Udhëtim në tokën e askujt

07/02/2010

Udhëtim në tokën e askujt

* Leart Kola *


Në një artikull të Agon Hamzës, në numrin e kaluar te gazetës, më tërhoqi vëmendjen kjo shprehje e përdorur për Kosovën “vendi ku vrasja e qytetarëve nuk përbën më krim”. Kjo shprehje mund të përdoret fare mirë dhe për Shqipërinë, një lloj no man’s land, një aksident me makinë ku të dy jeni me targa të huaja dhe askush s’ka siguracion, një shqiptar pa dokumenta në stacionin e trenit në Berlin, jemi pashaporta e rënë në det, ndërkohë që po kacaviresh ne anijet e Otrantos. Jemi një i pasur në Rio de Janeiro që për t’u transportuar brenda qytetit i duhet të udhëtojë me helikopter, jemi banorë të zonave të varfra në favellas braziliane ku vrasja e banorëve rrit GDP e vendit. Jemi Lula da Silva në një botë kapitaliste, jemi Milton Friedman ne vitet ‘30 në Bashkimin Sovjetik.

Jemi gjyqi i Albin Kurtit me gjykatës ndërkombëtare që në fundjavë shkojnë në restorantet tradicionale të Kosovës. Jemi kamarierët e kujdesshëm ndaj klientëve tek ndonjë restorant chic në Prishtinë, dhë në të njëjtën kohë jemi Moni dhe Arbeni. Jemi taksistë lindorë në Neë York, jemi i vetmi vend që nuk ka adresa por ka kryeministër dhe kryetar opozitë, jemi Hashim Thaçë ashtu sikurse jemi Adem Jasharë. Jemi puthadorët e të huajve në 2010 ashtu siç jemi shkelmabythët e të huajve në ‘45. Jemi ish-komunistët, ish-pronarët, ish-ushtarakët, ish-feudalët, ish-ruajalistët, ish-marksisto-leninistët, ish-stalinistët… jemi ish-qytetarët.

Jemi vendi ku krimi nuk konsiderohet krim, ku Fatmir Mediu firmos, Delijorgji zbaton, 26 banorë vdesin, jemi ata që nuk denojnë askënd, jemi ata që nuk bëjmë dot lidhjen mes këtyre fakteve. Jemi ata që në 30 metra katror kemi gjykatë, kryeministri, presidencë, ministri, kinema, oborr mbretëror, muzikë tallava dhe kufij akoma të papërcaktuar. Jemi nacionalshovinistë me dokumenta grekë, jemi minoritarë grekë me fotografinë e Enverit në mur. Jemi vrasës serialë për arsye xhelozie aty ku seksi konceptohet vetëm si riprodhim. Jemi tifozë të Milanit, Juves dhe Interit. Jemi prindër të përgjegjshëm kur jemi fëmijë, dhe fëmijë në momentin qe bëhemi prindër, jemi ushtarët e UÇK-së pa uniforma në ‘96, jemi ata që veshëm uniformat e UÇK në ‘99, pas bombardimeve të NATO-s. Jemi antarë të NATO-s, jemi trupat në Afganistan, Irak dhe Bosnje, jemi ushtria e pajisur me pandofla dhe me 18 helikopterë francezë. Jemi parajsa e tenderave jemi vendi më i varfër në Ballkan, ku është miniera më e madhe e arit për manipulatorët që merren me politikë. Jemi me kryeministër të majtë që bën politika të djathta, e me kryetar opozite socialist që bën politika të djathta.
Jemi fshatarët që blejnë Mercedes 240 se kjo i duron rrugët tona, jemi rruga e kombit që kushton sa gjithë traktorët e Ballkanit. Jemi myslimanë, kristianë, ortodoksë, bektashinj, protestantë, baptistë, jemi dështimi i Che Guevarës në Angola dhe dështimi i revolucionit kulturor në lushnjë. Jemi udhëheqësit shpirtërorë të gjysmës së liderave afrikanë dhe latino amerikanë, jemi dështimi i zgjedhjeve, mos-hapësit e mëdhenj të kutive.


Jemi vrasës me pagesë dhe pa pagesë, jemi pensionistë që kanë ndërtuar hidrocentralin dhe ujësjellësin e tani me një pension 80 mijë lekësh paguajnë ujë e drita që kushtojnë 100 mijë lekë. Jemi tragjedia neo-liberale e 30% me një dollar në ditë, ndërkohë që vetëm buka që kushton 1 dollar. Jemi krenarë, luftëtarë, militaristë, individualistë. Jemi ushqyer me patate që ishte dhe bukë dhe gjellë, jemi ata që në restorante patatet i marrim dhe me makarona. Jemi ata që besojnë tek shteti, pikërisht kur na mungon, jemi institucionalë, dashamirës të korrupsionit dhe adhurues të Berlusconit.

Jemi Ali Ahmeti në xhami, Arbër Xhaferri në libra filozofie, kemi shoqëri civile paraprakisht, pa e ndërtuar më parë shoqërinë. Jemi dështimi i sociologjisë dhe triumfi i tregut të lirë. Jemi dashuria e madhe e kapitalizmit pa dashnor, jemi subjekte interesante për të gjithë ata që vijnë nga jashtë për të bërë fotografi. Jemi indigjenët e rinj, plotësuesit e ethshëm të stereotipeve perëndimore, jemi të gjithë pro luftës në Irak, kemi keqardhje pse s’po fillon dhe në Iran.

Jemi Lasgush Poradeci, Fatos Lubonja, jemi të gatshëm për revolucion por nuk e dimë se kur do të ndodhë. Ndërkohë jemi duke ushqyer pushtetin me të fundit palca kurrizore të mbetura. Jemi tigra në Bengal, jemi pro ngrohjes globale dhe kundër shfrytëzimit nga afendikotë grekë. Jemi për liberalizimin e vizave, pa patur asnjë dysh në xhep për të udhëtuar. Jemi të vetmet qenie njerëzore të vërteta në këtë kontinent fals, jemi banorët më të vjetër me popullsinë më të re në Ballkan, jemi zotëruesit me pahir të territorit që na përket, jemi territorialë me riprodhim në bazë kuotash, jemi të vetmit që kanë gjallë nënat heroina, por që e përdhosim përditë nënën Shqipëri, jemi bathorja, kullat e Fidelit dhe stadiumi Qemal Stafa. Jemi pronarë me tapi të një territori që nuk ka ndarë akoma pronat. Jemi engelsianë dhe tradicionalë në të njëjtën kohë, jemi territor i lirë, jemi vendi ku krimi nuk konsiderohet krim, por jemi të vetmit që mund të ndryshojmë, përshtatemi dhe të rifillojmë duke harruar gjithçka që ndodhi. Do të jemi tmerri i atyre që sot pushtetin e ushqejnë me frymën dhe me votat tona, jemi subjektet e reja politike, jemi partia e vetme politike në një shtet ku për parti ka firma ndërtimi. Jemi një telefonatë larg suksesit, jemi paramilitarët e progresit.

Leave a Reply

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728