Kundër ligjit

05/02/2010

Kundër ligjit  
 

* Agon Hamza * 
 

Viteve të fundit gjithnjë  e më shumë po shkruhet e po flitet për Kosovën si vend i kolonizuar. Madje edhe në qarqe të caktuara progresive ndërkombëtare, pranohet fakti mbi Kosovën si vend të kolonizuar, ndërsa disa filozofë e quajnë vend të okupuar. Por, cila është forma e kolonizimit/okupimit të Kosovës? Ose më saktë (thënë në diskursin Althusserian), pyetja që duhet shtruar është mbi çështjen e “marrëdhënies me objektin e tij” – dmth, cili është raporti ndërmjet politikave kolonizuese dhe objektit të kolonizuar?

Ndërmjet të ashtuquajturit kolonializëm klasik të shekullit të kaluar dhe kolonializmit të epokës së kapitalizmit të vonshëm global ekziston një dallim krucial: i pari mbulohej nën maskën e “civilizimit të aborigjinëve”, ndërsa i dyti vepron nën masken e “demokratizimit të popujve”. Që nga viti 1999 e tutje, ne i takojmë kategorisë së dytë. Për më tepër, Pako e Ahtisaarit vetëm se e sublimoi (por nuk e lartësoi) këtë status në një nivel tjetër: në nivel të Kushtetutës Shtetërore. Por, në instancë të fundit, siç shkruan Althusser, Kushtetuta është “unifikim dhe sistematizim i ideologjisë dominuese, si mjeti krucial për hegemoninë ideologjike të Shtetit”. Dmth, Kushtetuta e Republikës së Kosovës qëndron si mjeti kryesor ideologjik e politik shtetëror për zbatimin e Pakos të Ahtisaarit; ajo qëndron nën Pakon, sepse është mjet i Pakos. Pakoja e Ahtisaarit është instanca e fundit e përcaktimit të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ndërsa Kushtetuta është mjet për këtë.  

Nëse flirtojmë me konceptin e homo sacer të Giorgio Agamben, atëherë rezultati i leximit të Pakos së Ahtisaarit (si dokument juridik) del se ne, qytetarët e Kosovës, jemi zyrarisht qenie homo sacer: njerëz të de-subjektivizuar nga çfarëdo përmbajtje juridike – shkurt, ne jemi shndërruar në njerëz, vrasja e të cilëve nuk përbën krim (kujto 10 shkurtin 2007). Ndërsa, në leximin tjetër të Pakos së Ahtisaarit (si dokument ideologjik), rezulton në konstatimin se përceptimin racist nga optika e Brukselit e Washingtonit për shoqërinë kosovare si shoqëri të kriminalizuar, skajshmërisht të dhunshme, etj (dëshmi për këtë janë KFOR–i, misioni i EULEX, etj). Në këtë kontekst, a nuk është Albin Kurti rasti më eklatant i sintetizimit të këtyre dy anëve të racizmit kolonialist në Kosovë?   

I arrestuar për herë  të fundit në shkurt të vitit 2007, ai u akuzua nga UNMIK–u si përgjegjës për vrasjen e dy demonstruesve dhe plagosjen e mbi tetëdhjetë të tjerëve nga njësitë e xhandarmarisë në kuadër të policisë së UNMIK–ut. Në një proces kryekëput politik, ai u mbajt në arrest (shtëpiak ose në burg) pothuajse një vit. Gjykimi nuk përfundoi por (siç do të thoshte Albini), ai u shty përkohësisht, por për një afat të pacaktuar (si edhe gjithçka tjetër në Kosovë. Për çka realisht akuzohet Albini? 

Të rikthehem tek Agamben dhe analiza e tij e shkëlqyeshme mbi sovranitetin. Paradoksi i sovranitetit, thotë Agamben konsiston në pozitën e dyfishtë të sovranit përbrenda dhe jashtë rendit juridik: ai ekziston jashtë rendit juridik, në formën e Master–Shënjuesit për rendin juridik, ndërsa paradoksalisht shndërrohet vet në rendin juridik të vendit. Ky status paradoksal, ekziston për një qëllim: shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Fuqia sovrane jashtë rendit juridik dhe fuqia sovrane /e rendit juridik varen nga njëra tjetra, sepse prej të parës varet nëse do ta suspendon kushtetutën/ligjin ose jo. Sipas Agamben, ky paradoks formulohet kështu: “ligji është jashtë vetvetes”, ose “Unë, sovrani, që qëndroj jashtë ligjit, deklaroj se jashtë ligjit nuk ekziston asgjë”. Fjalinë e fundit e dëgjojmë për çdo ditë nga fuqia sovrane në Kosovë pra, nga administrata ndërkombëtare, që nga viti 1999 e tutje. Po këtë fjali e dëgjuam edhe me 10 shkurt 2007. Sovrani vrau dy dhe plagosi mbi 80 vetë. Pastaj, na thanë se është zbatuar ligji. Siç thotë Schmitt, sovrani e prodhon dhe e garanton situatën në totalitetin e vet. Fuqia sovrane në Republikën e Kosovës padyshim se nuk janë qytetarët e Kosovës. Në raport me fuqinë sovrane, ne ekzistojmë në nivel të objektit. Raporti ndërmjet objektit dhe subjektit (të interpeluar) është raporti i mosekzistencës së të dyjave. Siç thotë Althusser, objekti është reflektim pasqyror i subjektit. Sepse subjekti i intepeluar ideologjikisht nuk është subjekt politik; ai eksiston në nivel të nocionit, dhe për më tepër, në nivel të nocionit statik. Thënë në nivelin shumë elementar, nga subjekti = objekt i interpeluar ideologjikisht nëpërmjet praktikave ideologjike, nuk ka nevojë dhe nuk duhet të mendojë ose të veprojë: thjeshtë, ai duhet të jetë objekt i hegjemonisë ideologjike Shtetërore. Pako e Ahtisaarit, ekziston si ligji suprem i Kosovës, dhe si i tillë qëndron jashtë rendit juridik të vendit, dhe deklaron se jashtë ligjit nuk ekziston asgjë.  

Në këtë kontekst, rifillimi i gjykimit të Albinit nuk duhet të shihet nga optika humaniste e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut, sado dashamirëse që mund të tingëllojnë, në thelb kanë misionin depolitizues. Ato e depolitizojnë kauzën politike mbi të cilën kryhet një akt politik. Natyrisht, të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha shkeljet procedurale gjatë procedurës gjyqërore ndaj Albinit – dhe në nivelin empirik imediat, rasti gjyqësor mund të fitohet në këtë nivel. Në fakt, në nivelin brutal empirik, duhet të insistohet në këtë metodë.  

Por, cili është vërtetë çështja që duhet luftuar me çdo kusht? Mbi të gjitha dhe para së gjithash, Albini është aktivist shoqëroro–politik. Ai është thelbësisht politik. Aktakuza kundër tij është ngritur duke e marrë për bazë një akt politik: demonstratën kundër Pakos së Ahtisaarit. Dhe gjykimi kundër tij është gjykim politik. Ky gjykim mund dhe duhet të luftohet vetëm politikisht. Kjo do të thotë që, në vend se të hulumtohen zbraztësirat, deformimet e ligjeve partikulare ekzistuese, ne duhet më urgjentisht se kurrë në luftimin e tërësisë së sistemit juridik të Republikës së Kosovës. Është vetëm luftimi i këtij univerzaliteti juridik i Kosovës, kësaj shkelje flagrante të potencialitetit politik, domosdoshmëria politike e kohës sonë. Në Kritikën rreth Filozofisë Hegeliane të së Drejtës, Marksi i ri shkruante për Gjermaninë e shekullit 18: “regjimi gjerman i sotëm, – ky anakronizëm, kjo antitezë flagrante e aksiomave të pranuara nga të gjithë, ky nulitet i ancien régime, i nxjerrë në pah faqe gjithë botës, – vetëm sa kujton se i beson vetes dhe kërkon që edhe bota të kujtojë kështu. Në qoftë se ai do të besonte me të vërtetë në thelbin e vet, pse do të fshihte ai atë nën dukën e një thelbi tjetër dhe të kërkonte shpëtimin e vet në hipokrizinë dhe në sofizmat? Ancien

régime i sotëm është më tepër komediani i një rendi botëror, heronjtë e vërtetë të të cilit kanë vdekur”. Prandaj, luftimi i sistemit juridik të Kosovës, këtij sanksionimi arrogant të mundësisë sonë politike e ekonomike, është imperativ politik. Duhet bërë një shkëputje praktike nga rendi ekzistues shoqëror, i sanksionuar në sistemin juridik. Mohimi i rendit juridik ekzistues nuk mund të realizohet pa e shkatërruar plotësisht rendin shoqëror që ka nevojë për këtë rend. Dhe këto dyja, e tejkalojnë çdo kufizim humanist të imponuar nga doktrina e të drejtave të njeriut: kjo çështje kërkon akte brutale politike.

Leave a Reply

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728