Jemi një
* Elton Baxhaku *
Jemi një. Një jo si njësha. Një si një. Njëshi ka vetëm një kuptim për të qenë. Një është një edhe si dy pika uji. Një është një, si një ëndërr. Njëshi është një si gjuhë. Një është një edhe pse kështu ka qenë qysh prej gjithmonë. Pse paska pra nevojë për shpjegim, arsyetim se si një ishte një dhe sot është përsëri një?
Megjithatë ti e di që nuk ka nevojë të shpjegohet. Ti e di që për arsye të tjera nuk mund të thuhet, se thjeshtë është e pamundur të thuhet, se paskërkemi dhe punë të tjera, jo për gjë. Nejse, gjithsesi është mirë që ndjenjat të mos mbahen brenda, sidomos ndjenjat kombëtare. Kështu ti je i lirë të shprehësh ato gjëra që nuk ti lejon arsyeja shtetërore, ose thjesht pushteti.
Unë, ti dhe ajo jemi Një, edhe pse bashkëjetesën tonë na e ndaluan para disa, shumë pak, vitesh. Unë ti dhe ajo në fakt nuk jemi serb, as grek, e as maqedonas. Ndaj unë, ti dhe ajo jemi një. Një si shqip, shqip folna, ose në gjuhën e standartizuar të republikës së shqipërisë, shqipfolës. Shqipfolës, ti e di që ka shumë, tërë e tërë bahen shtatë o tetë milion. Shifër e pa besuar nga ata që nuk duan të thonë: ju jeni Një. Po ne ç’themi? Ne themi si ata? Apo ne themi që Ne jemi Një? Jo jo, ne themi: unë ti dhe ajo, si popull jemi Një.
Shteti, ose shtetet tonë, se tanimë paskemi dy edhe pse jemi Një. Se shteti ose shtetet, nuk duan që ne të themi jemi Një. Ai, shteti ose shtetet, thotë që ti je një, dhe vetëm ti, si individ fillikat i vetëm. Nuk ke asnjë që të thotë kështu si ty. Por, ti i vetëm i thua, jo jo, se Ne, unë dhe të tjerët jemi shumë. Po sa jeni, pyeti shteti? O, sa të duash, i thua ti, sepse vetëm një për një dëgjon shteti. Ndërsa Ne i bërtasim në vesh, se jemi Ne, jo për gjë. Ore, pyet ti më vehte, sa vetë jemi Ne? Asnjë të përgjigjet Ai. (në raste më specifike, Ai është dhe mund të jetë, si prej moti, ashtu dhe sot edhe nesër THE BIG BROTHER). Ndal tani dhe të llogarisim. Ai na llogarit. Llogaritna sa jena si NE: unë, ai dhe ajo = Asnjë. OK, XHIMI, po e ke bo gabim. Unë, ai dhe ajo jemi Ne dhe NJË. Ne që thua ti jemi më shumë se ç’mund të numërosh ti. Kufi si ato të tuat, në llogaritje, unë nuk i kam. Se nuk i vura unë kufijtë, ose kufizimet, që të mos jetoja nën një çadër, kur i thonë, me dashnin time.
Mirë ti, që je Ai, por ka edhe Ai të tjerë. Ai më të mëdhenj se ty. Në fakt, kam dëgjuar që ti më ke thënë atë që të ka thënë Ai, dhe më the se është më i madh se ty. Më duket se e kish emrin NDËRKOMBËTAR. Ua, si është ky se u kujtova tani, ndër kombe? I ndërfutur në punët e kombit? Hmm, dmth, çdo të thotë kjo: mbi apo nën? Nën, si poshtë kombit, apo sipër si xhandar? S’po di ma, ti di gja? Ndër-komb-ar? Aha, ndër komb paska ar. Kuptoj. Jo jo, më duket se e lexova gabim. Ku e lamë? Aha, po tek dashnia. E kemi lënë me këmbë të hapura, apo jo? Pse? Sepse, një komb si ky i yni, na paskërka dy shtete. Një këmbë-kombi-shteti këtej e një këmbë-kombi-shteti andej. Andaj, me këmbë të hapura përherë, një këndej e një andej, kushdo mund të vijë e të vë dorën në plagë, kur i thonë. Ne që jemi Një, e shohim që nga poshtë që këtu në plagën tonë të hapur, vijnë gjithfarëlloj mjekësh, për të mjekuar plagën e hapur. E mban mend doktor gjilpërën? Ashtu pak a shumë. Unë, ti dhe ajo, pyesim: Ore pse ky doktori mjekon plagën dhe nuk e lë t’i mbylli këmbët kjo e shkreta dashni? Kështu nuk do të kishte më punë këtej, e nuk do të djersiste më kot mbi një plagë që mbahet hapur nga këmbët hapur. A thua Ai nuk e kupton këtë ekonomi?
Aha, po, ekonomi! Ne, pra: unë, ti dhe ajo, e dimë mirë që kur jemi Një, jemi shumë edhe ekonomikisht. Mund t’i bëjmë bisht edhe serbit edhe grekut. Ndaj Ne themi që, Ne jemi ekonomikisht të pranueshëm në ballkan, pra unë dhe dashnia ime, po të jemi Një, bëhemi me lek, ose euro. Thjesht kemi më shumë. Dashninë e dua edhe për këtë. Që serbi mos të më shesë çokollatën që unë do t’ia bëj dhuratë asaj për 17 Shkurt, datën e lindjes në pasaportë.
Ore ti, që je Ne edhe Një, të të pyes, a di gjë për këto gjëra? Mirë e ke, nuk ke dëgjuar gjë, se televizori nuk e ka thënë këtë. Ka thënë vetëm që u hap ose u mbyll diga, u hap ose u mbyll kutia, u hap e u mbyll gjyqi gërdecit. Siç i thonë në gjuhën teknike hidraulike, çështje farfallash. Ose përrallash.
Ore ke shkuar ndonjë herë në veri të shqiptarisë. Ku? Në Mitrovicë ose më mirë në Preshevë, qytet në veri të shqipes. Aha, po ke të drejtë, ka kufi. Kufizim doje të thoje. E pra, imagjino që unë, ti dhe ajo mund të shkojmë në veri të shqipërisë, atje pas kufizimit policor të doganës, midis meje dhe dashnis time, dhe të koritemi me…! Me kë? Me Ne, që jemi Një. Me veten se nuk ka tjetër edhe pas kufirit policor. Të kënaqemi duke diskutuar, duke bërë ndonjë pazar, apo edhe të shkëmbejmë ndonjë filling, siç i thotë amerikoni.
Pastaj, Ne që jemi Një, dhe na thonë që jeni tre, apo dy sipas rastit, jemi boll edhe për t’u mbrojtur, me vullnetin që kemi. Në shtatë o tetë milion, ke mundësi edhe me zgjedh se çfarë të bësh. Bukur, imagjino për një moment (ose sa të duash ti) që mund të bësh ç’të duash. Se di, mua më pëlqen për vete dhe unë si ti dhe ajo që jemi Një, na pëlqen për vetat tona. Mos vallë nuk i pëlqen ndokujt. Po kujt? “Destabilizimit të situatës politike dashurore në ballkan”. Ej, më duket se dashnis time ia paska vënë syrin dikush tjetër, e nuk po më len të rilidhem me të. Di gjë ti? E e, më duket se kanë frikë ta thonë hapur. Mirë e ke ti. Se në fund të fundit ai i forti, serbi pra, nuk deshi dashnin time, por shtëpinë e saj. Më duket se këta Vëllezërit e Mëdhenj, duan diçka tjetër. Besoj se duan të ma punojnë dashnin. Jo, thua ë, nuk është kështu? Mbase.
Nesje, po të mblidhemi them se ia tregojmë vendin atyre të fortëve, se të fortë bëhemi vetë. E di ç’do të thonë pastaj: Leri ata që janë Një se po i ngacmove do të na rrahin. Më mirë të rrimë urtë që të mos na thonë ndonjë gjë për ato mënxyra që i kemi bërë. Ej, po më e bukur do të jetë kjo, që, do thuhet edhe në televizor: “stabilizohet situata politike dashurore në ballkan”.
A, edhe një gjë tjetër, a e di ti që kohët e fundit në televizor kam dëgjuar për një shok tonin, që është Një me Ne. Prit si ja thonë atij, aha, po u kujtova: Albin. Çun i pa pam. E kam mik. E dije? Se njeh? Ta thom unë. Ky ka kohë që po thotë që Ne jemi Një. Po po, ia ka thënë edhe serbit. Gallatë o burr, biles tani gallatë mo e modhe. E futën në burg, desh e vranë, po ky si duket e pëlqente atë vajzën që të thash më parë aq shumë sa nuk hoqi dorë. Prandaj e kam mik. Duan ta fusin prapë në burg, më duket, se thotë prapë të njëjtin muhabet, Jemi Një. Po këta që e mbrojnë, këta mo që dolën në televizor, të pa pam edhe këta. Janë miq të tërë këta më duket. Se edhe këta kështu thonë: Jemi Një. Më duket se janë po ata që nuk lejuan të mbyllet një shkollë kinemaje. Po po kinema. Hë mo s’të kujtohet Marubi? Si Marubët, ata fotografët e Shkodrës. E sheh që të kujtohen, se i ke parë në televizor. Si? Aha, po. Këta nuk dalin shpesh, edhe pse i ke pëlqyer në televizor. Këtej nëpër qytet, mund t’i takosh, ose edhe nëpër salla leksionesh. Prit se e humba fillin. Ku e lamë? A po me këmbë përpjetë. Jo more jo, ç’them kështu. Me këmbë të hapura të thash. E që thua ti, që nuk the asgjë, Albini, me ca të tjerë, si ai, si ti e si Ne, po thotë që nuk ban me qen njeriu i ndam nga dashnia vet. Po ata policat i pe? E, ata nuk të lenë të flasësh si do ti. Ata të vrasin po rezistove. E di ti besoj, se i ke parë në televizor, apo ishe tek ura bllokut. E firmose gjë peticionin apo jo?
E pra, ç’at thotë vllai jot, këto janë gjonat. Prandaj unë, ti dhe ajo nuk jemi veçse NJË. Mjafton që të mendohet pak për këtë çështje. Mjafton të kujtohesh se jemi si dy pika uji, dhe kufijtë nuk ndajnë dy popuj por vetëm dy administrata mbi të njëjtin popull. Sot kemi mundësinë që thjesht duke thënë: Jemi NJË, shpallim vullnetin tonë si popull. Të jesh Një është të jesh aq i fortë sa askush nuk do të guxojë të prekë më integritetin tënd. Vetëm kaq mjafton, për të qenë më shumë se mundësia e paraqitur nga big bradhërat që kontrollojnë. Jemi të aftë për vendosur vetë. Unë Ti Ajo = Ne themi ato gjëra që duam, bëjmë ato gjëra që duam dhe jemi ata që duam të jemi. JEMI NJË.
boll, mjaft zgjohu çohu dhe VETËVENDOS.












