Atheizmi është trashëgimí për të cilën vlen të luftohet

26/04/2010

Atheizmi është trashëgimí për të cilën vlen të luftohet

Slavoj Žižek

Përktheu Florent Rizvanolli

Me shekuj na thonë  që pa fe ne nuk jemi gjë tjetër pos kafshë egoiste në luftim e sipër për hisen tonë, kurse moraliteti ynë  ai i një lukunie; vetëm feja, thuhet, mund të na ngrisë  në nivel më të lartë shpirtëror. Sot, kur feja gufon si burim i dhunës vrastare përreth botës, sa vinë e tingllojnë më zbrazët siguritë që na jipen se fundamentalistët e krishterë, muslimanë apo hindë vetëm janë duke i keqpërdorur dhe mbrapshtuar kumtet fisnike të besimeve të tyre. Po sikur ta rimëkëmbnim dinjitetin e atheizmit, njërës nga trashëgimitë më të mëdhaja të Europës dhe ndoshta gjasës sonë të vetme për paqe?

Para më  se një shekulli, në «Vëllezërit Karamazov» dhe veprat e tjera, Dostojevski na e tërhoqi vërejtjen mbi rreziqet e nihilizmit moral të patenzonë, duke argumentuar në qenësi që nëse Zoti nuk ekziston, atëherë çdo gjë është e lejuar. Madje filozofi francez, André Glucksmann, kritikën e Dostojevskit për nihilizmin e patenzonë e zbatoi në rastin e 11 Shtatorit, siç mund të merret me mend edhe nga titulli i librit të tij «Dostojevski në Manhatan».

Ky argument nuk ka se si të jetë më i gabuar: Mësimi që na e jep terrorizmi i sotëm është ai që, nëse Zoti ekziston, atëherë çdo gjë, përfshirë aty edhe hedhje në ajër të mijra kalimtarëve të pafaj, është e lejuar—së paku për ata të cilët pohojnë të jenë duke vepruar drejtpërdrejt në emër të tij, meqë, qartazi, lidhja e dretjpërdrejtë me Zotin justifikon shkeljen e cilavedo nga kufizimet apo konsideratat që mendohen të jenë jo më shumë se njerëzore. Shkurt, fundamentalistët nuk mbetën aspak më të mirë se Komunistët Stalinistë “të patenzonë”, të cilëve u lejohej çdo gjë, meqë e mendonin vehten si instrumentë të drejtpërdrejtë të hyjnisë së tyre, Nevojës Historike të Kalimit në Komunizëm.

Fundamentalistët, ato që u duken vepra të mira i bëjnë për hir të  dëshirës së Zotit dhe për shëlbim; atheistët i bëjnë  thjesht sepse ashtu duhet. A nuk është kjo gjithashtu edhe përvoja e jonë më elementare e së moralmes? Kur bëj mirë, nuk e bëj me qëllim që t’i hyj në qejf Zotit; e bëj se po nuk e bëra, s’e shiqoj dot vehten në pasqyrë. Vepra e mirë është, sipas përkufizimit, shpërblim i vetvehtes. David Hume e tha thumbueshëm kur shkroi që mënyra e vetme t’i bëhet Zotit nder i vërtetë është të veprohet moralisht duke mos e përfillur ekzistencën e tij.

Para dy vitesh, Europianët po e debatonin nevojën e përmendjes së Krishtërimit në parathënjen e Kushtetutës Europiane. Si zakonisht, u arrit gjer te një kompromis, të përmendet “trashëgimia fetare” e Europës me terme të përgjithshëm. Po ku mbeti trashëgimia më e çmuar e Europës moderne, ajo e atheizmit? Europën moderne e bën unike ajo që është qytetërimi i parë dhe i vetëm në të cilin atheizmi është opcion plotësisht i ligjshëm e jo pengesë për pozitë të udhëheqjes.

Atheizmi është  trashëgimí e Europës për të cilën vlen të luftohet, jo vetëm për arësye se krijon hapësirë të sigurtë  publike për besimtarët. Ta marrim parasysh debatin që e kaploi Lubljanën, kryeqytetin e Sllovenisë, atdheut tim, gjersa po vlonte polemika rreth kushtetutës: a do të duhej t’u jeohej muslimanëve (shumica e tyre ardhacakë nga republikat e vjetra të Jugosllavisë) të ndërtonin xhami? Gjersa kundërshtimi i konzervativëve ndaj xhamisë ishte për arësyet kulturore, politike, madje edhe arkitekturore, revista liberale javore «Mladina» ishte vazhdueshëm e zëshme në përkrahjen e saj për xhami, në pajtim me kujdesin e treguar që më parë për të drejtat e atyre që vinin nga republikat ishjugosllave.

Nuk ishte befasi, duke qenë me qëndrime liberale, që «Mladina» ishte poashtu ndër publikimet e pakta Sllovene që i ribotuan karikaturat e Muhametit. Dhe, anasjelltas, ata që e shprehën ‘mirëkuptimin’ më të madh për protestet e dhunme të muslimanëve që u shkaktuan nga këto karikatura ishin poata të cilët rregullisht shprehnin brengosje për fatin e Krishtërimit në Europë.

Këto aleanca të përçudnuara i ballafaqojnë muslimanët e Europës me një zgjedhje të vështirë: e vetmja fuqi politike që  nuk i rrudhë në qytetarë të dorës së dytë dhe ua lejon hapësirën e shprehjes së identitetit fetar është ajo e liberalëve atheistë të patenzonë, gjersa më të afërmit me ushtrimin e tyre social fetar, shembëllimi i tyre i krishterë, janë armiqët e tyre më të mëdhej politikë.

Paradoksi është se aleatët e vetëm të vërtetë të muslimanëve nuk janë ata që të parët i botuan karikaturat për vlerë të goditjes, por ata që, duke e përkrahur idealin e lirisë së të shprehurit, i ribotuan.

Gjersa atheisti i vërtetë nuk ka nevojë t’ia bëjë vehtes qejfin duke i provokuar besimtarët me blasfemi, ai gjithashtu refuzon ta rrudhë problemin e karikaturave të Muhametit në problem të respektit për bindje të tjetrit. Respekti për bindje të tjetrit, si më e larta ndër vlerat, mund të jetë vetëm një nga këto dy: Ose trajtim i tjetrit në mënyrë paternaliste me shmangie të lëndimit të tij që të mos i shkatërrohen iluzionet, ose përqafim i qëndrimit relativist mbi ekzistencën e shumë “regjimeve të së vërtetës”, duke diskualifikuar si ndërhyrje të dhunme çfarëdo ngulmimi të pastër për të vërtetën.

E po t’ia nënshtronim Islamin—bashkë me fe të tjera—një analize kritike plot respekt, por për atë arësye edhe jopak të ashpër? Kjo, dhe vetëm kjo, është mënyra e vetme t’u bëhet muslimanëve respekt i vërtetë: të trajtohen si të rritur dhe përgjegjës për bindjet e veta.

7 lexues e pelqejne kete shkrim.

12 Responses to Atheizmi është trashëgimí për të cilën vlen të luftohet

  1. Besa on 27/04/2010 at 14:03

    një lexues nuk e pëlqen këtë shkrim.

  2. Admin on 27/04/2010 at 14:08

    Duke patur parasysh numrin e madh te theistave e agnostikeve, natyrisht qe ka shume lexues qe nuk e pelqejne kete shkrim. Por kete e marrim me mend.
    Do te lutesha qe kush pelqen, apo s’pelqen, te shkruaje pse.

  3. Besa on 27/04/2010 at 16:30

    s’po e komentoj faktin që admin nuk u kërkoi direkt dy të parëve të thoshin se pse e pëlqyen, por po shkruaj pse-në time.

    1. ateizmi,trashëgimi? trashëgimia nënkupton ekzistencën e një vlere, qoftë kjo ekonomike apo morale. ateizmi është thjeshtë mohim i një rryme filozofike dhe shpirtërore. si i tillë s’ka se si të lihet trashëgimi. nëse autori bën fjalë për tolerancën fetare, atëherë ky është një diskutim krejt tjetër.

    2. ateizmi, trashëgimi e Evropës? ateizmi është mosbesimi në Zot. mosbesues ka pasur dhe do të ketë në të gjitha kontinentet, kudo ku ka besim në Zot. kjo s’është pra një trashëgimi e Evropës në veçanti.

    3. shembujt nuk janë fare funksionalë.

    4. shkrimi s’është fort i qartë, por mua më duket se autori ka dashur ta përdori ateizmin si alibi për ti nënshtruar islamin (bashkë me fe të tjera) një analize kritike.

    5. etj, etj.

  4. Admin on 27/04/2010 at 19:00

    Mire ben qe nuk e komenton faktin qe admini nuk i ka thene dy te pareve qe e pelqejne se pse e pelqejne, sepse a) admini u ka thene ne po te njejtin koment qe i drejtohet dhe atyre qe s’e pelqejne dhe b) njoftimet adminit i vijne per komente, jo per “likes”…

    Megjithate, ta shohesh ateizmin si mosbesim ne zot, pervecse pikeveshtrim simplist, eshte krejtesisht teist si kendveshtrim. Per ateistet nuk vihet aspak ne diskutim besimi ose jo ne zot, apo zoti etj etj. Ateistet nuk e perfshijne perendine hic ne ekuacionin e tyre, pra nuk mund t’i perkufizosh duke u nisur nga zoti.

    Ateizmi si trashegimi, natyrisht qe nuk eshte total. Europa ka dhe disa trashegimi kristiane, sekulare, islame etj etj. Ama ateizmi ka qene gjithnje prezent ne Europe, ne shekujt e fundit, karakteristike e disa njerezve dhe e disa komuniteteve te caktuara (sidomos per nga statusi intelektual). Megjithate, ajo cka doja te thosha eshte se eshte me mire kur i sqaron objeksionet se sa kur shkruan qe te pelqen apo jo… Edhe pse je krejtesisht e lire te shkruash edhe keshtu.

  5. Besa on 28/04/2010 at 10:55

    Mik i dashur,

    ateistët vetëpërkufizohen si mosbesues në Zot. Ata vijnë prej mohimit të çdo lloj fuqie të perëndishme. Kështu thonë të gjitha përkufizimet e ateizmit. Mund të më sjellësh ndonjë që ta kundërshtojë këtë pikëpamje? Të falemnderit që më përpara.

    p.s. Me siguri autori ka bërë punë të mira kur ka qenë i ri, po askush s’ka thënë se kapaciteti analitik i njeriut ngelet i njejtë pas moshës 80 vjeç.

  6. Admin on 28/04/2010 at 13:57

    Mikeshe, nje perkufizim interesant mund ta gjesh tek ky leksion i po te njejtit autor, ne rast se nuk ke kohe te lexosh librin http://www.youtube.com/watch?v=ZL6mqIrRnJs. Nderkohe qe dhe une te kam dhene nje perkufizim tek komenti me siper.

    Ne rast se ke edhe me teper kohe, shih “Why only an atheist can believe”, nga po i njejti autor, qe ende s’i ka mbushur te 80-at sipas google-it

  7. Besa on 28/04/2010 at 16:17

    nuk e shoh dot youtoub-in, por vetë fjala ateist ka origjinë mohimin e teizmit… dhe përkufizimi yt atë thotë. nejse. s’po e zgjas më. të falemnderit për vëmendjen për të cilën me siguri kisha nevojë kur u nisa dhe shkruajta. shëndet!

  8. Admin on 28/04/2010 at 16:45

    tani, ti the se ateisti eshte ai qe nuk beson ne zot, autori ne fjale thote se ateisti ne fakt eshte i vetmi qe beson, dhe une te thashe, etimologjikisht, qe ateisti nuk mund te shpjegohet nepermjet zotit. parashtesa “a” nenkupton mungesen, jo mohimin apo kundershtimin etj etj. E ke parasysh besoj ndryshimin mes amoral dhe imoral. Mund te flitet per moral te imoralit, po jo per moral te amoralit.
    Gjithsesi, faleminderit per komentetet, tim ate e njoh mire, dhe do te te kerkoja te heqesh dore nga aludimet apo ironite dylekeshe.

  9. Besa on 28/04/2010 at 17:46

    oooo navash! lexo dy herë para se të nevrikosesh.

    atë- jo baba, por rasa kallëzore e “ajo”. (edhe përkufizimi yt atë thotë = përkufizimi yt thotë atë që thashë unë)

    amoral- s’ka moral
    imoral-ka moral “të keq”

    teizmi është doktrina që afirmon ekzistencën e një apo disa perëndive. teizmi filozofik thotë se Zoti e drejton botën në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai teologjik mbron idenë se është e nevojshme feja si ndërmjetës mes Zotit dhe njerëzisë.

    duke u nisur nga sa më lart, ateizmi është doktrina që mohon teizmin dhe si e tillë vërtet s’ka moral të vetin, përveçse në mohimin e çdo besimi në Zot.

    po e mbyll me kaq duke shpresuar që keqkuptime të mëtejshme nuk do të pasojnë.

  10. Stop Injorancës on 10/05/2010 at 11:42

    Që të kuptosh besimet fetare nuk mjafton të jesh thjeshtë besimtar. Duhet të njohësh historinë, politikën botërore që sigurisht të lexosh bibël dhe kuran çdo natë nuk të ndihmon. Artikulli fton për regres.

    Ju ftoj të ndiqni të ndjerin Xhorxh Karlin për të hapur atë mendje që si çadra bëhet funksionale vetëm kur hapet.

    http://www.youtube.com/watch?v=MeSSwKffj9o

  11. Mexhid Yvejsi on 18/01/2012 at 08:44

    Ç’është ateizmi?

    Termi ateizëm vjen nga greqishtja e lashtë “atheos”, ku “a = pa” dhe “theos = zot”, me kuptimin “pa zot”, “pa perëndi”.

    Si kuptim origjinar në kohët e lashta termi përkufizohej si mospranim i zotave të një qyteti, mosbindja ndaj zotave të një qyteti, mospasja e një zoti a zotave. Në vijim, me shfaqjen e feve meslindore, termi do të përdorej nga paganët kundër kristianëve dhe anasjelltas, meqënëse për secilën palë mosbesimi i palës tjetër ndaj zotave të palës akuzuese (ndonëse kishin natyrë të ndryshme) konsiderohej si ateizëm.

    Gjatë lashtësisë ateizmi ishte shkalla më e lartë e mosbindjes ndaj ligjeve fetare apo besimit në zota të caktuar dhe shërbente si fjalë përbuzëse ndaj personit apo qëndrimit përkatës që binte në kundërshtim me fenë apo adhurimin a pranimin e hyjnive të qytetit për të cilin bëhej fjalë. Me kalimin e kohës, termi i është nënshtruar një saktësimi dhe përcaktimi më të qartë nga ana kuptimore ku duke ardhur deri në ditët tona ka marrë përmbajtje kuptimore dhe ngjyrim krejt tjetër nga përdorimi i vjetër.

    Në kuptimin bashkëkohor, termi ateizëm, si qëndrim dhe si pikëpamje filozofike, do të thotë mosteizëm, të mosqenit teist, të mosqenit besimtar, të mospasurit besim në ato çfarë beson një teist, që jo përjashtimisht, por të paktën tradicionalisht, për kontinentin evropian kuptohet si të mosbesuarit në “zotin” monoteist të feve meslindore; Kjo, sepse vetë qëndrimi varet thelbësisht nga përkufizimi përkatës që teisti i jep fjalës “zot” për t’u bërë i kuptueshëm për çfarë flet dhe ky është një përkufizim që buron nga fetë në fjalë dhe deri më sot nuk qëndron gjatë zbërthimit logjik.

    “Jam ateist” përmbledh në radhë të parë frazën “nuk jam teist”, pasi qëndrimi është prej vetvete mohues i pohimeve teologjike, dhe së dyti frazën “nuk besoj në ekzistencën e “zotit”", duke përfshirë në të të gjithë ata që nuk kanë besim në asnjë “zot”, apo në asnjë fuqi “mbinatyrore”.

    Dallimi i kuptimit të sotëm nga kuptimi historik, sidomos atij mesjetar që i është dhënë nga fetarët, është se ateizmi përfshin gjithçka që nuk është teizëm dhe si e tillë gjendja nuk lë mundësi të tjera zgjedhjeje veç teizmit, apo ateizmit, pasi është një rast pyetjeje me përgjigje po ose jo. Shkurtimisht, pra, me përkufizim, nëse nuk je teist, je ateist; nëse nuk je besimtar, je mosbesimtar.

    Një keqkuptim që është kryer në përcaktimin e ateizmit për disa shekuj me radhë është ai se ateizëm do të thotë “besimi se nuk ka zot”. Kjo kryhej në lidhje me atë kategori të ateistëve që pohojnë hapur se “zoti” nuk ekziston, në dallim nga pjesa që thjesht nuk beson në “zot” e që nuk niset të pohojë asgjë në lidhje me “zotin”. Ndërsa është e diskutueshme nëse pohimi se “zoti” nuk ekziston është shprehje besimi ose jo, reduktimi i ateizmit në thjesht një pjesë të ateizmit eksplicit (teorik, pozitiv) nuk e paraqet të plotë qëndrimin ateist, ndaj dhe shihet në çdo rast si shtrembërim i qëllimshëm. Ateizmi (si term përmbledhës për krejt qëndrimet joteiste) nuk thotë “besoj se nuk”, por “nuk besoj se”, një dallim ky thelbësor, pasi i dyti e përfshin të parin, por nuk barazon me të dhe nuk vlen anasjelltas.

    Demokriti – Dy kategoritë kryesore të ateizmit janë ateizmi implicit (praktik, negativ) dhe ateizmi eksplicit (teorik, pozitiv).

    Ateizmi implicit është ai qëndrim apo mënyrë jetese ku “zoti”, besimi në “zot”, apo çështjet rreth fesë, apo “zotit”, nuk përfillen, nuk llogariten e nuk merren fare parasysh në asnjë instancë të jetës së përditshme të dikujt, nuk prekin asnjë veprimtari të njeriut a jetës së tij, pa qenë këtu e nevojshme që të kryhet ndonjë pohim rreth “zotit” apo fesë, ndaj dhe ka karakter të nënkuptuar e të pashprehur drejtpërdrejt (implicit). Këtu përfshihen tërë ata për të cilët besimi në “zot” nuk është fare pjesë e jetës së tyre.

    Ateizmi eksplicit është ai qëndrim dhe ecuri ku “zoti” apo feja hetohen imtas në aspektin teorik dhe rrëzohen shprehimisht duke iu nënshtruar zbërthimit të rreptë logjik. Ky lloj ateizmi është i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë (eksplicite) dhe nis filologjikisht që në lashtësi me Epikurin, Demokritin, Anaksagorën, Stratonin, Protagorën dhe vazhdon deri në ditët tona me një sërë mendimtarësh të tjerë si Fridrih Niçe, Dejvid Hjum, Bertrand Rasëll, Xhorxh Smith etj. Këtu përfshihen tërë ata njerëz të cilët e hedhin poshtë shprehimisht besimin në “zot”.

  12. esra on 20/01/2012 at 23:26

    Vete ateizmi eshte nje forme Besimi (se Zoti nuk ekziston)

    Kujdes me mire te besosh se ka “Dicka” sesa te besosh se ka “Asgje”.

    Vete universi dhe vetja juaj eshte deshmi e mrekullise se Krijimit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930