Borxh
Arbër Zaimi
-Faber est quisque fortunæ suæ - (çdo njeri ndërton fatin e vet)
E di, ta qaj hallin, je i mërzitur ngaqë të kanë mbytur borxhet. Je në borxh te shitësi i bulmetit, te kasapi, si dhe te marketi i lagjes. Ke borxhe të shpërndara nëpër miq, edhe nëpër njerëz që nuk i ke dhe aq miq. Ke për të paguar dritat dhe ujin (që prej gushtit që shkoi), dhe ke nja tre-katër muaj që nuk ia ke parë derën të zotit të shtëpisë ku jeton me qera. Punon gjithë ditën, ndonjëherë dhe natën, e prapë nuk ia del dot të lundrosh mbi detin e përbaltur të borxheve, që ndonjëherë me vorbulla, e ndonjeherë me tallaze të zhyt, e s’të lë të marrësh frymë. Treçereku i rrogës përfundon te kredia, e marrë në kushte urgjence, në bankat tona që u përngjajnë sarafëve mesjetarë për nga interesat që vënë, më keq se shushunjat…
Që sot nuk ka më arsye pse të mërzitesh. Jo, problemet e tua nuk kanë për t’u zgjidhur, nuk kam asnjë lajm të mirë për të të dhënë. Por në fund të fundit, duhet të ndihesh i lumtur pasi nuk je i vetëm. Si ty në Shqipëri ka me qindra-mijëra, madje me miliona mund te themi…Studimet e konfirmojne kete punë, vetëm 50% e shqiptarëve kanë qenë në marrëdhënie pune këto katër vjetët e fundit. Pra gjysma tjetër keq e mos më keq. Megjithëse ç’të duhen studimet. Kthe kokën, vështro rrotull teje dhe do të kuptosh që në dhjetë veta, shtatë kanë hallin tënd, në një mënyrë apo në një tjetër. Shiko atë burrin e gjatë që ecën me vetulla ngërthyer, e me duart e ngjeshura fort në xhepa. Është i acaruar, edhe ai është i mbytur në borxhe. Edhe ajo gruaja që vjen vërdallë te dyqani i perimeve, aty e ka mendjen. Ka gjithë ditën që mendon me se do të gatuajë drekën e sotme. Me çmimet që rriten dita-ditës së shpejti do të jetë stomaku i fëmijëve që do të ketë të bëjë me inflacionin. Halli është te dreka, se për darkë, mjafton dhe pak bukë me djathë. Edhe ai djali që punon në sportelin e bankës, dhe ai është i zhytur në kredi, dhe stresi e lë pa gjumë natë për natë, ka tre vjet që diskuton me të shoqen ta nisin, a të mos e nisin fëmijën e tyre të parë. Se fëmija kështu është bërë, si punë zahmeti, ta nisim apo jo, na duhet apo ta evitojmë? E ku do të vijë në jetë ky fëmijë, në një familje të krimbur nga borxhet? Të papunë, a në punë, shumica e shqiptarëve janë duke përtypur ngadalë kafshatën që s’kapërdihet të borxheve, ndërkohë që natyra e qetë (thuajse e vdekur) prishet çdo dhjetë minuta nga kalimi i ndonjë Mercedesi sllon, i ndonjë BMW-je peshkaqen, apo i ndonjë Hammer-i që bllokon dy korsi të rrugës së bashku me trotuarin. Janë ata, feudalët e rinj të vendit tonë, ata që gjithë-gjithë mund të bëhen 3-4 % e popullsisë. Janë të dallueshëm, se duan të dallohen nga ne të tjerët. Targat i kanë ja me shkronjën Z, ja me ca numra “të lezetshëm” tip 6969 etj. Për çdo borxh që ti ke, ai ka nga një shtëpi në bregdet, apartament, kostum “firmato” apo orë floriri dhe byzylykë që as qentë e zyrës sonë nuk do t’i mbanin në qafë. Këta nuk punojnë. Je ti që punon për ta, së bashku me mua, e së bashku me milionat e tjerë që kokulur i janë nënshtruar të përditshmes.
Megjithatë mos u mërzit. Ti je i mbytur në borxhe, ashtu si shumica, por po të them një fakt ngushëllues. Edhe shteti është i kalbur në borxhe. Borxhi publik i Shqipërisë është 540 miliardë lekë, ose 4,4 miliardë euro, në 2007. Me një llaf, i bie që për kokë çdo shqiptar ka 1225 euro borxh, “të garantume nga shteti”. Cili është reagimi i qeverisë? Zv.Ministri i Financave shprehet qartë e saktë, as që na tremb ky borxh, do marrim dhe të tjera, se rëndësi ka që të investohet në Shqipëri. “Sypatrembur qeveritarët tanë, që aferim ju qoftë! Merrni bre burra borxh, se për të mirë të Shqipërisë po merrni!”- kështu u hodh e foli një katundar patriot nga Skrapari, i cili kishte votuar për këtë shtet. Ai argumentonte se nëse rritja vjetore e GDP-së do të jetë më e madhe se rritja e borxhit, shqiptarët do t’i bien qarit.
Po kishte dy probleme, që e vinin në dilemë karakterin tejet ekzistencialist të fshatarit në fjalë. Së pari, nuk e dinte mirë çfarë ishte GDP-ja, e së dyti ngado shihte rreth e rrotull shihte vetëm varfëri, mungesë dritash, mungesë uji, dhe vetëm borxhe, e borxhlinj që enden nëpër rrugët e pashtruara duke folur me veten. Si do të rritet investimi në Shqipëri? Çfarë i ofrojme ne investitorit? Mos vallë i ofrojmë kushte pune? Hmm, dritat, rrugët, situata e paqartë me politikat tatimore, që herë sheshohen herë jo, kontrabanda, konkurenca e pandershme, rryshfeti që kërkojnë drejtuesit e administratës më bëjnë që kësaj pyetje t’i përgjigjem negativisht, për fat të keq.
Mos vallë investitorit ne i ofrojmë krah pune? “Po” – do thosh katundari i emocionuar – “po po, ne ofrojmë krah pune shumë të lirë. Ne ofrojmë krahë fëmijësh, kofshë vajzash, ne ofrojmë gjithçka me çmim shumë të lirë”. Por nuk e ka idenë që ky krah pune nuk ka asnjë lloj vlere, për sa kohë nuk është i kualifikuar të bëjë ndonjë punë nga ato që i duhen investitorit të sotëm. Të rinjtë shqiptarë në një shumicë dërrmuese mbarojnë një shkollë të mesme të përgjithshme, e cila i lë përgjithësisht në ajër. Ata që i futen stresit universitar zgjedhin degët më në modë, ekonomik, juridik, apo shkenca politike (sic). Ç’do bëjë investitori me këtë tufë intelektualësh të përgjithshëm e të pavarur. Edhe falas po t’ia japin krahun e punës, nuk ta merr.
Çfarë dreqin na bën të besojmë se jemi treg tërheqës për investitorët, me përjashtim të ndonjë titulli të botuar në revistat britanike apo amerikane pas vizitave të Kryeministrit apo Ministrit të Jashtëm.
Ah jo or mik, jo, nuk zgjidhet ky muhabet, të paktën jo kështu. Po tani duhet të ndihesh më i lirshëm, se nuk je ti i vetmi që ke borxhe, si ty jam dhe unë, si ty jemi shumë. Përderisa të gjithë kemi vendosur që do të bëhemi të gjallë në vendimmarrje vetëm një herë në katër vjet, me një fjalë do të jemi qytetarë të përgjegjshëm vetëm kur votojmë, mirë të na bëhet. Se na mungon palca për të qenë gjithnjë mbi kokën e qeveritarëve që majmen duke alokuar borxhet e marra në emrin tonë. Se na mungon dëshira për të kontrolluar ata persona të cilëve u besojmë votën një herë në katër vjet.
Kështu që, kot mërzitesh, le t’i gëzojmë borxhet!













