Nëse do të shkosh në Tropojë

08/02/2010

Nëse do të shkosh në Tropojë


* Esmeralda Rrustemi-Hoxha *

Data 3 Janar 2010, ora 05:00, një mëngjes i ftohtë dhe plot lageshtirë në Tiranë dhe ja ku jam unë, pranë PD-së , vendit më të dashuruar prej tropojaneve që u hipin furgonave qe të cojnë në verilindje.

“Po hë more, ty do t’pres unë – i bërtet shoferi dikujt ne celular…
Zakonisht janë shoferat  e furgonave që mbledhin njerezit nëpër shtepi  dhe pastaj nisen, por këtë herë  na kishte lënë takimin në stacion. Këmbet e mia ishin bërë kallkan e ndërsa duart dhe veshet nuk i ndjeja më, kur krejt papritur dëgjoj shoferin të pëshpëriste “Do shkojmë qafës së malit ,s’kemi c’bejme” …

Sa s’më ra pika, po mendoja 8 ore rruge ne rastin me të mirë, nëpër male dhe në të ftohtë. Nuk u mendova dy herë por zbrita dhe po shikoja si e çmendur se cfarë drejtimi të merrja por, s’thonë kot që ka raste qe fati te troket atehere kur s’e pret:
“Per ku je oj sojnike” – dëgjoj një zë që vinte nga dritarja e një furgoni. I tregova  hallin tim dhe ai me xhentilesën më te madhe (po jua le të lirë imagjinatën) më hapi derën dhe më nderoi duke më treguar me kokë vendin e parë.

“D’gjo tashti moj motër- vazhdoi ai- une jam deri n’Koman dhe pastaj kthehna, por ti mos u mërzit se mun me marrë anijen e vogël dhe me shku deri n’Fiirzë e aty t’presin furgonat e Bajram Currit”. Nuk bera zë, me leverdiste në një farë mënyre qe të mbërrija te prindërit (i kisha premtuar vajzës që do shkoja ta merrja atë ditë).

Me ndalesat, ecjet, ngarkesat e bagazheve të njerëzve (njëri kishte blerë kolltuqe të reja dhe i vendosi sipër kabinës), furnizimin me karburant, dolëm nga Tirana ne 7 te mëngjesit, pasi kisha 2 orë qe vija rrotull kot.

Ora 10:00, në Koman, ku është nje mishmash njerëzish, kafshësh shtëpiake, thasesh me miell dhe drush. I ftohti qe bëhet me therës nga era që fryn nga gryka më kujton që duhet në mënyrë urgjente te kryej ca nevoja personale dhe mbi të gjitha te pi nje kafe qe të mbledh veten. Tualeti 3 min, kafja 5 min kur dëgjoj nga larg që trageti nuk niset për tu kthyer kjo sepse desh kishte ngelur në rërë kur kishte ardhur, por që anija e vogel ( qe ngjan si kabine autobusi mbi komardare) është gati për tu nisur. Kapaciteti i saj 80 persona,  por atë dite së bashku me mua (me mori zoti mëndjen dhe hipa) shkoi  120. Mundohesha të beja nje cikë vënd per tu ulur (udhetimi zgjat plot 2 ore e 25 minuta – me thane) ne karriget prej kompensate por si perfundim ngela në këmbë.

Ndryshe nga trageti,  anija ndalon nëpër stacione të vogla rrëzë maleve  ku zbrisnin njerez me thasë me ushqime ose hipnin njerëz qe zbrisin deri në qytet per tu ngarkuar me ushqime.

Njerezit jane të lumtur kur udhetojne, të paktën mua kjo përshtypje më krijohet gjithmone kur i shoh. Fytyra të lodhura por të qeshura, plaka me tre dhëmbë ne gojë qe hanë mollë ose fëmijë të vegjël me qurre deri poshtë mjekrrës që kullufisin banane. Njerëz me halle dhe te padalë, njerez qe Laçin e Vaut te Dejës e kane piken me luksoze kur zbresin nga malet e Pukes per të berë pazarin, njerëz të zhurmshëm por zemër bardhë. “Hajde tu bafte lokja jote, ulu afër meje“ – më tha plaka me tre dhëmbë dhe më ofroi nje mollë duke e fshire me sa mundësi që kishte në xhamadanin e saj. E si mos t’ja marrësh mollen asaj plake me rrudha vitesh ne fytyre dhe thinja hallesh ne koke! U ulem dhe po me bënte muhabet duke më treguar qe një herë në javë së bashku me djalin, nusen dhe nipat zbriste deri në Lac të Vaut të Dejes, dhe bënin pazar. Kur e pyeta se pse zbrisnin te gjithë ajo u pergjigj me te qeshur dhe me sy të gëzuar: “ Epo kan qef f’mia me dal moj nanë”

Shtepine e kishte dicka dy ore larg që nga stacioni ku e linte anija e vogël dhe që aty ngarkonin nje kalë qe i priste dhe ngjiteshin qafes se malit, rrepirë e lodhshme por gezimi i dites së kaluar ne “qytet” ua fashiste lodhjen.

Pas një ore udhëtim dallgët filluan të lozin me anijen sic loz Tea ime e vockel me anijen lodër në vaskë ku here pas here e zhyt.

Sic duket prurjet e mëdha e kishin gërryer shtratin  e liqenit dhe dallgët përplaseshin me njëra tjetrën në një vend ku vinin prurje edhe nga  mali.  T’ju them qe isha bere limon në fytyrë është pak, po shikoja mundësinë e daljes në kuvertë sepse, mendoja të paktën nëse përmbytet mund të hidhem, sepse dritaret ne kabinë ishin aq të vogla sa s’të lejonin te dilje. Pas 15 min tmerr gjithcka u qetësua , kur ndjeva një dore ne sup “Mos u tut he burrnesh – më thotë pronari i anijes, kur une po zgurdulloja syte nga frika- se kjo anije që po shef ti është ba për det dhe ka 8 dhoma t’vockla ajri poshte” . Bëra sikur e kuptova se c’donte të thoshte me ato dhomezat dhe i ktheva nje buzëqeshje (që ne fakt më doli si ngërdheshje)

Udhetimi zgjati 3 orë te plota dhe isha gati te puthja token kur zbrita. Itinerari tjeter ishte Raj ( eshte nje vend i quajtur kështu ku ndalojne tragetet sepse per të shkruar deri në Fierzë ku ka qenë stacioni i tyre ka vite qe s’bëhet llaf) – Fierze – Bajram Curri. Dicka 30 minuta zgjati edhe kjo pjesë rruge, duke menduar se rruga është copash dhe me gropa shekullore. Si përfundim isha në shtëpi ne oren dy të pasdrekes , plot nëntë orë që nga momenti që kisha dalë në stacion në Tiranë.

Para ca kohësh kam pyetur se si ka mundësi qe nuk  është bërë një rrugë anës Drinit në mënyrë që njerëzit të mos ishin të varur nga Trageti (oraret, ngecja në rërë apo cmimet) apo nga rruga e lodhshme dhe e stergjatë e Qafes se Malit. Më kanë thënë që ekziston nje plan i studiuar rruge i bërë nga një inxhinier tropojan andej nga vitet tetedhjete, por pas vdekjes së tij ai tabak letre ka humbur sirtarëve te pluhrosur prej vitesh. Arsyeja ?!?

Nejse, e dini qe trageti i ri e ka emrin SALALBA …?

Rruga e inaguruar pak para zgjedhjeve të vjetshme: U gëzuam edhe ne tropojanët për rrugën e re dhe nderin e kombit. Me ate rruge, Tirane-Kukes-Gjakove-B.Curri e bëje për pesë orë duke llogaritur këtu edhe 20 minuta kafe,por edhe kjo nuk na eci; u shëmb tuneli, e rruga ka filluar po prishet. Qafa e malit i ka rrugët shumë të ngushta dhe në dimër ngrin aq shumë sa edhe me zinxhir ke frike të udhëtosh. Trageti ngelet traget me riskun e ngecjes në rërë në dimër nga rreshjet dhe prurjet e shumta dhe përsëri me rrezikun e ngecjes në rërë në verë kjo prej mungesës së prurjeve dhe thatesirës.

Për aq kohë sa ne do të jemi të varur nga natyra për të udhëtuar për qejfin apo hallin tonë, për aq kohë sa ideja e rrugës anës Drinit të ngelet vetëm ëndërr e bukur, për aq kohë që qeveritë që vijnë ,ikin dhe ri-vijnë përsëri në pushtet  thjesht nuk e vënë ujin në zjarr për popullin, atëherë do perballemi gjithmone me pengesa ne kohe dhe infrastrukture.

Nese do te shkosh ne Tropoje interesohu ne fillim nëse niset trageti apo jo !!!!

1 lexues e pelqen kete shkrim.

2 Responses to “ Nëse do të shkosh në Tropojë ”

  1. Ardit R, on 08/02/2010 at 20:07

    Nje nga reportazhet me interesant dhe te detajuar qe kam lexuar.
    Komplimentet e mia.

  2. Reli on 09/02/2010 at 05:37

    Kjo eshte e bukura e udhetimit, e panjohura, sakrifica.

Leave a Reply

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728