Hapësira shoqërore në Kosovë, 1970-1989

13/03/2010

Hapësira shoqërore në  Kosovë, 1970-1989

Shënime për një sociologji të transformimeve klasore në Kosovë në epokën moderne

* Besnik Pula *

Diagrami i mësipërm (fig. 1) përbën një tentim për ta paraqitur në mënyrë grafike hapësirën shoqërore (social space) dhe strukturën klasore në Kosovë në periudhën e socializmit të vonshëm dhe bazohet në metodën e analizës së hapësirës shoqërore të zhvilluar nga Bourdieu, ndërsa të dhënat rrjedhin nga një ripërpunim i të dhënave nga studimet demografike të Hivzi Islamit, të bazuara në numërimet zyrtare shtetërore të popullsisë në krahinën e atëhershme të Kosovës.[i] Duhet të theksohet se metoda e Bourdieu-s, në bazë të të cilit është ndërtuar diagrami, është e bazuar në hulumtime më të thella (që përfshin sondazhe dhe intervista), përfshin gjithashtu distribuimin në hapësirën shoqërore të shijeve për konsum kulturor, dhe ndërtohet në bazë të metodës statistikore të analizës së korrespondencave (correspondence analysis). Diagrami i mëposhtëm përfshin vetëm universin e profesioneve dhe distribuimi i tyre në diagram është bërë në bazë të një llogarie të përafërt të pozicionit që grupet shoqërore kanë në saje të dy kritereve kryesore (boshteve dominante të dominancës shoqërore) në periudhën e socializmit të vonshëm, që kanë qenë kapitali kulturor (i matshëm me nivelin arsimor) dhe kapitali burokratik (i matshëm me pozitën në hierarkinë e pozitave në institucione kulturore, ekonomike dhe politike). Kapitali burokratik zëvendëson atë që për Bourdieu-n përfaqëson boshtin kryesor të fuqisë në shoqëritë kapitaliste, që është kapitali ekonomik. Në socializëm, përkundrazi, ku nuk ekzistonte prona private mbi mjetet e prodhimit dhe ku të gjitha institucionet ishin të përqëndruara në kuadër të burokracisë shtetërore, kapitali kulturor nuk i kundërvihej kapitalit ekonomik por përkundrazi atij burokratik (kapitali burokratik, madje, ishte mënyra e arritjes deri te kapitali ekonomik, që dëshmon për këtë formë kapitali si megjithatë një formë jo-dominante në shoqëritë socialiste), përderisa kapitali burokratik ishte i domosdoshëm për cilindo prodhues kulturor (shkrimtar, studiues etj.) që donte të siguronte një prezencë të përhershme në fushë (si p.sh. pranimi në punë të përhershme pranë institucioneve zyrtare kulturore dhe arsimore, qasja tek botuesit etj.), që shënjon pozitën e tyre si të dominuarit në mesin dominantëve, pozitë kjo që Bourdieu e sheh të vlefshme për intelektualët përgjithësisht.[ii] Padyshim se sot, sidomos në periudhën pas qershorit 1999, Kosova sikur shoqëritë tjera post-socialiste po përjeton një transformim të strukturave shoqërore (i shoqëruar nga strategjitë klasore të delegjitimimit dhe rilegjitimimit midis strukturave të vjetra dhe të reja dhe nga sensi përkatës i anomisë që ndjek këtë proces) me ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore kapitaliste ku kapitali ekonomik po zë shumë shpejt vendin e formës dominante e kapitalit, duke kushtëzuar të gjitha format tjera.[iii]

Për ta thjeshtëzuar skemën e diagramit, janë paraqitur në “regjione” tri grupimet kryesore klasore: klasa e lartë kadrovike (KLK), klasa e ulët kadrovike (KUK) dhe klasa punëtore industriale (KPI) bujqësore dhe jo-bujqësore si dhe fraksionet margjinale (siç janë zejtarët që zanatin e mësonin përmes trashëgimisë së drejtpërdrejtë të shegërtllykut, zakonisht brenda familjes, dhe të përjashtuarit nga sistemi formal ekonomik, siç ishin bujqit e prodhimit familjar). Në KLK janë përfshirë profesionet që zyrtarisht janë kategorizuar sipas kualifikmit superior dhe të lartë profesional (më 1971 rreth 10% e popullatës së punësuar), në KUK të kualifikuarit e mesëm dhe të ulët profesional, si dhe punëtorët me kualifikime të larta (32% të popullatës së punësuar më 1971), kurse në KPI punëtorët e kualifikuar, gjysëm të kualifikuar dhe të pakualifikuar (56% të popullatës së punësuar më 1971), pa dallime në kombësi. Diagrami pjesërisht zbërthen këto kategori sipas grupeve të profesioneve, duke i distribuuar ato në diagram në një mënyrë që përafërsisht tregon shkallën dhe llojin e veçantë të kapitalit të poseduar (p.sh., dallimi në mes të elitës kulturore dhe elitës burokratike, që një shkallëzim vetëm sipas kualifikimeve nuk e shpreh). Në diagram gjithashtu është supozuar pozicioni i asaj që, sipas terminologjisë së Weber-it, mund të quhet ‘inteligjencia proletaroide’, që përbëhej kryesisht nga individë me origina fshatare dhe me kapital të ulët kulturor e që nuk arrinin (për shkak të mungesës relative të dyfishtë të kapitalit) të legjitimoheshin si prodhues legjitim kulturor, duke marrë parasysh se një gjë e tillë nënkuptonte kalimin përmes ‘filtrave’ (në radhë të parë shoqërore, kurse në radhë të dytë mekanizmave të censurës zyrtare) të institucioneve zyrtare të prodhimit kulturor. Mund të supozohet se ky regjion përbën origjinën shoqërore të grupeve të shumta ilegale marksiste-leniniste në Kosovë që lulëzuan sidomos gjatë viteve 1970 dhe 1980, që tubonin kryesisht krijimtarë të tillë të ndaluar (poetë, shkrimtarë e gazetarë margjinalë apo të pabotuar) dhe studentë (sidomos të gjuhës dhe letërsisë shqipe) që aspironin legjitimimin e tyre në fushën kulturore përmes përmbysjes së vlerave dominante të fushës por duke shkuar jo drejt heterodoksisë dhe liberalizimit të fushës (siç ndodhi në disa pjesë tjera të ish-Jugosllavisë, sidomos në fushat e artit avant-garde, filozofisë dhe shkencave shoqërore) por drejt ortodoksisë kulturore që ofronte sidomos zhanri zyrtar dhe dominant i soc-realizmit dhe ideologjia dominante e marksizëm-leninizmit (e radikalizuar nga këto grupe përmes përvetësimit të kritikave enveriste të titizmit), e ku padyshim i ka shtyrë prejardhja nga një regjion i dominuar i hapësirës shoqërore, jo-urbane dhe të privuar nga format dominante të kapitalit kulturor e që, në ballafaqim me strukturat dominante, i ka shtyrë ata drejt një konservatorizmi kulturor (të shprehur në radhë të parë përmes sentimentit të intensifikuar nacionalist dhe duke parë vetën në radhë të parë si viktimë të diskriminimit kombëtar) që shpreh kështu jo shkëputjen por pranimin e plotë nga ky segment i dominuar të logjikës dominante të fushave kulturore dhe burokratike ekzistuese, logjikën e asaj që një shprehje e thotë më së miri: “të bëhësh më katolik se Papa”.[iv] Kjo logjikë shoqërore gjithashtu shpjegon pse forma dominante e disidencës politike në Kosovë deri më 1989 ishte jo liberale dhe anti-marksiste, por nacionaliste dhe radikalisht marksiste-leniniste, ndërsa pas vitit 1989, nacionalizmi anti-marksist lindi jo nga regjioni i dominuar por nga grupet dominante të fushës kulturore, ku bënin pjesë figurat e etabluara në institucionet zyrtare të prodhimit kulturor si Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Sabri Hamiti.

[i] Shih në veçanti Pierre Bourdieu, Distinction: A Social Critique of the Judgment of Taste, përkth. nga Richard Nice (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1984). Për burimin e të dhënave shih Hivzi Islami, Popullsia e Kosovës: studim demografik (Prishtinë: Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i KSAK, 1981).

[ii] Për një analizë të ngjashme të sistemit ekonomik në socializëm shih Janos Kornai, The Socialist System: The Political Economy of Communism (Princeton: Princeton University Press, 1992).

[iii] Bourdieu shkëputet nga analiza marksiste e kapitalit, ku kapitali përbën vetëm një vlerë ekonomike. Bourdieu ndërkaq koncepton ekzistencën e më shumë se të një forme të kapitalit (derivuar pjesërisht edhe nga sociologjia e Max Weber-it, i cili bën një dallim midis statusit dhe klasës shoqërore). Për më tepër, çdo fushë gjeneron edhe llojin e vet të kapitalit, pasi që posedimi nga aktorët të llojit të kapitalit që është specifik për fushën përbën parimin mbi të cilin determinohet pozicioni dominant apo i dominuar i aktorëve në fushë.

[iv] Lidhur me këtë shih refleksionin kritik të shkrimtarit Anton Pashku, i cili përpiqet të shpjegojë atraksionin e zhanrit të soc-realizmit (që ishte dominant në Shqipëri) në mesin e gjeneratës së re të krijuesve në Kosovë, përkundër mundësisë që ofronte liberalizimi relativ i fushës kulturore në ish-Jugosllavi për prodhimin e veprave të zhanreve të tjera dhe avant-garde aristike dhe letrare në këtë periudhë. Por, reflektimi i Pashkut ngelet në nivelin e një diskutimi të formave letrare dhe artistike, duke mos analizuar, siç do të kërkonte një analizë sociologjike, të dallimeve në origjinave shoqërore të pjesëmarrësve të rinjë që depërtonin në fushat kulturore dhe atyre që dominonin fushën kulturore gjatë periudhës në fjalë.

3 lexues e pelqejne kete shkrim.

Leave a Reply

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar