Hapat e panegociueshëm të progresit

14/03/2010

Hapat e panegociueshëm të progresit

* Leart Kola *

Filmi i famshëm Full Metal Jacket i regjisorit Stanley Kubrick është një nga monumentet që do të qëndrojë në historinë botërore për të shpjeguar dehumanizimin e individëve që gjenden në një luftë në krahun e gabuar. Në një pjesë të këtij filmi Koloneli i drejtohet me këtë frazë ushtarit Xhoker, që luan dhe personazhin kryesor: “Ne jemi këtu për të ndihmuar vietnamezët, sepse ne besojmë që brenda çdo vietnamezi fshihet një amerikan i cili mezi pret që të dalë në pah, të çlirohet nga trupi i vjetër prej vietnamezi ku është burgosur”.

Manipulimi spektakolar që përmban fraza është shumë shqetësues, sidomos për ata që ndjekin zhvillimet politike në Ballkan, ku shfaqet qartë rruga në të cilën po ecin politikat perëndimore. Sigurisht që në këtë rast qëndrimi simbolik i ushtarakut amerikan duket nga jashtë si shprehje demagogjie në kushte të jashtëzakonshme lufte, po faktikisht është një modus operandi, kudo ku promovohen regjime mafioze, që sundojnë nën ombrellën e demokracisë liberale të shoqëruar nga një sistem kapitalist ekonomik.

Më kujtohet që në ditët e para të pasluftës gjendesha në Ferizaj, një qytet 40km. larg Prishtinës. Ishte situatë shumë interesante sepse patrullimin e qytetit e kryente ushtria amerikane. Ushtarët amerikanë silleshin brutalisht me banorët, për çdo kontroll rutinor i detyronin të shtriheshin me fytyrë në baltë, duke ua mbajtur këmbën mbi shpinë. Këto kontrolle përgjithësisht ndodhnin në mes të qytetit dhe për arsye banale, psh. edhe kur të kërkonin dokumentet identifikuese ndodhte e njëjta skenë duke e bërë të qartë që – dhe pse jemi nga ana juaj, ne qëndrojmë mbi ju e për pasojë ju mund të trajtoheni si qenie humane vetëm nëse “çlironi” çka keni burgosur prej nesh, brenda jush.

Nuk diskutohet që Nato ishte nga ana e “të mirëve” në luftën e pabarabartë që po zhvillohej në Kosovë, ashtu siç është i padiskutueshëm pozicioni i NATO-s në mbylljen e luftes me shumë më pak viktima se sa pati në Bosnjë, por a ishte kjo e NATO-s një luftë për Liri? Dhe mbi të gjitha, a mundet që dikush tjetër të luftojë për lirinë tënde? A mundet që lufta për liri t’i delegohet një individi apo një instance jashtë trupit tënd fizik dhe politik, a mundet kjo luftë të mos jetë ekzistenciale, pra e mbyllur ndaj atyre që nuk marrin pjesë direkte në të? Unë mendoj që kjo është e pamundur, se brenda trupit të një ballkanasi nuk fshihet asnjë amerikan apo francez që pret të çlirohet. Në të kundërt, unë besoj që ka qenë pikërisht aplikimi i kësaj ideologjie që e ka berë raportin mes Ballkanit dhe Perëndimit të mbushur me frustracione. Zhvendosja e raportit prej kushteve të reciprocitetit në një raport protektorati jo vetem ekonomik por dhe kulturor. Shumë nga pseudointelektualët shqiptarë jo vetëm që nuk i bezdis ky protektorat, por ndihen madje të përkëdhelur nga kjo përkujdesje kaq e madhe dhe e pamerituar, duke e vendosur mentalitetin popullor në kushte servilizmi dhe apatie. Kjo tek të huajt është reflektuar më pas me mbështetjen e individëve dhe partive të dyshimta, duke propozuar këtë lloj politike jo vetëm pa pikën e drojes, por dhe me arrogancën e njerëzve superiorë. Pikëpyetja tani është se ku shkuan vlerat e lirisë, barazisë, drejtësisë e demokracisë, që aq shumë propagandohen nga perëndimi? Ku janë ato në Kosovë e në gjithë Ballkanin? Askund, sepse demokracia për perëndimorët është vetëm ajo që kanë në shtetet e tyre, se ata nuk i vuajnë pasojat e vendimeve të tyre, për këtë arsye janë të lirë të marrin çfarëdolloj vendimi. Ky është një tregues i qartë që vlerat janë të paeksportueshme.

Është më se e qartë tanimë që Ballkani në tërësinë e tij, drejtohet nga parti e individë tejet të korruptuar, që si qëllim të vetëm kanë përfitimin personal me çdo kusht. Sa herë qëllon të takohen shqiptarë, boshnjakë, serbë, malazezë etj. duket qesharake, por problematikat që diskutohen janë të njëjtat e shpeshherë nën të njëjtën perspektivë. Varfëri ekstreme, diferencim absolut i shtresave shoqërore me një klikë bizneso-politike super të pasur dhe me një shumicë banorësh të stërvarfër, korrupsion absolut në shëndetësi dhe arsim, e mbi të gjitha kudo është i njëjti model politik, i bazuar tek privatizimet e shpejta e të menjëhershme, kombinuar me krijimin e një shoqërie totalisht konsumatore dhe aspak prodhuese. E mbi të gjitha një supermafia që nuk njeh kufij religjozë dhe kulturorë, por ka një bashkëpunim të shkëlqyer ndëretnik.

Kjo mënyrë e të bërit politikë në Ballkan tolerohet haptazi nga institucionet ndërkombëtare të cilat e kanë më të lehtë që në krye të këtyre shteteve në Ballkan të favorizojnë klika të korruptuara (për pasojë lehtësisht të shantazhueshme), e nën hijen e stabilitetit i afrojnë, i shtyjnë apo i shpallin të pavlefshme zgjedhjet, duke e bërë kështu qesharake demokracinë përfaqësuese, dhe duke shkelur jo vetëm mbi principet mbi të cilat ekziston perëndimi, por dhe mbi principet që u hodh Komunizmi në Ballkan. Qartazi institucionet perëndimore nuk janë të interesuara në krijimin e një situate demokratike me punën e tyre, duke ia mbivendosur parimin e “stabilitetit” atij të “së drejtës”. E kur thonë “stabilitet” nënkuptojnë favorizimin e kompanive të tyre, që me pak korrupsion të privatizojnë asete nën vlerë. Kjo është dhe arsyeja pse në vende ku lehtësisht europianët mund të vendosnin drejtësinë, si Kosova psh. ku e menaxhojnë gjithë makinerinë intitucionale, korrupsioni jo vetëm nuk dënohet por favorizohet si një “pop-kulturë”.

Në këto kushte Ballkani po vendoset brenda një debati shumë të gabuar kulturor, në mënyrë që të eleminohen pyetjet e vërteta, që janë ato ekonomike. Shumica e intelektualëve në Ballkan kanë kaluar në pozicione publike mazohiste në dukje, por që sponsorizohen fort nga interesat politike, duke hapur tema boshe mbi orientalizmin dhe europianzmin, një lloj racizmi i vetëshpallur, i tipit “kur do të na trasformoni në qenie perëndimore ne orientalëve kafshërore e të paqytetëruar që rrimë gjithë ditën nëpër kafene?”. Të denoncosh dembelizmin kulturor orientalist në një zone që ka përqindjen më të lartë të papunësisë, dhe mungesën e vendeve të punës ta propagandosh si dembelizëm, është pika më e lartë e servilizmit dhe e injorancës.

Gjithashtu po aq interesantë janë analistët politikë, që nëpër shkrimet e tyre akuzojnë apriori vetëm klikat politike në Ballkan si Kriminale, në mënyrë që të legjitimohet hegjemonia ndërkombëtare në Ballkan. Sot favori më i madh që mund t’i bësh politikanëve nga pozicionet e një opinionisti të pavarur është pikërisht të depolitizosh politikën nga vlerat që e mbajnë në këmbë, siç është ndershmëria dhe angazhimi. Duke krijuar perspektivën që politika është diçka e fëlliqur, e që kushdo që futet në të do fëlliqet herët ose vonë, i bëjnë nder pikërisht atyre që sot janë në politikë e po e përdorin atë për interesa personale, duke penguar çdo lloj iniciative nga individë me integritet që do të donin të hynin në politikë për ta ndryshuar atë.

Kjo mënyrë e të qeverisurit apolitik në Ballkan po demaskohet, pavarësisht se sot klasat politike, duket sikur kanë pushtet të pakufizuar. Realiteti nuk është ashtu. Klasat politike ekzistente kanë një mungesë të theksuar mbështetjeje popullore, aq pak mbështetje ka sa sot janë detyruar që ta blejne ekzistencën e vetvetes me para. Mungesa e aftësisë për të qenë popullore i ka vendosur në rolin e një pushteti simbolik, të cilit i mungon substanca që çimenton një parti, pra njerëzit. Nuk ke askënd sot në Ballkan që të flet me optimizëm për ndonjë parti politike apo ndonjë politikan, përditë  e më shumë këto klasa shihen si një e keqe e madhe që po shfrytëzon popullin dhe territorin e shtetit per tu vetëpasuruar.

Mbështetja e kësaj klase politike nga europianet dhe burgosja e zërave opozitarë, e mbi të gjitha rritja e hendekut social-ekonomik mes të pasurve dhe të varfërve duke eleminuar gradualisht klasën e mesme shumë shpejt do të krijojë premisa të rrezikshme në këtë zonë të botës. Varfërimi ekstrem i popullsisë do të sjellë qytetarët që shpëtimin ta shohin pikërisht në të kundërtën e asaj çka propagandon sot perëndimi, pra pikerisht në forcat regresiste antidemokratike (fetare, nacionaliste etj.).

Format e kanalizmit të urrejtjes ndaj klikave të korruptuara në pushtet do të mund të çojë në krijimin e një partie populiste fashiste, siç ishte regjimi i  Millosheviçit, që bazuar mbi represionin policor do të ndërtohet pikërisht mbi shkeljen e çdo parimi të lirise. Duke shfrytëzuar varfërinë e popullit do të mund të ndërtohej një fashizëm ballkanik i provuar më parë, që do të krijonte premisa shume të rrezikshme territoriale, pasi vetë ekzistencën e tij fashizmi e ndërton mbi racizmin dhe represionin.

Alternativë tjetër, po aq regresiste, është që këto masa të dëshpëruara të popullsisë ta gjejnë shpetimin nëpermjet fesë. Që tani po shihet rritja masive e pjesëmarrjes së njerëzve në këto institucione, të cilat në një të ardhme nuk do të përbënin më vetëm sfondin moral të shoqërisë por do të mund të trasformoheshin në parti të mirëfillta politike. Këtu nuk duhet të ngatërrohemi me partitë Kristiane që ekzistojnë në Europë, apo me atë të Erdoganit në Turqi, në Ballkan iniciativa të tilla do të rezultonin fatale për ngritjen e shoqërisë mbi principe demokratike. Po të shohim Maqedoninë, Bosnjën dhe Kosovën, ka një rritje progresive të numrit të të varfërve që trajnohen nga organizata fetare, duke shkatërruar kështu një prej vlerave që perëndimorët vlerësuan tek indigjenët ballkanas, tolerancën fetare.

Kështu që dhe pse duket paradoksale, e vetmja mënyrë për të ruajtur vlerat e demokracisë perëndimore janë grupet apo individët që sot janë skeptikë për politikat e perëndimit në Ballkan. Kundërshtarët e sotëm janë shpëtimtarët e nesërm. Grupet përherë e në rritje të së majtës ballkanike që sot po ngre zërin për mungesën e pjesëmarrjes së qytetarëve në politikë, për privatizimet dhe vendimet ekonomike që po shkaktojnë varferi. Rritja e mbështetjes për këto grupe jashtë-parlamentare që po denoncojnë këtë oportunizëm dhe politikën e terrorit të përditshmërisë, mundet që në të ardhmen të plotesojnë premisat e subjektivizimit politik te popullit duke i bërë pjesëmarrës aktivë në zhvillimin e pergjithshëm.

Grupe intelektualësh e studentësh po i bëjnë rezistencë kësaj forme jo demokratike të aplikimit të demokracisë përfaqësuese në hapësirën ballkanase, kërkesat e tyre janë të qarta, më shumë angazhim qytetar në vendimmarrjet madhore; ndërtimi i një shteti që të jetë bazuar tek drejtësia sociale. Këto janë të vetmet grupe që po e rikthejnë diskutimin tek varfëria, përherë e më shumë.

Krijimi i një solidariteti të majtë mbarëballkanas, do të krijonte një situatë të ruajtjes së sistemit demokratik përfaqësues dhe të forcimit e thellimit të tij. Kjo do të mund ta bënte rajonin efiçent ekonomikisht nëpërmjet një bashkëpunimi më të gjerë duke e bazuar ekonominë jo vetëm tek konsumi, por mbi të gjitha tek prodhimi, që nga ana e vet do të krijonte premisat e një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, dhe një luftim të sinqertë të varfërisë nëpërmjet aksioneve konkrete, pra me ndërtim industrie prodhuese, jo me takime nëpër salla hotelesh luksoze ku të varfrit janë veç statistika të ftohta në raporte qesharake.

Kjo do ta trasformonte Ballkanin jo në një grusht shtetesh problematike dhe në një rrezik konstant emigrantësh për Europën, por në një partner serioz politik dhe ekonomik. Është shumë e vështirë të ketë një perspektivë pastërtisht shtetërore, pa patur një të ardhme dhe një plan rajonal zhvillimi. Nëse vendet ballkanike nuk integrohen së pari mes njëra-tjetrës, integrimi në Europe, do të jetë simbolikë pa substancë. Këtë leksion po na e jep Greqia, e cila dhe pse anëtare me të drejta të plota në BE, po kalon krizën më të rëndë ekonomike të historisë se saj. Shembulli i Greqisë është vetëm fillimi i asaj çka mund të jetë nesër efekti domino i kolapsit të gjithë shteteve përreth.

Për të evituar këtë fat, forcat e majta progresiste si të vetmen alternativë serioze dhe si të vetmin artikulim të qartë duhet të fillojnë të organizojnë popullatën në dy nivele. Së pari refuzimin e klasës aktuale politike, si përgjegjëse për shkatërrimin e ëndrrës së zhvillimit demokratik, e së dyti, krijimin e një programi mbarërajonal zhvillimi politik dhe ekonomik bazuar mbi një rishpërndarje më të drejtë të pasurisë.

Europa duhet të fillojë të shqetësohet për zhvillimet që po ndodhin në Ballkan. Hibridët bosnjakë dhe kosovarë që janë krijuar së fundmi, dukshëm nuk janë funksionalë, mbështetja e qeverive të korruptuara në vendet e tjera do të mund të prodhonte një situatë totalisht të pakendshme, që do ta kthente dhe një herë rrezikun e fuçisë së barutit. Përfitimet që kompanitë europiane po marrin sot nuk do të mund ti justifikojnë shpenzimet e nesërme, kur rajoni të rrëshkasë në ndonjë proto-fashizëm religjoz.

Forcat e majta progresiste intelektuale janë përpara një sfide të madhe historike. Kompromisi me pushtetin e sotëm do të thotë promovim i regresit të nesërm, po aq sa pasiviteti i intelektualeve sot, do t’i bënte ata bashkëfajtorë për çdo tmerr të nesërm që mund të krijohet nga shfrytëzimi i dëshpërimit kolosal që ka kapluar gjithë rajonin.

Ne nuk na duhet të kërkojmë perëndimorin që fshihet tek ne, por të konsolidojmë ballkanasin progresiv demokratik, i cili përdor logjikën dhe mbron interesin e përbashkët në konsolidimin dhe zhvillimin e vendit. Ne duhet të rikrijojmë në vetvete vlerat demokratike që e kanë lindur Europën e sotme. Ashtu siç thotë dhe Slavoj Zizek: “Ne duhet të jemi absolutisht modernë”. Duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë moderne, çdo nostalgji, çdo kthim mbrapa do të sillte pasoja të pashlyeshme te kjo pjesë e botës që e ka paguar me shumë gjak dhe dhunë, përplasjen e interesave ekonomiko-politikë të subjekteve e institucioneve jashtë saj. Askush nuk e lufton dot luftën tonë, as BE, as ShBA, as Rusia. Këtë luftë e luftojmë vetëm ne, dhe vetëm ne mund ta fitojmë. Liria jonë për t’u zhvilluar është e duhet të jetë absolutisht e panegociueshme.

8 lexues e pelqejne kete shkrim.

One Response to Hapat e panegociueshëm të progresit

  1. hakim bey jr on 14/03/2010 at 19:28

    Ju dhe 4 te tjere e pelqeni kete shkrim

    ME duket perhere joburrerore te bej komente nga anonimati, por edhe me emer serisht ka nje permaqse cinike kjo pune: ti shkruan dhe je hapur per qasje ndaj publikut dhe historise, komplet i plagosshem nga gjithe ky ekspozim, dhe dikush ulet e ta le nje koment, qofte edhe pershendetes, pa i hyre ferre ne gisht.
    Gjithsesi, shkrimi me pelqeu shume shume shume.

    Po behem paaak i keq: Zizekun edhe po mos ta kishe permendur, nuk do i ulte asnje grime vlere shkrimit. Perkundrazi, permendja e tij bie pak era fetish, sepse absolutish joesenciale per aty ku eshte vene.
    Eshte bere pak si passage obligé permendja e ketij burrit, qe perkundrazi eshte fantastik per llogari te vet

    Se mos keqkuptohemi: edhe njehere-SHkrim fenomenal , qe nga metafora nistore e deri tek deshmia dokumentare dhe parashtrimet teorike.

    I them, pavaresisht se autori nuk ka nevoje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar