Kosova në “betejën e gjuhëve”
Kosova në “betejën e gjuhëve”
* Elton Baxhaku *
“Një popull është mundësitë e tij…”
Manifesti, Vetëvendosja
“Ngulitja e kufijve të një shteti nuk mund te tejshkruajë në mënyrë te kënaqshme ekzistencën e një kombi dhe të drejtën e tij për vetëvendosje[...]”
Anne-Marie Thiesse
Pavarësi, autonomi, sovranitet janë fjalët që u dëgjuan sa herë që u diskutua për një popull të shtypur politikisht dhe ekonomikisht. Këto fjalë shënojnë një histori në rastin e Kosovës. Këto fjalë i dhanë një shtet të ri Evropës juglindore, pra shtetin e Kosovës. Për të arritur deri këtu ka një përpjekje të madhe të shprehur me “gjak” të derdhur për një vetëvendosje. Por ky nuk është i vetmi mundim. Mundimi tjetër është ai i legjitimimit të një kombi, që të përfshinte të gjitha karakteristikat dhe mbi të gjitha ndjenjën e përkatësisë.
Në deklaratën e pavarësisë shprehet shumë qartë ajo çka përfaqësuesit e popullit po përpiqen të bëjnë me shtetin e ri. Në të shkruhet: “Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike…”. Pra Kosova sot është një republikë e cila përfshin shumë etni brenda saj. Po si arritëm deri këtu? Si u bë e mundur që Kosova të ketë një shtet të vetin të ndryshëm nga ai shqiptar? A mos vallë kemi legjitimuar një identitet kosovar?
Ka disa mënyra ose këndvështrime për të gjykuar ecjen e identitetit të këtij populli. Më poshtë do të shohim se si përcaktohen termat me të cilët do të punojmë. Nocionet shtet-komb dhe komb-shtet kanë një diferencë të madhe jo në përkufizim, por në vëzhgim historik dhe kulturor. Profesori i historisë, Urs Altermatt na ka dhënë një këndvështrim mbi krijimin e këtyre dy formave të ndërgjegjësimit politik. Lindja e shtet-kombit mendohet të jetë me Revolucionin Francez ose më saktë konceptimi i tillë lind nga një këndvështrim historik midis disa shteteve si: Franca, SHBA, Zvicra. “Ky lloj kombi u kuptua si një njësi politike qytetarësh të barabartë para ligjit, pavarësisht nga pozicioni shoqëror, prejardhja, gjuha ose feja.” Dhe për sa i përket komb-shtetit ose kombit të kulturës mund t’i “referohemi kryesisht Gjermanisë dhe Italisë, ku ndjenja e përkatësisë së përbashkët u mbështet mbi gjuhën dhe kulturën, për shkak të mungesës së shtetit”. Pra këto janë dy rrugët e interpretimit që ne do të përdorim për kategorizimin e çështjes.
Kosova ka ndjerë mungesën e një shteti dhe si pasojë formoi një ndjenjë përkatësie me kulturën, e cila duhet të ishte e ndryshme nga ajo e serbëve. Themelore në dallimin e “tjetrit” të kombit, ishte gjuha, ashtu siç bënë edhe shqiptarët e Shqipërisë. Kjo është lehtësisht e dallueshme dhe është një konkluzion që nxirret shumë lehtë, se Kosova për të mbajtur një dallim kulturor nga etnitë e tjera që e rrethonin kërcënueshëm, me patjetër do të përdorte gjuhën si themel të ndryshimit kulturor me të “tjerët” e kombit. Gjithashtu gjuha doli në pah si “dallimi themelor” për shkak edhe të një mungese kohezioni fetar. Pra ajo që e bën Kosovën të kategorizueshme në komb-shtetet është mungesa e një shteti dhe ndjenja e përkatësisë së përbashkët, e cila mbështetet mbi gjuhën dhe kulturën e parë si e vetmja mundësi mbështetje për një vetëvendosje.
Nga Rilindasit kemi një veçim të gjuhës si karakteristikë, e cila do të japë një dallim objektiv dhe të qartë midis kombit shqiptar dhe fqinjëve të tij. Dhe mund të themi se i gjithë ligjërimi nacionalist shqiptar i kryer nga rilindasit ka në themel të bashkimit kombëtar pikërisht gjuhën, të cilën e përdorin si gur themeli të ndërtimit të ndjenjës së përkatësisë. Rilindasit flisnin në emër të të gjithë shqiptarëve (përfshirë këtu edhe shqiptarët e Kosovës). Kjo do të thotë që kombi shqiptar ka një shtrirje gjuhësore, e cila mund të përcaktojë territorialitetin si dhe popullsinë e këtij kombi. Pra formimi identitar gjuhësor (karakteristik për ligjërimin nacionalist Shqiptar) përcakton popullsinë e kombit në të cilin ata bëjnë pjesë, qofshin këta edhe shqiptarë të Kosovës. Pas kësaj qasje, pyetja legjitime do të ishte:
Në rast se ne kemi një shtrirje të tillë, atëherë ku e ka vendin Kosova në raport me Shqipërinë?
Siç e pamë më sipër, boshti kryesor i formimit të kulturës së përbashkët farkëton në gjirin e kombit një përkatësi mbase edhe të përfytyruar nga një popull i caktuar. Rëndësia i bie gjuhës sepse është ajo që na jep një kulturë e më pas kjo na jep një etni e më pas shprehjen e kësaj etnie në një komb. Kjo është edhe teza kryesore e A.M. Thiesse, tek libri me titull “Krijimi i identiteteve kombëtare”. Pikërisht në kapitullin “një komb një gjuhë” ajo shtjellon rëndësinë që merr gjuha në krijimin e indentitetit kombëtar. Gjithashtu gjuha në “Europë është shprehje dhe simbol i kulturave të ndryshme të kontinetit” . Këtu bën pjesë edhe kombi shqiptar ku gjuha është simbol i kulturës sonë. Kombet pasi përcaktohen si të tillë ndërthuren me konceptin e shtetit.
Tani të shohim “betejën” që i takon Kosovës në lëmin e këtyre koncepteve. Gjuha shqipe flitet edhe sot ashtu siç është folur edhe para aneksimit të Kosovës nga Serbia. Gjithashtu është akoma një simbol i kulturës sonë. Pra ne kemi folur të gjithë të njëjtën gjuhë. Përderisa gjuha është simbol i kulturave të ndryshme atëherë kultura e atyre që sot quhen shqiptarë të Kosovës nuk është e ndryshme nga ajo e shqiptarëve të Shqipërisë. Kulturë e njëjtë dhe gjithashtu gjuhë e njëjtë nuk mbetet fjalë tjetër për të thënë veç se komb i njëjtë. Karakteristikat e një kombi ne i renditëm shumë shkurt, por për aq sa na nevojiten për këtë punim, janë të mjaftueshme për të treguar se në bazë të tij është gjuha. Pra mund të themi se nga pikpamja e formimit të një identiteti nacional kombëtar Kosova dhe Shqipëria nuk janë dy, por vetëm një komb.
Tashmë Kosova është Republikë dhe është shtet multietnik, çka do të thotë se ky shtet i ri që sapo është formuar, ka prirje të jetë një shtet-komb dhe sipas formulimit të dhënë më lart për sa i përket shtet-kombeve, është se ata janë në një formë shtete të qytetarëve dhe jo të etnive të veçanta. Kjo përpjekje vihet re edhe në pikën e dytë të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, ku zotimi është që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe se kujdesje e veçantë do të shkojë për etnitë e tjera të Kosovës.
Vlen të theksohet fakti se tashmë Kosova Republikë ka në përbërjen e saj gjashtë etni, nga ku njëra është më e madhe; ajo shqiptare. Etnia shqiptare, gjatë hisorisë ka pasur një ndarje politike të diktuar nga kushtet historike. Kështu që ne nuk mund të flasim kurrsesi për një identitet, etni, apo komb të ri kosovar, gjithmonë e parë kjo jo nga pikpamja e një nacionalizmi shtetëror, por nga nacionalizmi kombëtar.
Dhe në të vërtetë ajo që vihet re është një prirje e elitës kosovare në drejtim të nacionalizmit shtetëror, ku dëshmitar i patundur qëndron flamuri i ri shtetror i Kosovës, i cili është krejt i ndryshëm nga i kombëtar. Për këtë arsye rasti i kombit shqiptar mund të quhet rast i veçantë, sepse është një komb që qeveriset nga dy shtete të ndryshme. Togfjalëshit “një gjuhë një komb” tashmë në rastin tonë mund t’i shtojmë edhe fjalët: “dy shtete”.
Së fundi mund të themi se Kosova, duke u nisur nga pikëpamja e gjuhës si thelbin e simbolikës së kulturës, nuk mund të ketë një identitet nacional të ri. Rilindja shqiptare ka “formuluar dhe ligjëruar” një identitet nacional ose kombëtar për të gjithë shqiptarët bazuar në gjuhën shqipe, që ishte elementi dallues i kombit tonë. Duke u nisur nga kjo pikëpamje është e pamundur që të kemi një ligjërim të ri nacionalist që t’i mbivendoset atij që kemi tashmë. Përderisa ne kemi akoma të njëjtën gjuhë, atëherë kemi të njëjtën kulturë dhe rrjedhimisht të njëjtin komb. Do të ishte ishte paradoksale të mendoje se i njëjti komb mund të ligjërojë dy identitete kombëtare.
Shteti i Kosovës sot është më shumë se kurrë shteti i qytetarëve ( i cili përfshin edhe etni te tjera përveç asaj shqiptare) dhe kjo dëshmon qartë që nuk kemi nevoja pragmatike për të krijuar një identitet të ri kosovar dhe se tashmë Kosova është shtet-komb. Identiteti i ri nacionalist kosovar do të ishte një mundësi në rast se do të kishim një shtet etnik të Kosovës, i cili do të ishte një njësi politike që nuk do t’i bashkangjitej pjesës tjetër të etnisë. Nevoja pragmatike për të pasur një dallim midis “pjesëve të një kombi” tashmë ka rënë me krijimin e një simboli shtetëror dhe një simboli kombëtar. Kjo ishte zgjidhja për një komb të qeverisur nga dy shtete. Kësaj zgjidhje pritet t’i vijë përballë ajo cka tashmë njihet e drejta legjitime për të Vetëvendosur.










