesë e masave, jeton me problemet e masave, por i artikulon ato në domen tjetër. Në këto kushte politike e shoqërore, puna intelektuale, mendimi si i tillë, nuk dërgon në transformime shoqërore direkte, por është parakusht i domosdoshëm për to. Në të kundërtën, pa punë intelektuale, pa artikulim teorik të fushës shoqërore, politika shndërrohet në një akivitet të lapërdhishëm, të ndyrë, dhe ajo nuk ka se si të idenfitikohet ndryshe, përveç se me emrin e Thaçit.

10 lexues e pelqejne kete shkrim.

One Response to Postmodernja, ose logjika e politikës në Kosovë

  1. Lulian Kodra on 26/08/2010 at 16:09

    Une kam pershtypjen se habia e Adornos mbi ekzistencen e artit ne kushte qe cenojne vete ekzistencen, duhet hapur qe te perfshije edhe sferen politike, dhe natyrisht, ate kulturore. Le mos harrohet, Agon, qe ne vitet 90, Kosoves i cenohej vete ekzistenca. Eshte gabim te goditet mungesa e nje artikulimi kulturor e politik emancipues ne kushtet e nje aparteidi qe rrezikon te shkaktoje gati edhe gjenocid. Ne rendin e gjerave do te ishte pikerisht kjo mbajtja pas iluzionit dhe dorezimi. Teoria deshton sepse duhet te deshtoje perpara njeriut te zhveshur nga gjithcka pervec jetes. Kam frike se gabimin e ben qe shtypjen, opresionin, aparteidin dhe vrasjen sistematike te njeriut e konsideron sinkronike me rilindjen e tij, kur thua se: “në kohën e represionit politik, të pamundësisë së plotë, lëvizjet intelektuale, intelektualët në përgjithësi, e përjetojnë rilindjen e tyre.” Kujdes, te pohosh kete, do te thote te mbetesh pre e iluzionit se cfare do kishte ndodhur sikur ne vitet 90 intelektualet te perjetonin rilindjen, e njekohesisht te dorezosh armet per betejen e se sotshmes. Rilindja, ringjallja, sic e dine mire te krishteret, vjen gjithmone me pas, ne nje kohe te dyte a ne nje dite te trete. Mire ka thene ai miku, por gjynah qe nuk e ka ngulur pak me fort gozhden, gjynah qe nuk e ka metaforizuar analogjine por e ka lene analogji thjesht historike: vitet 90 jane vitet e Kosoves ne kryq; Rilindja duhet perjetuar tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031