Qesh se më keq do të bëhet

09/02/2010

Qesh se më keq do të bëhet

* Andi Kananaj *

Elidoni, në përpjekjen që unë të mos hiqja dorë nga shkollimi në Itali, më dërgoi me e-mail një histori të shkurtër. Ai vetë e quajti të përkthyer keq, ndërkohë nuk mund ta konfirmoj se nuk e kam parë asnjëherë origjinalin…

“Ndërsa mendohesha për zgjedhjet e mia një zë i thellë që erdh’ nga kaosi më tha:

Mos rri i mërzitur, qesh se më keq mund të  bëhet; e besova, qesha… dhe vërtetë më keq u bë”.

Pas 20 vjetësh në pritje, plot besim që bota mund të bëhet më  e mirë, gjendem para zgjidhjes së mësipërme. Duhet të qesh se gjendem në Ballkan i getoizuar në pritje të plotësimit të ca raporteve dhe standarteve pa emër. Kjo, jo se kam bërë ndonjë “gabim” paraprak. S’kam kryer asnjë veprim që Kodi Penal ta konsiderojë të dënueshëm. Jam shqiptar nga perëndimi i Ballkanit. Ky është krimi im… molla jo plotësisht Perëndimore.

Jam gati në  kushtet e një çifuti në Spanjën ultra fetare të inkuzicionit, diku nga mesi i viteve 1400. Në atë kohë kur dhe datohet për herë te pare racizmi me fjalët “Një hebre nuk mund të jetë kurrë një katolik i mirë”. Ndoshta, çështjet që përfshijnë origjinën janë të destinuara të mbeten çështje të llojit të pakapërcyeshëm.

Për shkak të lindjes anagrafike në një territor të caktuar, lëvizja vazhdon të jetë e kufizuar në hapsirë. Kufizimi, sado i paarsyshëm të duket, mund të marrë përmasa edhe më penalizuese: në fakt, kushdo që vë në diskutim arsyeshmërinë e kësaj mase duke vendosur njëlloj të qarkullojë lirshëm, rrezikon të penalizohet me një gjobë që ndoshta nuk ia mban lëkura. Në mos më keq akoma, të qëndrojë në burg për ca kohë. Në pritje mund të qeshë sa të gajaset fare.

Fakti që vendet e Europës lindore, nga viti 1989 e në vijim, përmbysën idetë e tyre mbi organizmin dhe funksionimin e ekonomisë duke ndryshuar gjithashtu kursin politik, nuk mjaftoi që perëndimi të hiqte dorë nga pozitat e supremacisë. Axhenda perëndimore duket e pasur me të tjera komplikime për lindorët.

Luftrat për fenë, politikën apo territorin vijuan, ashtu si luftrat “etike”, ku etika vazhdon të jetë eskluzivitet perëndimor.

Bota e pas vitit ’89, pavarësisht se krijoi iluzionin e fundit të luftës së ftohtë, u përkeqësua. Luftrat vazhduan me të njëjtin ritëm që patën edhe gjatë ftohjes me armë në dorë të superfuqive. Në të vërtetë lufta konsiderohet ende si mjet i suksesshëm fitimi dhe rrjedhimisht e pa neglizhueshme në botën e neoliberalëve. Lufta është turpi i disave, po aq sa lavdia e ca të tjerëve. Për sa na takon, luftrat në Ballkan na kanë vulosur me markën e fuçisë së barutit. Përndryshe, kurora me dafina paqevënëse, u takoi perendimorëve draftues të arsyeve të luftës.

Pas 20 vjetësh në pritje plot besim, shteti që ish’rreth meje, po privatizohet. Toka, ushtria, spitalet, varrezat, ushqimi i qenve, ish mapot, vendet ku jam rritur, vendet ku do plakem, dyqanet e perimeve, pallatet e ushtarakëve, shkolla e muzikës, teatri dhe estrada e Vlorës, ish telekomi, muzeu kombëtar, ilirët, koka e Deas, banka e kursimeve, shkrimet e Fatos Lubonjës, motra e shokut tim të gjimnazit, libri i Muç Nanos, burgu i Fatos Nanos, të gjithë tani kanë pronarë të huaj, ose pronarë pa shkollë. Qesh se kam kohë të lirë sa të duash.

Pas 20 vjetësh, arsimi prodhon injorancë me çmim të lartë, edhe pse janë shtuar mundësitë për të pasur më shumë libra. Perëndimit nuk i bëhet vonë nëse nesër do të këtë një vend të izoluar optimalisht si ky i yni, me 3 milion doktorë shkencash. Askush nuk do të vërë ujin në zjarr se ne do të përfaqsojmë këtë hapësirë qesharake ku dekoratat do të jenë shitur kaq demokratikisht. Sistemi është blinduar me Curriculum Vitae të shqiptarëve të tejmbushur me tituj “Gjenish”.

Institucionet e arsimit privat, haptazi duket se do të mbijetojnë. Ato ofrojnë shërbimet e duhura me përulësinë e duhur. Pedagogët janë çirakë me mëditje. Studentët apo bijtë e pronarëve të rinj, kanë hapësira intime ku mund të zhvillojnë sadizmin e tyre përkundrejt dijes dhe atyre që kanë lexuar. Ndërkohë nuk kanë asnjë stres performace meqënëse provimet e tyre janë formalitet. Mund të shumohen meqënëse kanë kohë të lirë për t’iu dedikuar seksualitetit brenda llojit në kafet e ndërtuara në kah të kundërt me bibliotekat dhe auditorët.

Qesha dje në  shoqërinë e një pronari të një universiteti, për arsye krejt të ndryshme. E imja ishte e qeshur nga halli, e tija ishte përqeshje e të qeshurës time. Të dy mbetëm të kënaqur nga e qeshura.

Më keq mund të bëhet, sigurisht… Mund të shpërthjë një fshat me emrin Gërdec. Mund të kalojnë vite pa u zbuluar kush ishte fajtori apo kush përfitoi aq shumë përkudrejt jetës së 26 njerëzve. Mund të përmbytet sërish Shkodra dhe askush të mos bezdiset në Tiranë realisht. Të aktrohen deklarata pa fund mbi përmbytjen, sikur të ishte hera e parë. Njësoj sikur përpara një pallati që digjet, zjarrfikësit të vënë maskat dhe të luajnë Romeo dhe Xhuljetën. Aq më keq nëse njerëzit që digjen, të qajnë kur Xhuljeta të vdesë. Ose të shqetesohen se roli nuk pati suksesin e duhur. Ose se nuk u shiten bileta aq sa të inkurajoheshin mjaftueshëm amatorët e teatrit.  Unë do qesh se më keq mund të bëhet.

Në krye të Partisë së majtë erdhi përsëri një i djathtë. Sa mirë. Plani i zhvillimit është përsëri privatizimi.

Ide gjeniale.

Do t’i japë të huajve për dy lekë digat që ndërtuan baballarët tanë, ata që sot janë pa pension. Mundësia hipotetike se një ditë shteti do të kthejë sytë nga funksioni i tij social duket e largët, edhe më më shumë sesa mendohej në vitet ‘90.

Mund të  vazhdojmë edhe kështu pa u menduar më. Mund të jetojmë shumë mirë pa fund duke korruptuar mjekët, policët, mësuesit në shkolla, drejtorët e drejtorive, këshilltarët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët, sekserët e këshilltarëve të Qeverisë.

Nuk duhen ndërtuar pallate për më të varfrit. Nuk duhet të ketë klinika ku të shërohen ata që s’kanë mundësi ta bëjnë me lekët e tyre. Nuk duhet të ketë shkolla për të gjithë.  Kjo na dembelos.

Ndërkohë rreziku është larg. Kryeministri është i djathtë siç na e ka ënda. Ai po mundohet me mish e me shpirt që të shesë çdo hapësirë publike.

Po të  kish mundësi, edhe të qeshurën do ta kish shit’ me kohë. Sa keq do ndihesha në këtë rast.

Pasi lexova e-mailin me 5 rreshta, qesha dhe nuk u largova dhe për ca kohë nga Italia. Atje zbulova se kritika sociale ishte një e drejtë e çdo qytetari. Zbulova me habi se një politikan nuk mund ta deklarojë me krenari se është hajdut me çizme. Zbulova anipse rrallë e tek, se një klasë politike mund të zëvendësohet nga një prokuror i vetëm. Ndoshta jo me një klase politike më të mirë, por të paktën shpresën nuk ta mohon njeri. Zbulova që shteti nuk është në funksion të garës neoliberale për të identifikuar atë që është më i miri gjenetikisht…

Nuk e di pse po kur më është dashur ta kujtoj, në asnjë rast nuk kam qeshur dot.

Be the first to like.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728