Strategjitë e harresës kolektive

04/03/2010

Strategjitë e harresës kolektive, ose

Përse nuk mund të mësojmë nga e kaluara

* Blendi Kajsiu *

Ka një paradoks të thellë në mënyrën se si konceptohet harresa. Në imagjinatën kolektive harresa është mënyra se si koha fshin faktet nga kujtesa. Ajo është antiteza e kujtesës dhe në raport të drejtë me kohën; sa më shumë kalon koha aq më shumë rritet harresa. Nga ana tjetër  ne besojmë që nuk mund të kujtojmë në mënyrë ‘objektive’   pa u distancuar në kohë nga e kaluara. Kështu distancimi në kohë njëkohësisht shton harresën, dhe qartëson kujtesën tonë historike. Për të kuptuar këtë paradoks duhet ta shohim harresën kolektive jo si një fenomen patologjik, por si një strategji politike në shërbim të së tashmes.  Ajo nuk është aspak një funksion i së kaluarës, por prodhim i së tashmes. E tashmja prodhon të kaluarën, dhe jo anasjelltas.  Prandaj nuk mund të ketë një përshkrim ‘objektiv’ të së kaluarës.  Cdo narrativë historike më shumë sesa një përshkrim i të kaluarës është një pasqyrim i vlerave, përplasjeve, interesave apo pretendimeve të së tashmes.

Në këtë proces harresa më shumë sesa patologji është një strategji për të differencuar të tashmen nga e kaluara, për të sendërzuar identitetet e së tashmes, për të ndërtuar pretendimet drejt së ardhmes.  Për këtë arësye harresa fiton një rëndësi të vecantë në të ashtëquajturat ‘kthesa historike’.  Në këto kthesa harresa kolektive është e domosdoshme për të risendërzuar identitetin politik dhe social të akorëve të së djeshmes, të cilët vetëm nëpërmjet këtij procesi mund ti mbijetojnë së tashmes dhe të pretendojnë të ardhmen.  Nëpërmjet harresës kolektive sistemet politike të së tashmes fitojnë një identitet të vetin duke u përcaktuar si antiteza të sistemeve të kaluara. Harresat kolektive në raport me sistemin komunist janë shembulli më i qartë i këtij procesi.  Për ta kuptuar këtë le t’i hedhim një vështrim të shpejtë disa harresave të së kaluarës, për të kuptuar se si ato përbëjnë një strategji për të ndërtuar të tashmen.

Sot kur flitet për demokracinë apo demokratizimin menjëherë nënkuptohet periudha post-komuniste, pas rënies së Partisë së Punës.  Si demokracia ashtu dhe demokratizimi është një process që në memorjen tonë politike fillon me pluralizmin politik, apo me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike.  Ndërkohë udhëheqësit e PP-së, si Ramiz Alia, njehsohen me diktaturën komuniste.   E megjithatë e kaluara duket pakasa më komplekse.  Kështu pas pleniumit IX të Patisë së Punës në Janar të 1990, por edhe më parë, fillon një fushatë e pandërprerë për ’demokratizimin e jetës në të gjitha fushat’, me një artikulim politik tejet të ngjashëm me atë të sotmin.  Kështu më 6 Qershor 1990, Ramiz Alia do shprehej në një fjalim tipik se; “Revolucionarizimi i gjithanshëm i jetës së vendit, demokratizimi i mëtejshëm i saj, janë mjet i sigurt për zhvillime të qëndrueshme e nxitje për të cuar përpara ekonominë, kulturën, tërë jetën tonë politike e shoqërore.”

Gjithashtu është vështirë të kujtohet se dicka e tillë ishte mjaft e lehtë për sistemin ‘totalitar’ komunist pasi ai në vetvete pretendonte të ish kulmi i demokracisë popullore.  Pra një sistem vërtet demokratik, ndryshe nga pseudodemokracia borgjeze. Andaj kërkesa për demokraci është mëse e natyrshme në universin diskursiv dhe konceptual të komunizmit.  Në fakt vetë sistemi komunist nga një pikëpamje tipike progresiste iluministe e shikonte vetveten  si përkryerjen e demokracisë pas demokracisë liberale borgjeze, që ndonëse ishte një stad më i evoluar se feudalizmi, përsëri nuk përbënte vërtet një sistem ku trupëzohej vullneti popullor, por një sistem ku ky vullnet deformohej, përjashtohej apo shtypej. Dhe ku proletariati ishte viktimë i asaj që Marksi e quante ‘ndërgjegja e rreme’.  Pak rëndësi ka nëse dicka e tillë është e vërtetë apo jo.  Ajo që harrohet është fakti se emërtimin totalitar këtij sistemi iu vu pasi ai u rrëzua.  Për sa kohë ai ekzistonte edhe atëherë, si dhe sot, pretendohej se po ndërtohej një demokraci e vërtetë, ajo komuniste.

Për këtë arësye edhe atëhere si sot flitej mjaft për pjesmarrjen e popullatës në vendimmarrje, dhe në procesin politik, prandaj i kushtohej rëndësi pjesmarrjes në votime sado fiktive të ish ajo.  Jo rastësisht theksoheshin organizma të shoqërisë të tipit Fronti Demokratik ku qytetarët mblidheshin dhe diskutonin, forume që pak a shumë luanin rolin e shoqërisë civile të atëherëshme, një shoqëri që në fakt nuk ekzistonte në koncpetin tonë aktual pasi ishte tejet e ideologjizuar.  Forume në të cilat nëpërmjet edukimit, pjesmarrjes apo angazhimit politik synohej ngritja e njeriut të ri socialist, të shkëputur nga e kaluara prapanike, mikroborgjeze apo feudale.  Ndërsa sot synohet, në mënyrë më pak agresive, formësimi i qytetarit/njeriut të ri demokratik, i shkëputur nga e kaluara diktatoriale. Prandaj edukimi qytetar, një frymëzim tipik iluminist ky, është një komponent i rëndësishëm i shoqërisë civile. Pavarësisht nga ’thelbi’ apo e vërteta e këtyre fenomeneve të paktën në nivel artikulimi ato kanë një sërë ngjashmërish me fenomenet e sotme, të cilat ose nuk theksohen, ose duket sikur janë harruar.

Sikurse edhe fakti që ndërtimi i komunizmit nuk përfundoi kurrë.   Socializmi ishte thjesht një stad tranzicional drejt komunizmit.  Një tranzicion që zgjati rreth 45 vjet, por gjithësesi një tranzicion.  Nëse ai djeshmi ishte një tranzicion socialist ky i yni sot është një tranzicion demokratik, që herë synon konsolidimin e demokracisë, herë integrimin e shqipërisë në BE.  Ajo që duhet theksuar është fakti se tranzicioni aktual nuk është një risi për Shqipërinë, gjë që duket se është ’harruar’ nga shoqëria jonë.  Tranzicioni më i fundit që ne kaluam ishte ai socialist, rreth 45 vjecar, le të shpresojmë që përvecse në përmbajtje tranzicioni i ri të ndryshojë edhe në kohëzgjatje, dhe mos të ndiqet nga ndonjë tjetër tranzicion.

Po kështu procesi i integrimit të Shqipërisë në një komunitet politik më të madh se vetja nuk përbën ndonjë risi.  Përpara BE-së Shqipëria është integruar me BS-në.  Nëse sot vijnë ekspertë nga BE-ja apo SHBA-të për të na ndihmuar në ngritjen e sistemit politik apo ekonomik, dje ata vinin nga BS-ja, Evropa Lindora apo edhe nga Kina.  Nëse sot për zgjidhjen e konflikteve politike janë të rëndësishme direktivat e delegacionit të BE-së, OSBE-së apo ambasadës Amerikane, dje ishin ato të ambasadës Jugosllave, Ruse apo Kineze. Me pak fjalë marrdhënia prind – fëmijë në të cilin Shqipëria ndodhet sot me BE-në, nuk përbën ndonjë risi, cka edhe mund të shpjegoj përse ajo është përqafuar me kaq entuzizëm dhe lehtësi.

Ashtu sikurse edhe dyzimi midis synimit tonë europian dhe realitetit shqiptar nuk është ndonjë risi në formë.  Ligjet tona në letër janë tejet ’europiane’ por në zbatim janë tejet ’shqiptare’.  Kështu që për sistemin politik që po sendërzojmë ekziston një rrezik real që nëpërmjet procesit të integrimit europian të ndërtojmë në sistem politik në letër gjithnjë e më larg sistemit politik në të cilin jetojmë.  Nuk do të ishte hera e parë që shoqëria shqiptare do jetonte në një dyzim të tillë midis asaj që deklarohet dhe asaj që jetohet.  Diktatura komuniste që kaluam ishte një sistem dyzimi apo hipokrizie par excellance.  Nga njëra anë glorifikohej sistemi socialist si arritja më e lartë e demokracisë popullore dhe e zhvillimit ekonomik, nga ana tjetër jetohej cdo ditë në një sistem politik diktatorial dhe në deprivim të thellë ekonomik.

Por edhe sëmundjet e sistemit tonë politik janë të ngjashme me ato të mëparëshmit.  Sot flitet pa fund për korrupsionin, dhe shpesh mendohet se ai pothuajse nuk ekzistonte gjatë regjimit komunist. Kjo vjen pjesërisht si pasojë e faktit që termi ’korrupsion’ lindi pas rënies së komunizmit.  Gjithashtu edhe fenomeni i korrupsionit kishte një tjetër dinamikë dhe kuptim në kontekstin e sistemit komunist. Megjithatë në kodin penal të komunizmit, mitmarrjes i kushtohen me shume se tre faqe, dhe tre nene të gjata.  Në të thuhet shprehimisht: “ Me clirimin e vendit dhe dhe vendosjen e pushtetit popullor në të gjithë vendin dhe deri më sot është zhvilluar dhe zhvillohet një luftë e rreptë kundër mitës, në planin juridik dhe atë ideologjik, duke e parashikuar këtë vepër shoqërisht të rrezikëshme si krim”.   Ja pra lufta kundër mitës, që në fakt është lufta e famshme kundër korrupsionit që po zhvillohet nga qeveria e sotme.  Një luftë që në fakt duket sikur filloi më 3 Korrik 2005, kur PD-ja erdhi në pushtet.  Duket se është harruar që kjo luftë ka qenë pjesë integrale e programit të PD-së që në 1992 kur ajo erdhi në pushtet për herë të parë, ndonëse atëherë u la paksa në hije prej luftës kundër komunizmit.  Kështu në 8 shkurt 1992, lideri i PD-së, Sali Berisha deklaronte në një intervistë për Le Figaro se “në qoftë se Shqipëria i jep fund problemit të saj politik duke mënjanuar komunistët, në qoftë se ajo likuidon korrupsionin, ajo do të mund të rimëkëmbë ekonominë e saj.” Ndërsa me të ardhur në pushtet në cilësinë e Presidentit në mesazhin që ai i drejton Kuvendit Popullor më 22 Prill 1992  Berisha shprehet: “është e domosdoshme që ky kredibilitet [i zgjedhjeve] të përdoret me mencuri dhe pa humbur asnjë minut kohë për ndërtimin e juridik dhe…luftën kundër korrupsionit”.

është interesante të vëresh se gjatë komunizmit mita apo ryshfeti shikohej si ‘pjesë e pandarë e aparatit shtetëror kapitalist borgjez e revizionist ku merr përpjestime gjithnjë e më të mëdha dhe ka përfshirë të gjitha sferat e aparatit shtetëror, ndërsa për aparatin tonë shtetëror është shfaqje e mbeturinave të së kaluarës dhe e papajtueshme me normat e moralit dhe të së drejtës sonë socialiste”. Ndërsa sot korrupsioni shikohet si pjesë e pandarë dhe karakteristike e vendeve në tranzicion apo në procesin e të ashtuquajturit konsolidim demokratik.  Në të dyja rastet ai është një element përcaktues dhe negativ i sistemit tjetër.  Sistemi komunist e shikonte atë si fenomen të kapitalizmit, ndërsa demokracitë e konsoliduara e shohin atë si pjesë të demokracive në konsolidim. Në të dyja rastet ky fenomen kryen një rol diferencues.

Por qëllimi i shembujve të mësipërm nuk është për të nxjerrë në pah ngjashmëritë e të shkuarës me të tashmen, as për të argumentuar se sistemi komunist është i njëjtë me atë demokratik. Natyrisht një listë më e gjatë ndryshimesh mund të përpilohej më lehtësisht.  Më lehtësisht pasi duket se janë pikërisht ngjashmëritë dhe jo ndryshimet që janë fshirë nga ‘kujtesa kolektive’.  Dhe pikërisht në ‘përsenë’ e kësaj harrese duhet të ndalemi për të kuptuar strategjitë dhe burimet e harresës kolektive.  Natyrisht këto strategji janë të shumta.  Kështu mund të argumentohet lehtësisht se harresa e ‘pjesmarrjes’ në sistemin komunist, që natyrisht nuk është e plotë, dhe theksimi i dhunës së këtij regjimi i shërben edhe lehtësimit të ndërgjegjes kolektive në raport me atë që ndodhi në të shkuarën.  është më e lehtë të kuptohet absurditeti i sjelljes njerëzore gjatë regjimit komunist nëpërmjet diktatit të dhunës sesa nëpërmjet entuziazmit të pjesmarrjes.  Aq më tepër kur botëkuptimi ynë për njeriun është thellësisht iluminist dhe racional.  Kur historinë, të paktën që nga Hegeli, por edhe më parë, e shohim ende si një proces linear progresi.  Në fakt tashmë demokracia shikohet si stadi më i lartë i zhvillimit politik njerëzor, ashtu si dje komunizmi.  Jo më kot ndokush si Fukujama do të parathoshte fundin e historisë me rënien e komunizmit.

Jo rastësisht theksohet mizoria e sistemit komunist, izolimi total, ashtu sikurse vete regjimi emërtohet totalitarizëm, pra një kohë e vdekur, totale, pa dinamikë politike.  Në këtë mënyrë eleminohet cdo mundësi veprimi nga individi, bashkë me cdo mundësi për ti bërë gjërat ndryshe, dhe si pasojë edhe marrja e përgjegjësive individuale apo kolektive. Disidenca bëhet e pamundur, dhe ndonjë rast disidence trajtohet si abnormalitet, duke prodhuar një ’kujtesë’ sipas së cilës në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera nuk kishte aspak disidencë. Dhe kështu përfundojmë në një hapësirë homogjene të të gjithëve fajtor dhe viktima njëkohësisht.  Ajo që vlen të theksohet është se ky portretizim i së shkuarës, që ndërtohet nëpërmjet harresës, është produkt i një investimi strategjik të një sërë aktorësh dhe faktorësh politik dhe shoqëror, më shumë sesa produkt i një realiteti historik që ekziston në vetvete dhe pavarësisht nga e tashmja.  Kështu izolimi total  50 vjecar për të cilin flitet shpesh kur referohemi komunizmit, më shumë sesa një realitet historik është një metaforë që përdoret për të dalluar të tashmen nga e kaluara.  Nëse ekzistion një ‘realitet’ historik mjafton të kujtojmë se Shqipëria ka pasur marrdhënie me USSR me Kinën, Jugosllavinë, studentë në disa vende të europës lindore si Ceki apo Hungari, si dhe një periudhë liberalizimi që më pas u ndoq nga një izolim i thellë, por që kurrësesi nuk ishte total në të 50 vitet e komunizmit, që në fakt ishin 45.

***

Në rastin e Shqipërisë harresa kolektive në raport me komunizmin është përcaktuar nga ndërveprimi i faktorëve politik dhe social në nivel mikro dhe makro.  Në nivel mikro revolucioni demokratik shqiptar u krye po nga elita poitik-sociale e vetë sistemit, dhe jo e armiqëve të tij, të cilët morën një rol dytësor në këtë process. Nga njëra anë Partia Demokratike kishte një interes imediat politik për ta denoncuar komunizmin si një sistem totalitar, pasi në këtë mënyrë eleminohej përgjegjësia e një pjesë të mirë të elitës së saj për pjesmarrjen në regjimin komunist. Të mos harrojmë se vetë lideri i opozitës së atëherëshme ishte një ish-komunist.  Në këtë mënyrë fitohej edhe simpatia e një pjese të mirë të elektoratit që clirohej nga barra e përgjegjësisë me parrullën ‘bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor.’ Nga ana tjetër Partia Socialiste e sapoformuar nga Partia e Punës ishte e interesuar të distancohej nga e kaluara e saj komuniste dhe njëkohësisht clirohej nga një pjesë e mirë e përgjegjësisë nën strehën e bashkëfajësisë dhe bashkëvuajtjes.  Së fundi, të persekutuarit politik të regjimit iu bashkuan denoncimit të totalitarizmit komunist jo vetëm si pasojë e vuajtjes së tyre nëpër burgje, por edhe sepse në këtë mënyrë shoqëria vlerësonte edhe më shumë vuajtjet dhe aktet e tyre heroike në një sistem tërësisht totalitar ku askush tjetër nuk kish guxuar të ngrinte kokë.  Në kushte të tilla qëndresa e tyre bëhej edhe më heroike.  Një akt heroik që pikërisht sepse ishte i tillë, dhe sepse provonte se rezistenca ndaj regjimit mund të ndodhte dhe kish ndodhur, nuk u përfaqësua politikisht.

Në nivel makro sendërzimin e regjimit komunist si një epokë homogjene, e njëtrajtëshme,e izolimit total gjatë së cilës koha u ndal për 50 vjet, më shumë sesa një realitet historik është një investim strategjik për të krijuar Tjetrin në raport me të cilin kuptohet dhe sendërzohet sistemi ynë demokratik. Pra përballë mungesës së lirive politike, izolimit, totalitarizmit, Moskës apo Pekinit regresiv dhe lindor, qëndron pjesmarrja politike, lëvizja e lirë, demokracia, shoqëria e hapur dhe Brukseli progresiv dhe perëndimor.  Demokracia më shumë sesa një përmbajtje të vetën merr kuptim në raport me diktaturën, totalitarizmin dhe izolimin.  Për më tepër në një vend si Shqipëria ku si pasojë e mungesës së disa vlerave themelore liberale është e vështirë ti japësh përmbajtje sistemit demokratik per se. Kjo është një strategji tipike në krijimin e identietit jo vetëm kolektiv por edhe individual.  Cdo komb, grup shoqëror, apo individ ka nevojë për një Tjetër në mënyrë që të krijojë identitetin e vet. Identiteti është porces diferencimi, i përfshirjes nëpërmjet përjashtimit, dhe anasjelltas.  Ne jemi shqiptarë jo thjesht si pasojë e karakteristikave të brendëshme kombëtare, por edhe sepse nuk jemi Grek, Serbë apo Maqedonas. Në këtë mënyrë totalitarizmi komunist i së kaluarës është i domosdoshëm për t’i dhënë kuptim demokracisë të së tashmes.   Aq më mirë kur kjo strategji në nivel makro, përvecse sendërzon demokracinë si sistem i ndryshëm politik në raport me komunizmin, përmbush edhe nevojat mikro të aktorëve politik.  Sikurse e thamë në një sistem të tillë pjesmarrësit clirohen nga barra e përgjegjësisë dhe e riprodhojnë vetveten tek e tashmja, tashmë si luftëtarë anti-komunist të demokracisë.

Nga ky këndvështrim mund të argumentojmë se parrulla ‘Liri – Demokraci’ e studentëve të dhjetori në protestat e tyre kundër komunizmit ishte momenti fillestar i harresës kolektive nëpërmjet të cilës filloi prodhimi i së tashmes si një kthesë historike në raport me të kaluarën.  Të dy këto element u morën nga vetë universi diskursiv i sistemit komunist.  Së pari, komunizmi jo vetëm pretendonte dhe fliste vazhdimisht për demokracinë popullore, por lideri komunist Aliaj prej kohësh kish filluar një fushatë për demokratizimin e jetës në të gjitha fushat.  Së dyti, liria ishte një nga konceptet bazë të vetë sistemit komunist i cili ndër vite e paraqiste komunizmin si një clirim të dyfishtë; të Shqipërisë nga nazi-fashistët, dhe të popullit nga skamja, mjerimi, analfabetzmi dhe klasat sunduese.  Pra vetë sistemi komunist identifikohej me këto dy elementë. Nuk është cudi që studentët të mbrujtur pikërisht në këtë sistem përdorën pikërisht këto dy elementë në një konfigurim të ri politik, duke arritur kështu një qëllim të dyfishtë.  Nga njëra anë duke e poziciounuar veten në opozitë me sistemin e zhveshën atë nga këto atribute.  Nga ana tjetër, si pasojë e kësaj fillon sendërzimi i sistemit komunist si një totalitet homogjen i mungesës së lirisë dhe demokracisë.  Një sendërzim që sikurse e treguam më sipër shfrytëzohet nga elita politiko-shoqërore ekzistuese për tu vënë në krye të kësaj lëvizje dhe për ta riprodhuar vetveten.

Ky është një moment tipik ku harresa kolektive sendërzohet si pasojë e strategjive politike në nivel mikro dhe makro duke krijuar kështu kthesën e madhe historike të së tashmes. Cdo kthesë historike nënkupton shkëputje dhe ndryshim nga e kaluara, pra bën të domosdoshme një proces harrese.  Në të kundërt nuk do të flisnim për kthesa por për vijimësi historike. Cka do të thotë se kthesat historike dhe rikthimi i kujtesës janë dy procese me shumë kontradiktore sesa paralele.  Natyrisht që cdo kthesë historike sjell me vete edhe kujtesën e saj, por gjithmonë një kujtesë që ndërtohet mbinjë proces paralel harrese. Ky është edhe problemi themelor me proverbin e famshëm ‘pësimet e së kaluarës, ti bëjmë mësimet e së tashmes”.  është vështirë të mësosh nga e kaluara kur ajo në fakt sendërzohet dhe e merr kuptimin nga e tashmja.  Do të ishte më e llogjikëshme që e kaluara të mësonte nga e tashmja dhe jo anasjelltas. Vështirë të mësosh nga e kaluara kur ajo që duhet harruar për të sendërzuar momentin historik të së tashmes është shpesh ‘mësimi’. Nuk është pra rastësi që shumë pak mësohet nga e kaluara. Që sot ne vazhdojmë të përsërisim shumë nga gabimet që kemi bërë edhe dje.

?

2 Responses to “ Strategjitë e harresës kolektive ”

  1. xixa on 06/03/2010 at 14:59

    Leximi i këtij teksti të Kajsiut më ka lënë një shije të veçantë, diçka të papërfunduar.
    Përse harresa e kolektivit është kaq spontane që të shëndrrohet deri edhe në strategji, ndërkohë që po këtij kolektivi i duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të mirëmbajtur kujtesën?
    Troç, harresa dhe kujtesa janë dy qëndrime të qenies sociale që heziton mes të shkuarës dhe të sotmes

    http://www.albanie-albanais.com/2010/02/metafizike-e-harreses.html

  2. hakim bey jr on 07/03/2010 at 00:59

    nuk mund te mesojme asgje nga e kaluara? mbase. po kryesorja eshte qe te mos shpresojme te mesojme ndonje gje nga e ardhmja.

    investimi ne utopi te palosura me kujdes ne llotarite e se ardhmes, jane edhe me problematike sesa ripertypjet lopthi te se shkuares.

    Shembull i mesimdhenies nga e ardhmja, gjithe duke u rrekur te harrojme 25 variantet e pranuara te se kaluares: a nuk na rekomandohet, psh, se nuk ia vlen te interesohemi shume per substancen e pavaresise kosovare, per separatistet vorioepiriote…sepse NESER do te jemi te gjithe ne Evrope, dhe kufinj e targa s’do kene me kuptim? etj etj

Leave a Reply

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar