FLETE DITARI 13 – Nje vdekje vere (pjesa e dyte)

30/07/2010

FLETE DITARI 13 – Nje vdekje vere (pjesa e dyte)

Arbër Shtëmbari

Në orën dhjetë pa dhjetë, para një parafabrikati diku në Kombinat filluan të rreshtoheshin njëra pas tjetrës makinat e mortit, fytyrat e ngrysura të burrave, fjalët nën zë të grave shamizeza, fazzoletat e hundëve përtokë dhe lehjet e qenve të lagjes.

Shoh të më afrohet një djalë, aty tek të tridhjetat. «Hë mo, Arbër, si je? S’po më njeh ?!», më pyet ai. Fytyra e tij më thotë diçka, por…ngre supet. “ Jam Altini…”. “O, Altini ! S’të njoha fare, more !”

Rrokemi në qafë. “Po sa vite u bënë, Altin, që s’shihemi? Dhjetë? Pesëmbëdhjetë? Ku ke qenë gjithë këtë kohë?”. “Eh, more Arbër ; u bë sebep një vdekje që të takoheshim!”

Dhe më tregon, sesi në vitin 1999 ai ishte larguar drejt Sllovakisë, por atje nuk i kishte ecur. Prej Sllovakisë kishte shkuar në Gjermani, por, sërish e kishte pasur të pamundur të instalohej. “S’arrija dot të bëja dokumentet. E vetmja zgjidhje ishte të martoheshe me një gjermane. Por, nuk e di; s’e bëja dot atë gjë.”. Nga Gjermania, kishte arritur të siguronte një vizë prej të afërmëve të tij për në Kanada. “Nuk kisha kokrrën e lekut! Fati im i madh;  në dhomë atje në Gjermani kisha një çun nga Kukësi. Siç kishte emrin, ashtu ishte; flori. Më dha lekë borxh dhe më tha: nisu, vëlla; kur t’i kesh, m’i kthe. S’ia harroj kurrë.”

Altini tani jetonte në Kanada, me dokumente të rregullta. Punonte në një restorant diku në Vankuver. “Nuk e di si është andej nga ty, por aty ku jam unë, në Kanada, komuniteti shqiptar është rregulluar mirë. Janë njerëz të mire; kanë ardhur çuna dhe goca me shkollë; ka shumë prej tyre që punojnë nëpër Banka; të tjerë, ja, kështu, si unë, nëpër restorante. Kemi reputacion të mirë. Sigurisht, pyll pa derra nuk ka. Del dhe ndonjë budalla…”.

Altini ishte kthyer në Shqipëri për një arsye të caktuar; “kam njohur një gocë në facebook. Ajo është nga Durrësi; njeri i mirë, familje shumë e mire. Tani jemi njohur edhe familjarisht. E ke parasysh; i kena bo respektet, dhe tani, nuk e di, ka mundësi që të kemi edhe ndonjë fejesë nga gushti”, më thotë, pa e fshehur kënaqësinë.

Një pëshpërimë amplifikohet ngadalë, derisa shpërthen në disa të qara të mbytura. Mamaja e Benit shfaqet në hyrje të shkallës, ndërsa katër – pesë gra të tjera e mbajnë prej krahësh. Të tjerë afrohen drejt saj. Krijohet një farë komiteti pritës. “Çfarë po ndodh?” më pyet Altini. Shohim një veturë të zezë që rrëshket ngadalë dhe ndalet përpara hyrjes. Dikush, nga jashtë, hap derën e pasme të veturës, ndërkohë që mamaja e Benit lëshohet prej krahëve të të afërmëve në drejtim të veturës…Të qara pafund! Ngashërime. Burrat mundohen ta ngrenë prej krahësh… Nga dera e pasme e makinës del Beni, përqafohet fort me të ëmën… Lot! Kudo lot…

“Beni! Beni!” i thotë një mesoburrë, që ndërhyn mes tyre, “Lëri këto tani! Hajt, merre mamin! Lëri, pra, lotët! Bëhu burrë, se s’ka lezet”.

“O babi! O babi! Si s’më prite, o babi!”. Ai shkëputet, shkon drejt murit ku është fleta e lajmërimit të vdekjes, puth foton e të atit. Ndërkohë ndërhyjnë edhe disa burra të tjerë. E marrin prej krahësh, “Beni! Beni; bëhu i fortë tani!”

Ngjiten lart, në katin e dytë.  “Paska ardhur Beni nga Gjermania sot.”, më pëshpërit Altini.

Afër shkallës së tretë, mes qindra këmbësh, endet një këlysh. Është  fare i vogël, i murrmë, i rrjepur gjithanësh, që kujis duke çapitur putrat e pista në pluhur.

Duke marrë për nga shtëpia e Benit, pa u futur në hyrje, takojmë Klodin. Cigaren në buzë, celularin dhe çelsat e makinës në dorë. “Ou; paska ardhur diaspora! – dëgjohet të na thotë teksa na afrohet, duke buzëqeshur. E takojmë. Ai na jep një goditje të lehtë në kokë me cepin e ballit. “Klodo; s’paske heq dorë nga këto takimet me brirë ti?!”, i thotë Altini. “Këtu, më vlla, jo brirë, po këtu duhet me pas kthetra më plak. Është kohë e vështirë».

Ngjitemi të tre lart. Dera e shtëpisë së Benit, e hapur. Dera e fqinjit përballë, e hapur. «Burrat këtej » – na thotë një grua, duke në bërë shenjë për të hyrë nga fqinji. «Kanë ardhur shumë, nga disa anë të Shqipërisë, prandaj edhe Shpresa, fqinja, hapi derën e shtëpisë për të pritur njerëzit. « Kush e bo kët jashtë shtetit, Arbro!» – më thotë Klodi.

Hyjmë…

(Vazhdon).

3 lexues e pelqejne kete shkrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

July 2010
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031