Kur Politika i fshihet Logjikës

08/02/2010

Kur Politika i fshihet Logjikës

* Arbër Zaimi *

Siç e do “Populli”, apo Vox Natio

“Thuaje thjesht, që ta kuptojë populli. Mos përmend shifra, nuk t’i kupton populli shifrat. Mos hyr në detaje teknike, fol ashtu në përgjithësi, se do të ngatërrosh publikun. Nuk ka interes publiku për detajet”. Të këtij lloji janë devizat mediatike të politikanëve shqiptarë. Në fjalimet, shkrimet apo debatet e tyre nëpër media ke mundësi t’i dëgjosh tek përdorin fjali të shkurtra e të përgatitura që më parë në zyrat e tyre të shtypit, ndërkohe që paraqesin argumenta sterilë dhe një retorikë prej kompjuteri, e gjitha kjo në emër të publikut popullor, këtij tjetri masiv që perceptohet si budalla, injorant, apo në rastin më të mirë si dikush që nuk ka shumë kohë të dëgjojë mesazhe të artikuluara hollë, kështu që i duhen thënë gjëra të përgjithshme, ashtu shpejt e shpejt.

Situata bëhet edhe më komike, kur gjeste të pajustifikueshme logjikisht, të papranueshme për etikën e një politike konstruktive, siç është përshembull mungesa e programit elektoral të Partisë Socialiste, në vend që t’ia atribuojnë paaftësisë së politikanëve për të prodhuar mendim politik, ia mveshin atmosferës që krijohet nga “populli” (që sipas shefave të kësaj partie dhe vartësve të tyre qenka postpolitik, i painteresuar për programe, i painteresuar për ditur se cili është kahu apo filozofia politike e forcës që votohet, por me dëshirën e vetme për “të hequr nga pushteti Berishën dhe familjen e tij”). Dështimi për të justifikuar gjestin politik në mënyrë të arsyeshme, dhe justifikimi nëpërmjet “popullit” bie në sy dhe në anën tjetër, tek aleanca famëkeqe e Partisë Demokratike me LSI-në, një aleancë e pamendueshme po të analizosh qëndrimet e dy partive deri më datë 30 qershor të 2009, qëndrime krejtësisht konfliktuale e përjashtuese të njëra-tjetrës. Mirëpo ja që aleanca u bë dhe prodhoi një qeveri hibride (që pritet të jetë dhe shterpë, si të gjithë hibridët), ndërsa faktori kryesor në krijimin e kësaj alence të pamundur qe sërish populli, që sipas krerëve të dy partive ish-kundërshtare, tregoi me votën e tij se ka nevojë për stabilitet, për pushtet të ndarë mes disa faktorëve, dhe për zhvillimin e vendit kah integrimi europian. Qëllimisht harrohet se shumë prej votuesve të PD-së nuk e shihnin dot me sy Ilir Metën para zgjedhjeve, ndërsa ata të LSI-së Berishën e përdornin për të trembur fëmijët në darkë. E pra, ja që po këta votues paskan “dashur” që aleanca të krijohet dhe të prosperojë.

Nuk duhet shumë për të kuptuar hendekun që krijohet mes të vërtetës së përditshme dhe realitetit virtual që shprehin politikanët nëpër gazeta. Dështimi logjik bie në sy sidomos kur për të sjellë në vëmendje premtimet trashanike politikanët i referohen nëpër shkrime apo fjalime “njeriut mesatar”, të cilin gjithnjë e takojnë ose duke pirë ndonjë kafe dhe ky vjen e i pyet “po hë more bir, si do t’i bëhet hallit të Shqipërisë”, ose e takojnë duke udhëtuar nëpër Shqipëri, në ndonjë vend të humbur e të varfër, ku ky njeriu mesatar lë kazmën, vjen te politikani dhe i qan hallin për hudhrat që sivjet s’po rriten aq të shëndetshme sa herët e tjera. Pas pyetjes fillestare të “njeriut mesatar” vjen përgjigjja, e cila përbën vetë shkrimin apo fjalimin e politikanit që luan një lloj teatri fiktiv me vetveten, bën sikur dikush e ka pyetur, dhe më pas i përgjigjet me fjalët “popullore” që do të donte të dëgjonte dikushi i fantazuar.

Ka një sharlatanizëm pas përdorimit të “popullit” apo të “njeriut mesatar” si justifikues në retorikën politike, që përveçse përbën një dështim logjik skandaloz, mund të sjellë (dhe shpeshherë sjell) regres sa i përket mentaliteteve dhe dinamikave politike. Dështimi logjik qëndron në faktin se shumë prej çështjeve etike (por edhe teknike, apo politike) anashkalohen duke pretenduar që nuk kuptohen nga masat, a thua se po u krijoka një pushtet teknicienësh në Shqipëri që qeverisin me masat injorante pa kuptuar me to. Pyetjeve mbi programin e Partisë Socialiste, apo mbi aleancën PD – LSI (që të vazhdojmë me shembujt e fillimit) nuk u jepet përgjigje as sot e kësaj dite, ndërsa edhe ngjarjet e aktualitetit shpehherë trajtohen si përralla, përshembull nuk do të dihet kurrë nëse ka fajtor politik për krizën ekonomike, nëse ka përgjegjësi politike për përmbytjen e shkatërrimin e pronës së mijëra shqiptarëve, apo nëse ka përgjegjësi politike për disfunksionalitetin e institucioneve të legjislativit, apo korrupsionit të gjyqësorit. Sa herë që ngrihen çështje të tilla përgjigjja është gati, dhe është shabllon “Këto janë çështje teknike, dhe nuk i kupton publiku”. Mirë këto, që qenkan çështje teknike, po e çuditshmja është që këtij publiku nuk i flitet as për mënyrën se si do të zgjidhen problemet e bujqësisë, se si do të menaxhohet transporti urban, apo se si do të mbërrihen standartet e gjelbërimit nëpër qytete, pra nuk i flitet as për problemet që e prekin drejtpërsëdrejti, pasi nuk i kuptoka. Sjellja e politikanëve është ofenduese, dhe aspak e justifikueshme. Së pari duhet kuptuar që “populli” nuk përbën assesi një masë homogjene intelektualisht apo profesionalisht, së dyti duhet kuptuar që është më e vlefshme ngritja e nivelit të debatit, se sa përshtatja me mediokritetin. Marrja si shabllon e ndonjë njeriu të painformuar apo të prapambetur natyrisht që do ta çojë argumentimin dhe retorikën në regres.

Megjithatë për shumicën e politikanëve shqiptarë duket se pak rëndësi ka diskursi politik, apo niveli i debatit, në fund fare veprimet e tyre karakterizohen nga një konsistencë që të lë të kuptosh se nuk e kanë hallin tek “populli”. Në të vërtetë fshehja pas “popullit” dhe pas nocioneve të tjera abstrakte e të papërcaktuara ndodh vetëm për arsye të shmangies së përgjegjësive dhe fshehjes të paaftësive, gjë që bie në sy dukshëm sidomos në rastin e atyre që dështojnë, që në vend që të analizojnë arsyet e humbjeve të tyre politike, i bien shkurt duke krahasuar veten e tyre me ndonjë makinë luksoze që dëmtohet tek ecën në rrugët me gropa të mentalitetit vendas.

Imponimi i ndërkombëtarëve, apo Vox Inter Natio

Ndërkombëtarët në njëzet vjetët e fundit do të kishte qenë më mirë t’i kishim quajtur Mbikombëtarë. Për arsye të ndryshme, herë të justifikuara e herë jo, janë ndërkombëtarët ata që vënë vulën për shumëçka në Shqipëri. Shumë mund të argumentojnë se nuk ka asgjë të keqe në këtë gjë, pasi sa herë kemi dashur t’i “vulosim” vetë gjërat ato kanë shkuar keq, argument që qëndron në rast se mbështetet me kulturën e munguar institucionale e politike të shqiptarëve. Mirëpo ndërkombëtarët, me ose pa dashje kanë ndikuar për keq në proçesin e demokratizimit, ashtu siç nuk e ka pritur shumica e shqiptarëve në mirëbesimin e përgjithshëm që rrethon çdo gjë të jashtështetshme në kitsch kulturën tonë politike.

Ajo çfarë ndodh është që klasa politike shqiptare (pa bërë përgjithësim absolut, e kam fjalën për shumicën e saj), ashtu siç shfrytëzon popullin për të justifikuar veprimet e veta trashanike, po njësoj shfrytëzon ndërkombëtarët në përpjekjen e saj për të anashkaluar diskutimin mbi problemet reale të shqiptarëve. Kështu mund të justifikohet mungesa e hetimit transparent për zgjedhjet (pra hapjes së kutive) nëpërmjet kërkesës së “ndërkombëtarëve” për afrim të palëve, kështu mund të justifikohet negociata jo transparente për kufijtë detarë (që bie era dhurim), kështu mund të justifikohet mungesa e subvencionimeve për ekonominë latente të fshatrave e qyteteve. Kështu madje mund të justifikohet dhe paradoksi i fundit, “revolucioni bosh” i Edi Ramës, që thotë se i njeh zgjedhjet, i njeh institucionet (se ia kërkojnë ndërkombëtarët) por nuk merr pjesë në to sepse nuk beson në to (kështu madje ka për t’u justifikuar edhe fundi i këtij revolucioni pa thelb). Të gjitha këto janë “veprime politike” që ndodhin si pasojë e shtrëngimeve prej ndërkombëtarëve. Dhe që në këtë moment shndërrohen në tabu, në diskutime që as nuk mund të hapen.

Nga ana e politikanëve shqiptarë ndërkombëtarët përbëjnë një bekim, pasi ky subjekt gjysmëmitik kryen disa funksione beneficiale. Së pari legjitimojnë vazhdimisht sharlatanizmin e klasës politike shqiptare me pohimet e tyre diplomatike “as mish as peshk”, së dyti ngushtojnë sovranitetin dhe fushëveprimin e politikës duke imponuar shtrëngime në emër të një integrimi për të cilin duket se nuk janë shumë entuziastë.

Ndërsa nga ana e vetë ndërkombëtarëve Shqipëria trajtohet në një mënyrë të çuditshme neo-kolonialiste. Konceptualisht dikotomia e përdorur gjerësisht nga vetë përfaqësuesit e vendeve perëndimore por edhe nga shqiptarët është “ndërkombëtarë” përballë “lokalëve”. Kjo dikotomi është një projeksion eufemik i mentalitetit kolonial që ndante “kolonët” nga “indigjenët”. Subordinimi i “lokalëve” ndaj “ndërkombëtarëve”, në një mënyrë ose në një tjetër natyrisht që ka pasoja në sjelljen e në kulturën politike. Në të vërtetë ndërkombëtarët ashtu si çdo subjekt tjetër i papërfshirë si protagonist ose si agonist në proçeset tona duhen parë me syrin e analizës logjike, jo me atë të të vërtetës së padiskutueshme, pavarësisht qëllimit të tyre të mirë për të na “sjellë demokracinë”. Duhet mbajtur parasysh mirë që demokracinë francezëve, britanikëve apo amerikanëve nuk ua ka shpënë kush, se demokracia mund të gëzohet vetëm nga vetë populli që e fiton, ajo nuk mund të eksportohet apo importohet. Në këtë sens, do të qe mirë që ndërkombëtarët të trajtoheshin me gjithë respektin e duhur si miq, si partnerë dhe si këshillues, por jo si tutorë, si prindër apo si padronë politikë.

Përdorimi i popullit ose i ndërkombëtarëve si kategori imperative justifikuese, vullneti i të cilave qenkërka përmbi nevojën për mendim politik, apo përmbi logjikën nuk është gjë tjetër veçse një sjellje mashtruese që gjatë gjithë tranzicionit ka bërë të mundur kalimin nën rrogoz të sa e sa ndyrësive, ka bërë të mundur promovimin e politikanëve bosh, pa vlera e pa qëllime, ka bërë të mundur lënien në harresë të çështjeve jetësore të Shqipërisë e të shqiptarëve. Në të vërtetë politika shqiptare ka nevojë për individë që të dinë të artikulojnë logjikisht, që të dinë të prodhojnë mendim politik, pa e gjetur legjitimimin tek një popull i supozuar si mendjelehtë, apo tek ndërkombëtarët që flasin nga Olimpi që u kemi ngritur vetë ne.

Be the first to like.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Follow saktivista on Twitter

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni BalkanPress

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728